Nafie Bregu, shqiponja e Tomorit

676
Nga Xhevahir CIRONGU

Kushtuar dëshmores Nafie Bregu (Bako) 
Jeta e përditshme plot vuajtje dhe bota që e rrethonte, shtronin përpara Nafies 20-vjeçare mjaft pyetje për realitetin e zymtë të asaj kohe. Përgjigjen e këtyre pyetjeve ajo filloi ta gjente në bisedat e ngrohta të partizanëve që vinin shpesh në shtëpinë e saj . Në fjalën e tyre gjente shpjegimet dhe qëllimet e larta të Luftës për çlirimin e Atdheut . Dëshmorja Nafije Bregu, ( Bako ) lindi në fshatin Burranj të Romoricës së rrethit Skrapar, në vitin 1922. I ati i saj Demiri, një pjesë të jetës e kaloi duke punuar në Kuçovë, atje në mes punëtorëve të naftës, por edhe në gjolin e Maliqit, Qafë Kërrabë, në Durrës etj. Aty njohu thellë vuajtjet dhe mjerimin e punëtorëve. E preknin në shpirt fjalët e babait kur fliste për varfërinë, por edhe urrejtje për pushtuesit nazifashist. Të nesërmen , kur dëgjonte këto fjalë bisede nga i ati , i përhapte në rrethin e shoqeve dhe moshatarëve të saj . Nafia ishte e zgjuar , por edhe e shkathët e punëtore. Duke shkelur mbi zakonet patriarkale të kohës , lëronte arën, mbillte misër, ujiste bimët për të siguruar për pak kohë bukën e familjes. Fjalët e nënës e ngrohnin e i jepnin forca të reja. Nafije Bregu ishte e martuar në Rromas, në këtë fshat që shtrihet aty rrëzë Tomorit. Ajo ishte dhe mbeti në histori, si një shqiponjë në hapësirën e qiellit kaltërosh Tomorian. Kur gjëmonte lufta në male, ajo u bë veprimtare e kësaj lufte. Me formimin e Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare, Nafija u bë veprimtare e palodhur në masën e grave dhe të vajzave në fshatrat e zonës. Shumë shpejtë ra në sy veprimtaria e saj në qarqet armiqësore. Për ta, ajo u bë një person i pa dëshirueshëm. Në ditët e para të janarit shtabi i Grupit partizan të Myzeqesë bëri një mbledhje në shtëpinë e saj. Kjo u diktua nga spiunët e bashkëpunëtorët e fashizmit. Më 10 janar të vitit 1943, i rrethojnë shtëpinë. Kërkonin ta kapnin të gjallë. Ajo nuk u dorëzua. Nafia tradhtarëve iu përgjigj më pushkë, kështu në pamundësi për ta kapur të gjallë, e vrasin. Nafija derdhi gjakun për të mbetur e gjallë. Tradhtarët morën turpin me vete. Historia do i dënojë për jetë. Kurse populli iu thur këngë trimave të vatanit; atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre. Dhe ja, si thotë kënga për dëshmoren e parë grua të kësaj treve:

“Tradhtarët të vranë
Bijë Tomorice ,
Je dëshmore e parë
E kësaj krahine …..”.
Nafie Bregu (Bako) derdhi gjakun për lirinë e Shqipërisë. Shqiponja e malit të Tomorit do kujtohet gjithmonë nëpër breza, si një lule që rritet në shkëmb e që çel vetëm petale të kuqe në përjetësinë e pavdekësisë.
Sigal