“Naftë të lirë për bujqësinë”, fermerët: Premtime elektorale!

78

Nard Koleci është një fermer nga Fishta e Lezhës dhe merret me kultivimin grurit si dhe të disa kulturave të tjera bujqësore, si dhe mbarështon bagëti.

Ai është prej fermerëve shqiptarë që nuk shpresojnë se do të përfitojnë nga skema e qeverisë për naftë të lirë për bujqësinë.

Kjo pasi një premtim i tillë vjen në prag të fushatës elektorale.

Ndërsa thekson se edhe në skemat e mëparshme nuk kanë përfituar asgjë.

“Shpresa me thënë të drejtën është e vdekur. Dhe kjo pasi jemi në kohë fushate dhe pothuajse nuk është bërë realitet ndonjëherë. Edhe njëherë që u bë në kohën e Sali Berishës, 2 vite, edhe atëherë e morën disa që nuk kishin fare tokë po thjesht ishin politikanë dhe e merrnin për vete, ndërsa për ne fermerët nuk erdhi gjë”, u shpreh një fermer për ABC News.

Sipas fermerit nga Fishta e Lezhës kostoja për punimin e tokës në Shqipëri mbetet shumë e lartë ndërsa probleme kanë edhe me cilësinë e farërave.

Sipas tij e vështirë do të jetë edhe aplikimi online.

“S’kam si të aplikoj online. Unë jam fermer, jam në arë, nuk kam kohë me luajt me telefon. Tashmë është koha e punimit të mbjelljes së grurit. Vetëm për ta punuar shkon në 15 mijë lekë dynymi dhe kalon, plus që nuk rezultat, sidomos kjo në farëra”, u shpreh ai.

Këshilli i Agrobiznesit shqiptar e mirëpret një nismë të tillë por përsëri ngre pikëpyetje për realizimin duke marrë shkas se edhe dy nismat e para që dështuan u morën në prag të fushatës

“Propozimi i parë u bë në 2001 përpara fushatës për projektin pilot nga qeveria Nano. Propozimi i dytë u bë në 2005, në prag fushate nga qeveria Berisha që do të jepte naftë me 40 lekë për litër dhe e treta vjen tani në këtë periudhë që përsëri propozohet një gjë e tillë. Por ndryshe nga të parat kemi një gjë më konkrete pasi si opozita që do të vij në pushtet dhe qeveria, kanë vendosur të reduktojnë çmimin e naftës”, tha ai.

Agim Rrapaj kreu i KASH, ngre si problem edhe vështirësitë që do hasin fermerët në aplikim online.

“Unë mendoj se jo të gjithë janë të gatshëm të fillojnë, por procesi mund të filloj edhe me faza. Kjo nuk ka shumë rëndësi në këto momente për këtë skemë që është mjaft komplekse dhe e vështirë në konceptim”, tha Rrapaj.

Bujqësia shqiptare po përballet me një sërë sfidash për shkak të pandemisë, por edhe motit të paqëndrueshëm. Gjatë muajve të fundit ka pasur shumë dëme të fermerëve nga breshëri kryesisht në agrume dhe në misër.