Miratohet ligji për legalizimet pas 2009, opozita: Të kufizohet sipërfaqja për ndërtim

572
Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin i cili i hap rrugë legalizimit të banesave pas vitit 2009.Opozita ngriti disa shqetësime në lidhje me sipërfaqen e parashikuar për legalizim. Sipas Oerd Bylykbashit sipërfaqja duhet të kufizohet, pasi lë hapësira për abuzime.Komisioni miratoi një shtesë në strukturë edhe për ILDKPKI. Deputeti Bashkim Fino deklaroi se tashmë në Shqipëri po veprohet me dy standarte përsa i përket mënyrës së miratimit të strukturës.
Tiranë- Miratohet ligji i cili i jep të drejtë qytetarëve të legalizojnë banesat e ndërtuara pa leje pas 2009.
Ligji ka kaluar vetëm me votat e maxhorancës, ndërkohë që opozita ngriti një sërë shqetësimesh.
Oerd Bylykbashi kërkoi që të kufizohet sipërfaqja e përdorur për ndërtim, pasi kjo lë hapësira për abuzim duke i dhënë mundësi legalizimi edhe objekteve që nuk janë ndërtesa.
Oerd Bylykbashi: “Pse mos të ketë kufizim dhe ky, pse mos ta mbrojmë maksimalisht pronën. Pse vetëm pse dikush ndërtoi, për çfarë, jo për hall, jo për të banuar, por ndërtoi në mënyrë të paligjshme madje edhe në tokë shteti, apo privati, këtij ti njihet e drejta dhe ta trefishojë sipërfaqen që ka zënë, bazë X 3”.
Kreu i Aluizni-t deklaroi se në këtë ligj do të përdoret e njëjta sipërfaqe që është përdorur edhe më parë.
Artan Lame: “Shtëpi banimi mbi 200 metra nuk ka, flas mbi bazën e statistikave, ka bejlerë sot, ka pasanikë sot që kanë edhe shtëpi 1000 metra, por shtëpia e banimit tipike në një zonjë informale është 100-200 metra. I themi të japë deri në 3-fishin e bazës, por nuk mund të kalosh 500 metra”.
Komisioni diskutoi edhe një shtesë të strukturës së ILDKPKI.Deputeti Bashkim Fino kërkoi që të gjendet një zgjidhje, pasi nuk mund të veprohet me dy standarte.
Bashkim Fino: “Ne duhet të vendosim një standart të njëjtë për të gjitha institucionet që varen nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të ketë dy standarde. Disa institucione e miratojnë vetë strukturën dhe disave ua miratojmë ne si Kuvend”.
Pas vitit 2009 përllogariten rreth 60 mijë objekte të ndërtuara.
Sigal