Nahia e Beratit

    Mbi 102 vjet më parë, Eqerem bej Vlora, ky njeri me veti të rralla njerëzore që nderonte gjakun e shqiptarit, siç thotë Ernest Koliqi, erdhi në Berat më 1906 dhe nga këtu kaloi në Kapinovë, në malin e Tomorrit e më tej dhe kthim. Aty qëndroi pak, por bëri shumë. Ajo që bëri, ato që pa e ndjeu  i hodhi në ditar dhe ky ditar me 12 ilustrime e një hartë na vjen dhuratë sot. Mbasi rri disa ditë në Berat, përgatitet dhe niset me 32 shoqërues drejt malit Tomorr. Kalon nga bostanet në Bilçë drejt Uznovës së madhe në Qehajas, lë  majtas Hoxhajn, kalon në Gradishtë, pushon në Çiflik (disa kasolle e një shtëpi pronë e Shefit bej Kapinovës), ulet në Vërtop, me popullsi krishtere dhe i afrohet Bargullasit. Lë në krah këtë fshat dhe drejtohet drejt Kapinovës.

    Mbas 7 orë udhëtimi shpërblehet me bukurinë e rrallë të natyrës, me përrenj që gurgullojnë, gjelbërim të gjithëvitshëm dhe zogj që këndojnë, por mirëseardhjen ia japin njerëzit që ndryshonin nga ata që la më poshtë, më të shëndetshëm, më të gjatë, 1.80 m, flokë të verdhë, sy të çelët dhe me zhdërvjelltësi të çuditshme.

    Sigal

    Po mundohem t’u qëndrojë besnik shënimeve të autorit të ditarit për të treguar zonën, rrugët, traditat dhe dashurinë e tij për ata që e pritën. E priti Shefit bej Kapinova (Salillari), njeri i pasur dhe bujar. Shtëpia e tij ishte tipike e kohës, dykatëshe, e ndërtuar me gurë të mëdhenj të palatuar, me dritare tip frëngjie, me shkallë druri, me qilima dhe postiqe. I dorëzoi të zotit të shtëpisë armët dhe, siç thotë beu i nderuar, kjo tregonte se ata tani ishin anëtarë të kësaj familje, e cila përgjigjej për çdo gjë në territorin e tij.

    Mbasi u përshëndet, doli në një pikë, për të parë fshatin, fshatrat, Beratin dhe  perëndimin e diellit. Kapinova në këto vite kishte mbi  60 shtëpi me 800 banorë. Dikur ka qenë selia e një Mydiri dhe quhej Nahija e Kapinovës. Bekimi i fshatit qenë burimet ujë argjendi, arat, tarracat të  ndërtuara në shekuj me durim të admirueshëm, që mbillen misër dhe grurë. Nga pllaja duket në horizont Myzeqeja dhe  në shpat kullosnin bagëtia, kryesisht dhen e dhi.

    Pas kësaj, kur gjeti momentin e duhur Eqerem beu shkroi në bllokun e shënimeve:

    “Pasi kthehemi nga shëtitja në shtëpi,  ja shtrojnë darkës me mish në hell dhe me raki, në odën tjetër po të njëjtën gjë bëjnë dhe njerëzit që më shoqërojnë, të cilët kishin ardhur në qejf dhe po këndonin duke e zgjidhur gjuhën për t’u dukur kush më i mirë se fqinji. Ajo që më gëzoi më shumë, qe pastërtia dhe gatimi për merak i pilafit, ëmbëlsirave, shto dhe fruta pa mbarim të prodhuara në vend. Aty bëmë planin për t’u ngjitur në  majën e Tomorrit drejt të shenjtit Abaz Aliu. Si udhërrëfyes na prini i zoti i shtëpisë me njerëzit e tij, krahas atyre që më shoqëronin mua. U zgjova të nesërmen më 8 tetor 1906 duke u bërë gati mbas tualetit për udhëtim kur koha ishte me mjegull dhe temperatura 9 gradë. Nisemi drejt malit nga ana jugore rreth 1400 m lartësi dhe kthehemi nga ana veriore ku ndodhet maja. Vendi është me pyje të dendur me pisha, bredha dhe lisa. Me ne ishte dhe një xhandar turk, që, për çudinë e të gjithëve, këndonte duke ecur dhe këndonte himnin kombëtar revolucionar shqiptar, që tregonte se ishte i molepsur me frymën e kohës. Fati ishte me ne se moti u hap, dielli shpërndahu retë dhe ne s’ngopeshim me mrekullitë e rralla të natyrës poshtë këmbëve tona, me Bargullasin, Novajn, Sirakën, lumin e Beratit, majat e maleve të Skraparit e deri në zonat e Tepelenës.

    Në lartësinë 1600 m u zbritëm kafshëve dhe ecëm më këmbë. Kur arritëm 2000 m, hëngrëm drekën, por u dogjëm për ujë dhe nga një gropë bore u zhytëm për të pirë, por disave u dhëmbi barku e koka dhe kishin temperaturë. Si u ngjitëm në majë të Tomorrit, në vendin e shenjtë të Abaz Aliut, që respektohet si nga myslimanët dhe krishterët, dhe çdo gusht ai gjallërohet nga pelegrinët e shumtë. Vështrojmë në horizont Beratin dhe Tomorricën, nisemi në orën 3, zbritjen drejt Ujanikut, Zaloshnjës e zonës përreth për t’u kthyer në destinacionin…”.

    … Dhe ditari vazhdon 190 faqet e tij, duke treguar mrekullitë e natyrës dhe njerëzve të kësaj zone.

    Çezma e Tarikos

    Në Dardhë të Tomorrit është një çezmë me një mbishkrim interesant, që e dinë ose janë munduar ta mësojnë përmendësh të gjithë ata që kanë kaluar aty. Mbishkrimi thotë kështu: “Ju udhëtarë që kaloni/, pini ujë e uroni/, Tariko garipe i këndon të birit,/Që e çoi exheli në dorë të qafirit”.

    Tarikoja nga Dardha ishte nëna e një djali të vetëm, Demirit, i cili është vrarë në një grindje banale, madje thuhet edhe krejt gabimisht. Në 1925, në vitet e fundit të jetës, Tarikoja ndërtoi një çezmë në të hyrë të fshatit dhe në anë të rrugës së karvanëve, ku dhe ka shkruar fjalët e mësipërme.

    POLIÇANI, SI PJESË E NAHIJES

    Uzina Ushtarake e Poliçanit u vu në funksionim të plotë në vitet 1966-’67. Ishte një vepër, ku është bërë një punë e paimagjinueshme jo vetëm fizike, por edhe shkencore, ku inxhinierët dhe punëtorët duarartë që punuan e eksperimentuan për vite me radhë aty  bënë mrekulli. Për arsye të sekretit shtetëror, asnjëherë, edhe sot, nuk janë bërë të njohura përmasat gjigante të Kombinatit të Poliçanit, sidomos të  tuneleve, ku u fut komplet reparti i prodhimit të fishekëve, një vepër madhështore, që ka befasuar me madhështinë e saj ata që kanë patur rastin ta shohin, vendas apo të huaj. Sot, ndërsa poshtë Kombinati është kthyer në gërmadhë të vërtetë dhe syri të sheh vetëm ndryshk. Tani poliçanasit i janë kthyer punës, por në një drejtim tjetër, të pasurisë që i ka falur natyra, pllakat dekorative të malit të Tomorrit, të cilat, pas përpunimit shpërndahen në tregjet e botë.

    MITOLOGJI/ NAHIJA E TOMORRIT, “SHTËPIA” E DODONËS

    Shumë autorë të lashtë si Homeri, Hosiodi, Stefan Bizantini, Hetakeu, Eskili, Pindari, Aristoteli, Horodoti, Plutarku, Polibi, Straboni, Titi Livi, Apolodori, Plini etj. vërtetojnë shkencërisht se Dodona Mëmë ka qenë në Tomorr. Edhe sot rreth Tomorrit ka toponime që e dëshmojnë këtë. Kështu në fshatin Bargullas një vend quhet Bregu i Dhodhonit; Mbrakull, do të thotë në (mbë) Orakull etj.

    Agron NURELLARI