(Rrëfenjë e moçme)
Në kohërat e luftërave të gjata midis turkut dhe arbrit, ndodhte herë-herë të kish edhe çaste bunace, qetësie. Armiku i thyer hiqej tutje, sprapsej ndër kështjella. Arbrit merrnin pak frymë, kapnin parmendën për të punuar tokën, çekanin e mistrinë për të ndrequr ato që kish prishur lufta, dilnin për gjah maleve, punonin e vigjilonin, gjuanin e ruanin, sepse këto s’ishin çaste paqeje të vërtetë. Përtej kufijve dhe brenda fortesave turku mbante një ushtri të posaçme kalorëse, që e hidhte papritur në Arbëri për të vrarë e djegur, për të prishur e shkatërruar, për t’i thyer qëndresën arbrit. Kjo ishte ushtria e akinxhinjve, e atyre kalorësve të hurit e të litarit, më gjakatarë sesa ujqit e maleve. Dëgjoni ç’ thotë një këngë e hidhur arbërie, e thurur për një ngjarje po aq të hidhur, të ndodhur aso re në tokën e Arbërisë… Burri s’ishte në shtëpi. E shoqja, e re, kishte mbetur vetëm: punonte, gatuante, priste të kthehej i shoqi. Papritur erdhi një turk kaluar dhe u përpoq ta rrëmbejë e ta shpjerë në vendin e tij. Mirëpo arbëresha shpëtoi dhe mori malet. Turkut i hipën djajtë në kokë, e ndoqi mal më mal, ai kaluar, ajo më këmbë… E arriti tek mali i tretë. Gruaja ishte kapitur, kishte rënë përdhe. Turku i zbriti kalit, e hoqi gruan zvarrë, e lidhi pas bishtit të kalit. Pastaj i hipi prapë kalit, e ngau me shporet fort e më fort. Grykat e përrenjtë gjëmuan nga dënesat e nuses së zvarritur ferrave e gjembave, gurëve e gërxheve… Atje, tej përrenjve, kishin zënë pritë e prisnin kaprollin katër gjahtarë arbër. Ishin Kostë Mortali e Ndre Turjela, Jan Frashini e Nik Peta.
…
për më tepër lexoni Gazetën Telegraf



















