Musai: Rama mbulon zullumet me batuta dhe gallatë. Opozita të dalë me premtime reale, jo të bjerë në grackën e tij!

98
Sigal

Drejtori i gazetës “Telegraf”, Engjëll Musaj komentoi në MCN Live fushatën që ka nisur në kuadër të zgjedhjeve elektorale të 14 majit dhe ofertës së kandidatëve në garë. Musaj tha se zgjedhjet janë një test për votuesit shqiptarë, që duhet të votojnë për veten, jo për politikanët. Lidhur me sloganin e PS, Musaj tha se nuk e kupton se kujt i referohet selia rozë me “mbrapa”, kur thuajse të gjithë kryebashkiakët në detyrë janë të së majtës. Nga ana tjetër ai e sheh me probleme edhe opozitën, duke theksuar se ka përçarje brenda llojit, ngërç dhe përplasje mes njëri-tjetrin.

Njerëzit janë të ndjeshëm te ana ekonomike. Ndërse do dikë që do ta penalizosh, ndërpriti paratë dhe do ta shikosh sa e rëndë është dhe sa vlerë ka paraja. Të vetmit njerëz që s’duhet ta zënë në gojën çështjen e parave janë politikanët, janë abuzuesit më të mëdhenj të kësaj shoqërie të fondeve publike. Miliarda euro qarkullojnë. 5 miliardë diskutohet në rrethe konfidenciale që qarkullojnë nga trafiku i drogës, miliarda të tjera nga inceneratorët. Dimë gjë ne me çfarë lloj efikasiteti janë përdorur. A janë hapur vende pune për qytetarët, a janë hapur fabrika, uzina, a janë punësuar njerëz që të mos largohen jashtë vendit. Të gjitha na mungojnë.

Këto zgjedhje që janë për ne si qytetarë, apo për politikanët?! Ne si qytetarë votojmë për ata që kanë hipur në kuaj dhe ne qajmë hallin e kalorësve që u tunden këmbët! Sepse s’kemi parë ndonjë politikan që dalë dhe të thotë unë po lë mandatin e deputetit, ministrit, drejtorit, dhe të ikën refugjatë. Kanë ikur vetëm qytetarët shqiptarë. Këto zgjedhje do vënë në test votuesit shqiptarë. Ne s’duhet të votojmë për politikanët, do votojmë për veten tonë, ku e kemi ne interesin tonë. Për të mbuluar çdo gjë të keqe që është bërë në 30 vite fillojnë luajnë politikisht. Shqiptarët duhet të votojnë për veten. A është modeli socialist me këngë…Jam plotësisht dakord, dhe e pëlqej që gjithçka të jetë e këndshme, e ëmbël, qytetare, por s’jam me pjesën tjetër që një kryetari bashkie t’i vendoset tritol. Jam kundër dhunës, jam pro raporteve të ëmbla të kulturës, dashurisë, miqësisë.

Vendosja e fushatave në ambienteve të mbyllura është gjë pozitive, sepse askush s’ka të drejtë të na stresojë në ambiente publike. Kjo është gjëja më pro perëndimore. Sepse ne jemi me mentalitetin Lindor që gjërat i duam sa më pompoze, pse jo edhe të Azisë së Largët. Ne jemi mes simbolikës së të kaluarës dhe të tashmes. Kjo simbolikë s’është zgjedhur rastësisht nga PS, që e hodhi si ide. PS e hapi fushatën elektorale në lulishten në sheshin ‘Skënderbej’. U mblodhën, e bënë lëmsh sheshin dhe mbollën 61 pemë, pse simbolizojnë kryetarët e bashkive!

Tani jemi përpara kësaj platforme që kemi një ‘mbrapa’, një ‘përpara’. Mbrapa kujt?! Është 100 për qind pushteti lokal i kësaj partie. E ke me ata të tutë që kishe mbrapa?! 80-90 për qind i ke përsëri ata, kjo është e pafalshme, jo etike dhe fyese. Nga ana tjetër edhe opozita ka probleme të jashtëzakonshme. Shoh një të djathtë të përçarë brenda llojit të vet, jo thjesht te grupimi ‘Alibeaj’. Ka grupime, ka ngërç, ka përplasje mes njëri-tjetrit.

Askush s’po merret me çështjet konkrete. Të marrë kamerat e gjithë televizioneve, të marrë rrugët e vendeve secili deputet, Tirana më vete, Durrësi më vete, të tregojë ja si është qyteti jonë, ja si e kemi pasur dhe ja si është bërë. Kjo lulishte është dëmtuar sepse x oligark, x interesaxhi këtu ka bërë një kullë, një objekt, dhe qytetarët s’janë shpronësuar. Ore kryetarët e bashkive të kërkojnë edhe falje, edhe kemi gabuar të thonë. Nuk është turp të kërkosh falje. Duhet të thonë çfarë do bëhet me shpopullimin? Jemi midis dy epokave, epokës perëndimore dhe modelit shqiptar. Epoka perëndimore po na merr gjithë trurin. Atëherë çfarë do bëhet?”

Musaj tha se vetëm në Shqipëri ndodh që pushteti qendror ndërhyn në zgjedhjet e pushtetit lokal.

Po ashtu ai u shpreh se Rama është mjeshtër i batutave, llafollogjisë dhe humorit, dhe opozita bie nuk del me premtime reale, por bie në grackën e tij.

Ne vërtet i kemi zgjedhje lokale këto që po vijnë, por më agresive është partia në pushtet, e cila thua se janë zgjedhje të përgjithshme, ndërkohë që duhet të ishte pushteti lokal. Në Shqipëri partitë politike nuk premtojnë se nuk i mbajnë dot premtimet, se nuk do ballafaqohen me qytetarët. Kjo mbjellja e pemëve është hipokrizi. Ku shkuan 700 milionë euro të Rilindjes urbane për betonizimin e qendrave të qyteteve?! Ishin një masakër e vërtetë. Ato para të vinin për kanalizimin e ujërave të zeza dhe të pijshme. Se një shi bie dhe qytetet bllokohen. Pushteti qendror ka ndërhyrë në zgjedhjet e pushtetit lokal. Duhet të rrinte sa më larg! Askush s’e di kur ka zgjedhje të pushtetit lokal në Itali, Francë. Këtu te ne ndërhyn qeveria, shteti, Parlamenti. Pse duhet të dëmshpërblesh pensionistët me 5 mijë lekë, të tallesh. Pse duhet të mbash në administratë 2020 mijë veta, kur duhet të kesh 70 mijë. Me ato para bëj një investim. Këtu harxhohen milionat e shtetit dhe vjen një ditë të bukur edhe po ia jap një oligarku, shfrytëzoje ti!

Rama ka gjetur rrugën dhe metodologjinë. Edhe pse e ka pasur kundërshtar, unë mendoj që është admirues i fshehtë i teorisë së Trump, shaj sa më shumë aty ku je më i fortë, tregohu më agresiv në fjalë, llafollogji, batuta, dhe Rama për këtë është mjeshtër. Do s’do i fut liderët e opozitës në lojën e vet, me të sharë, batuta, humor, gallatë. Njerëzit thonë këta njëlloj qenkan të gjithë, por ky i paska më të bukura gallatat! Këtë gjë s’duhet ta bëjë opozita. Duhet të dalë me premtime reale. Nuk e bën por bie në grackën e Ramës. Do të mbulojë gjithë zullumet e pushtetit lokal. E pe si i merrte te lulishtja, si bariu i thërriste si delet. Njëri dilte me majmunin, një me ariun!”