Muharrem Xhafa: “10 Korriku, një datë historike e lavdishme”

    INTERVISTA/ Muharrem Xhafa, Sekretari i Parë i PPSH-së flet për 70-vjetorin e Krijimit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare

    Çfarë përfaqëson 10 Korriku i vitit 1943?

    NOA

    10 Korriku i vitit 1943 përfaqëson njërën prej datave më të shënuara të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, është dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, është dita që shënon themelimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe siç, u quajt ajo pas çlirimit, edhe të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë.   

           -Kush e ndërmori nismën për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare?

           -Pa dyshim, e ndërmori KQ i PKSH-së. Propozimin e tij e shqyrtoi Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili, më 4 korrik 1943, në Labinot të Elbasanit, zgjodhi Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Shpalljen e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e bëri më 10 Korrik 1943, me anë të një Proklamate të posaçme, ku theksohej se kjo ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për popullin shqiptar.

           -Nga kush përbëhej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare?

           -Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare përbëhej nga 12 anëtarë, ndër të cilët Enver Hoxha, Myslym Peza, Spiro Mojsiu, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku e të tjerë. Komandant i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh Spiro Moisiu dhe Komisar Politik i tij Enver Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së. Komandanti dhe Komisari i Shtabit të Përgjithshëm përbënin Komandën eprore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

           Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe organizimi prej tij i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare bënë të mundur drejtimin e centralizuar të saj dhe udhëheqjen e sigurt të Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur, e cila kishte filluar zbatimin në shkallë më të gjërë e më të thellë të parimeve dhe të rregullave të Luftës Popullore.

           Në vijim të Luftës, për përsosjen e mëtejshme të ndërtimit organizativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe për njësimin e udhëheqjes së lartë të saj, më 24 maj 1944, në Kongresin e Përmetit u vendos që të krijohej Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare me Komandant të Përgjithshëm, Enver Hoxhën.

           -Po, a nuk ka pasur Shqipëria ushtri para 10 Korrikut?

           -Kjo gjë nuk është thënë asnjëherë nga ana jonë. Këtu duhet të kuptohen drejtë dy gjëra : E para : Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare u krijua gjatë LANC-it nën udhëheqjen e PKSH-së me Enver Hoxhën në krye, e cila ishte një ushtri e re, popullore dhe s’kishte asnjë lidhje vazhdimësie me ushtritë e vjetra. E dyta: pasardhëse e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare ishte, pas çlirimit, Ushtria Popullore e Shqipërisë.

           Qeveria e Ismail Qemalit, për shembull, organizoi ushtrinë e saj. Po kështu edhe qeveria e Sulejman Delvinës. Dhe më pas ka pasur ushtri. Zogu, pasi erdhi në fuqi, organizoi një ushtri të tij  mercenare. Pasi e shpalli veten mbret, më 1928, me ndihmën e Italisë fashiste ai projektoi dhe filloi të organizonte një ushtri të rregullt, por me karakter shtypës dhe reaksionar, që mbeti gjithnjë një ushtri parade dhe parazite, e cila u shthur sapo qeveria zogiste kapitulloi para agresionit fashist, më 7 prill 1939. Pra, këto nuk ishin ushtri në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse ishin jo vetëm të paorganizuara mirë, po, për më tepër, nuk ishin ushtri popullore.

           -A mund të bëni një krahasim midis Ushtrisë Popullore të Shqipërisë në socializëm dhe Ushtrisë Shqiptare sot?

           –Sot nuk ka ushtri!

           -PPSh-së, a organizon veprimtari në kujtim të 10 Korrikut?

           –Mund t’ju them se jo vetëm komunistët, po edhe veteranët, edhe njerëz të thjeshtë të popullit i respektojnë dhe bëjnë homazhe për ngjarjet e LANÇ-it dhe po kështu edhe të ndërtimit të socializmit. Më vjen mirë që gazeta juaj e nderuar nuk harron të bëjë një gjë të tillë.

           -Sa kemi vënë re, në veprimtaritë e LANÇ-it nuk  përmendet emri i Enver Hoxhës! Përse kështu?

           –Shiko, nuk e përmendin bashibozukët dhe sahanlëpirësit e sotëm. Se populli ia këndon këngën Komandantit të vet në çdo tryezë gëzimi, madje edhe atëherë, kur belbëzojnë me veten nga hallet që i kanë zënë. Enver Hoxhën e kanë frikë edhe sot borgjezët e pasur, ata që e kanë vënë pasurinë e tyre duke grabitur popullin.