Mundësitë për turizëm janë kudo, duhet vizion nga drejtuesit

851
Nga Halil Bregasi

Cakrani vlen të vlerësohet më mirë!
Sa herë lexoj apo dëgjoi në mediat e shkruara e vizive se po afron sezoni turistik, më rrëqethet mishtë e mendoj: Po Cakrani pse nuk përfshihet në këtë listë përparimi e lulëzimi? Me këtë shkrim, u drejtohem kryesisht drejtuesve të institucioneve, por edhe kujtdo që i ka mundësitë të ndihmojë sadopak. E ndiej ngarkesën e madhe të secilit, por gjithmonë shpresoj se kohë e mundësi ka, në se ekziston dëshira për të ndihmuar edhe për të bërë punë sa më të dobishme. Probleme ka shumë, sidomos për drejtuesit, por mendimi im është se, nëse do ekzistonte një kryetar bashkie, komune ose administrator, siç quhen tani me ndarjen e re administrative, i cili do të ishte vizionar, qoftë dhe me horizont ekonomik e shoqëror modest, por që të mos shikojë sa po fut në xhepat e vet, por sa do të fusin në xhepat e tyre ata që administron, me siguri se do e arrinte me më pak shpenzime se sa dikush e mendon një gjë të tillë. Kush mund të bëjë llogari se sa shishe me ujë do të shiten, sa kafe mund të pihen, sa porcione ushqimi mund të konsumohen, sa vlera monetare mund të mblidhen gjatë vizitës në objektet arkeologjike e historike, plus përfitimit kulturor që fitojnë fëmijët vendas? E kam trajtuar problemin edhe disa vite më parë, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindem se atje, në Cakran, ekzistojnë mundësi për një turizëm me fitime të mëdha. Në mënyrë që ju të krijoni sadopak përfytyrim, për çfarë po kërkoj, në formë informacioni, po përsërisë disa të dhëna për Cakranin. 

Zona e Cakranit ka peshën dhe vendin e vet në historinë e Mallakastrës, por dhe në atë të Shqipërisë. Është një zonë me popullsi të dendur qysh në kohët më të lashta dhe vazhdon të jetë e tillë. Ka qenë dhe është zona lidhëse midis qyteteve të: Beratit, Tepelenës, Fierit dhe Vlorës. Si e tillë ka përjetuar pushtimet dhe luftërat më të egra të zhvilluara qysh në kohët e vjetra, por që i ka rezistuar vazhdimisht zhdukjes dhe largimit nga vendbanimi. Ka merituar emrin “Zonë Martire”, ku gjurmët e pushtimeve, megjithëse të zhdukura, ekzistojnë dhe mund të shikohen edhe sot, sidomos për periudhat deri në mesjetë. Cakrani i qytetërimeve të hershme, me një vazhdimësi jete për mbi 6000 vjeçare, sot nuk njihet si i tillë, as nga vendasit, e jo më nga institucionet shtetërore, pa diskutuar këtu për turistët vendas e të huaj. Jo vetëm unë, por të gjithë intelektualët cakranjotë, të cilët janë me qindra, do ndjeheshin mirë, në se do të njihej kjo histori e Cakranit, sepse, ajo tregon autoktoninë e banorëve të vjetër, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, tregon etnitetin prehistorik të tyre. 

Pse Cakrani sot, nuk njihet si vendi i kulturës neolitike, i periudhës paraurbane, apo i qytetërimeve në periudha të ndryshme të historisë? 
Kush pengon dhe si duhet rregulluar kjo “padrejtësi”? 
A mundet të ndryshoi kjo situatë? 
Këto dhe shumë pyetje të tilla dalin, por pyetja që nuk do ketë përgjigje është: Kujt i intereson që kjo histori të mos njihet? 

Cila është historia e periudhave të vjetra të Cakranit?
Për të qenë më i qartë për këtë problem, po përsëris më poshtë, disa të dhëna mbi
zbulimet arkeologjike të bëra në shekullin e kaluar, duke u përpjekur të sqaroj çfarë duhet bërë, sa më shpejt, që të ndryshojë kjo situatë. Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar. Në se do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe diçka do të tepronte. Po saktësoi disa të dhëna sipas periudhave:

I. Periudha historike e neolitit:
Në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar. Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Horizonti i parë është në thellësinë 2 – 2.20 m. Dyshemeja ka një sipërfaqe 21 m. katrorë e në mesin e saj ndodhet një vatër me sipërfaqe 2.5 m. katrorë Horizonti i dytë, banesa, u gjet në thellësinë 1.60 m, me sipërfaqe 24 m. katrorë, dyshemeja e bërë me argjilë të ngjeshur e të pjekur. Në mes vatra prej 3 m. katrorë. Në se do të ruheshin këto dy “Gropa”, ashtu si i lanë arkeologët, por edhe të mbuloheshin me thupra degësh nga pemët përreth, ashtu si mendohet jetesa në atë periudhë historike, të vendoseshin aty disa nga veglat e punës që mendohet se janë përdorur në atë kohë, kush nuk donte t’i shikonte? Mendoj, cilido lexues i këtij artikulli! Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri. Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme. Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë. Zbukurimet 

Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guaske, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guaskë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë. Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla. Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë?. Disa nga këto mund të ekspozoheshin edhe në ato gropa – banesa e të ruheshin. Në Cakran sot nuk ka një muzeum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që do i themi më poshtë, apo që nuk do arrijmë t’i përmendim këtu. Kishte dikur një muzeum, ndoshta i politizuar, por që mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që do kryhen. Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti në raportin e mbajtur në Konferencën e 2-të arkeologjike shqiptare, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpiake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit. 

II. Periudha historike e bronzit:
Edhe në këtë periudhë historike, në zonën e Cakranit ka pasur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronzi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronzi, gjë që është një tregues i vazhdimësisë së jetës në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e Korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronzit të vonë e të tjerët të më vonshëm. Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronzi. Shpata e dëmtuar në majë, ku i mungon një pjesë, është ruajtur në gjatësinë 84 cm., është me dorezë në formë briri, ose në trajtë kryqi, me gjatësi 9 cm e të gjerë 2 cm. Doreza dhe kurrizi që përshkon fletën janë ruajtur shumë mirë, kurse fleta ka vende të dëmtuara. Kurrizi i fletës është zbukuruar me tre vija të holla që e përshkojnë atë në tërë gjatësinë. Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronzit të vonë, shek XII para Krishtit. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Fleta ruhet në gjatësinë 8.2 cm dhe e gjerë 6.2 cm. Megjithëse armë prej bronzi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të ri.

III. Periudhat e mëvonshme
Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen nga askush, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin për historinë e kësaj zone. I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka pasur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë. Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të forma gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek. VII para Krishtit Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknikë ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para erës së re. Ndërsa gjendet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës. Qeramika e fazës protoqytetare e këtij vendbanimi zhvillohet në tre faza (nivele), që përkojnë me periudhat e ndërtimit. Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom i Rosh, gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287. Ky vendbanim mendohet se mund të jetë shkatërruar në gjysmën e parë të shek. II p.e.r., që lidhet me luftërat iliro – romake. Në mesjetë ka gjallëruar përsëri, apo ka pasur një zhvillim te tillë që është bërë e njohur dhe jashtë zonës së krahinës duke pasur lidhje deri në Athinë. Kështu del se ky vendbanim ka qenë një qendër e madhe tregtare e shkëmbimi. Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës së pushtetit vendor të Cakranit. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për themelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka pasur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit, por që mund të frekuentohej dhe nga nxënësit e shkollave të zonës. Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak, Plashnik, gjatë pushtimit austro-hungarez të zonës në vitet 1915 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Megjithëse, në kohën e lulëzimit të kooperativës bujqësore të Cakranit, deri afër e përbri këtij qyteti, u arrit të bëhej një rrugë për qerret e tërhequra nga qetë, ku u zbulua dhe u mblodh një thesar monedhash deri mbi 3 mijë copë, por askush nuk mendoi që kjo rrugë të rregullohej që aty të shkonin mjete si makinat. Në vitin 2009, u ndërmor një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, dhe u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike, përsëri, nga pushteti vendor nuk u realizua bërja e rrugës. Më në fund, arriti të hapet rruga për të shkuar deri në majë të malit të Cakranit, dhe kjo qe si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studiuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmime gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna. Qyteti është emërtuar “Gurëzezë”, mbasi në atë faqe mali, janë dy gur të mëdhenj që dalin si gjokset e një nëne e që janë formuar nga rërat bituminoze, pra janë të zinj. Në fakt emri i qytetit nuk dihet. Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka pasur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji. Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan, bri fshatit Cakran. Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qytetet Bragul, Eugen, Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etj. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu. I jam drejtuar para disa vitesh edhe Ministres së Kulturës e Sporteve dhe përgjigja ishte se duhej t’i drejtohesha institucioneve që merren më këtë problem dhe për muzeumin me Bashkinë Fier. Me sa kuptova që Ministria nuk paska drejtori që merren me këto probleme dhe se bashkia qenka e pavarur për çështjet kulturore?? Por rëndësi duhet t`i kushtohet rregullimit të asaj rruge që të shpie në Gurëzezë. Ajo duhet zgjeruar, shtruar me çakëll, mundësisht dhe me rërë bituminoze. 
Sigal