Sipas vendimit, licencat do të jepen përmes një procedure konkurruese me një fazë, ku subjektet aplikojnë duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Numri i licencave në nivel kombëtar do të jetë i kufizuar, me një tavan maksimal prej 10 operatorësh që mund të ushtrojnë aktivitetin.
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton kriteret, procedurat dhe metodologjinë e pikëzimit për dhënien e licencave për bastet sportive online. Sipas vendimit, licencat do të jepen përmes një procedure konkurruese me një fazë, ku subjektet aplikojnë duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Numri i licencave në nivel kombëtar do të jetë i kufizuar, me një tavan maksimal prej 10 operatorësh që mund të ushtrojnë aktivitetin.
Si do të vlerësohen operatorët
Vendimi parashikon një sistem pikëzimi me total 100 pikë, ku pesha kryesore i jepet ofertës ekonomike dhe përvojës në treg. Konkretisht:
- 30 pikë për ofertën ekonomike (tarifa e licencimit),
- 30 pikë për përvojën në fushën e lojërave të fatit,
- 20 pikë për kapacitetet organizative dhe administrative,
- 15 pikë për kapacitetet teknologjike dhe sistemet software,
- 5 pikë për planin e biznesit.
Subjekti që merr më shumë pikë renditet i pari dhe shpallet fitues, ndërsa në rast barazimi parashikohet hedhja e shortit.
Kush mund të aplikojë dhe si zhvillohet procedura
Aplikimet lejohen vetëm për shoqëri aksionare, ndërsa subjektet duhet të paguajnë një tarifë aplikimi prej 500 mijë lekësh, e pakthyeshme. Dosja duhet të dorëzohet brenda 45 ditëve nga shpallja e garës dhe të përmbajë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe teknik.
Procesi i përzgjedhjes administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisioni i Licencave, të cilët verifikojnë dokumentacionin, vlerësojnë aplikimet dhe hartojnë renditjen përfundimtare.
Transparencë, ankesa dhe garanci financiare
Projektvendimi parashikon publikimin e plotë të procedurës dhe rezultateve, si dhe të drejtën e ankimit nga subjektet pjesëmarrëse brenda 10 ditëve nga shpallja e fituesit. Ankesa shqyrtohet nga ministri i Financave përmes një komisioni të posaçëm.
Licenca jepet vetëm pasi subjekti fitues të plotësojë edhe kriterin e fondit të garancisë, ndërsa çdo hap i procedurës duhet të dokumentohet dhe të jetë i monitorueshëm.
Fokus te kontrolli dhe standardet teknologjike
Vendimi vë theksin mbi sigurinë teknologjike dhe integrimin me sistemet e monitorimit, përfshirë kërkesat për mbrojtjen e të dhënave, sigurinë kibernetike dhe aksesin në kohë reale për autoritetet mbikëqyrëse.
Autoriteti organizues dhe rregullat e procedurës konkurruese
Me anë të procedurës konkurruese bëhet përzgjedhja e subjektit/ve për dhënien e licencës për lejimin e organizimit të basteve sportive on-line, të cilat janë të kufizuara në numër në rang kombëtar, jo më shumë se 10 ( dhjetë), në të cilën ka të drejtë të konkurrojë çdo subjekt i interesuar që plotëson kriteret e parashikuara në nenin 22, të ligjit nr.155/2015, dhe paraqet ofertën më të favorshme.
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), Komisioni i Licencave i ngritur në bazë të nenit 17/1, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe sekretariati teknik pranë tij organizojnë procedurat konkurruese dhe vlerësuese sipas detyrave përkatëse, të përcaktuara në ligj dhe në këtë vendim.
Hapja e aplikimeve
Hapja e aplikimeve kryhet nga Komisioni i Licencave me asistencën e sekretariati teknik njëkohësisht për të gjithë aplikantët, në datën, vendin dhe orën e përcaktuar për hapjen e aplikimeve të tyre në njoftimin për konkurrim. Procesi i hapjes së aplikimeve duhet të monitorohet në mënyrë të pandërprerë me kamera dhe audio. Aplikantët ose përfaqësuesit e tyre të autorizuar kanë të drejtën të marrin pjesë në hapjen e aplikimeve.
Për çdo aplikim të dorëzuar, lexohet emri dhe adresa e aplikantit, titujt e dokumenteve të paraqitura, numri i plotë i faqeve të tyre, si edhe vlera e ofertës ekonomike. Të gjitha këto të dhëna pasqyrohen në procesverbalin e hapjes së aplikimeve.
Procesvervali i hapjes së aplikimeve hartohet dhe nënshkruhet nga Komisioni i Licencave dhe sekretariati teknik. Aplikantëve, propozimet e të cilëve janë hapur, ose përfaqësuesve të tyre të pranishëm do t”u kërkohet të nënshkruajnë procesverbalin e hapjes së aplikimeve. Mungesa e nënshkrimit të aplikantëve në procesverbal nuk cenon vlefshmërinë e procesverbalit.Procedura konkurruese për dhënien e licencës do të vijojë edhe nëse është dorëzuar vetëm një aplikim.
Përgatitja e aplikimeve dhe udhëzimet për subjektet aplikuese
Aplikimet paraqiten vetëm nga persona juridikë të regjistruar si shoqëri aksionare. Në rast të aplikimit të paraqitur nga një bashkim personash juridikë, aplikimi duhet të shoqërohet me prokurën/autorizimin me shkrim për personat e autorizuar, që do të përfaqësojnë bashkimin gjatë procedurës së konkurrimit.Aplikanti ka detyrimin ligjor të paguajë një tarifë aplikimi për aplikimin e tij në vlerën 500000 (pesëqind mijë) lekë në favor të AMLF-së, tarifë e cila nuk kthehet pavarësisht aplikimit të suksesshëm ose jo të subjektit aplikues. Pagesa e tarifës së aplikimit kryhet në llogarinë e AMLF-së, e përcaktuar në njoftimin e procedurës konkurruese nga llogaria e subjektit aplikues apo anëtarit të autorizuar nëse subjekti aplikues është bashkim personash juridikë.





















