Ministrja Evis Kushi për barazinë gjinore: Sa më të përfshira të jenë gratë e vajzat në jetën politike, ekonomike dhe sociale, aq më e shëndetshme bëhet shoqëria

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe Kreu i Prezencës së OSBE në Tiranë, Ambasadori Vicenzo Del Monaco kanë zhvilluar një aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave në shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë, sipas formatit hibrid – fizik dhe “online” me nxënës e mësues të ndryshëm.

I gjithë aktiviteti është konceptuar në formën e një bashkëbisedimi ku është diskutuar rreth temës së barazisë gjinore dhe të drejtat e grave dhe vajzave.

NOA

“E falenderova ambasadorin për mbështetjen që ka dhënë dhe vijon të japë në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe nënvizova angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të bërë më të mirën në këtë aspekt” – shprehet Ministrja Kushi në publikimin e saj.

Ndërkohë, ajo nënvizon edhe rëndësinë e përfshirjes së grave e vajzave në jetën aktive të shoqërisë dhe cilëson angazhimin rreth projektit të “Edukimit Feminist”:

“Sa më të përfshira të jenë gratë e vajzat në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit, aq më e shëndetshme bëhet edhe shoqëria jonë. Prandaj, jemi të angazhuar të punojmë maksimalisht për zbatimin e projektit të ‘Edukimit Feminist’ në shkollat tona, si një element me vlerë që ndihmon në kultivimin e një shoqërie të emancipuar”.