Ministrja Shahini publikon sondazhin për mësimin online

507
Sigal

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë i mbylli të gjitha institucionet arsimore që nga data 9 mars 2020, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit dhe për të mbrojtur shëndetin e të gjithë qytetarëve. Fillimisht institucionet arsimore u mbyllën për një periudhë dyjavore, pastaj kjo periudhë u shty edhe me dy javë shtesë.

Në momentin e shkrimit të këtij teksti, nuk dihet ende nëse shkollat do të hapen me 6 prill 2020 apo do të qëndrojnë të mbyllura për periudhë më të gjatë kohore. Këtë të dielë ministrja Besa Shahini ka publikuar sondazhin për mësimin online, ku kanë dhënë mendimin e tyre mbi 320 mijë nxënës, mësues dhe prindër.

Sipas sondazhit, mësimet e transmetuara në programin televiziv “RTSH Shkolla” ndiqen nga pjesa më e madhe e nxënësve, prindërve dhe mësuesve: 84.1% e nxënësve, 85% e prindërve dhe 96.5% e mësuesve. Ata që nuk kanë arritur të shohin transmetimet, i aksesojnë videot te kanali Youtube i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë 54.2% e nxënësve apo edhe tek platforma akademi.al 64.2% e nxënësve.

Rreth 86.4% e nxënësve shprehen se janë dakord dhe shumë dakord për të marrë mësimet përmes komunikimit online dhe 90.2% e prindërve shprehen dakord dhe shumë dakord që janë pjesë e grupeve të komunikimit online me mësuesit.