Ministri Mete: Parashikojmë rritje ekonomike prej 3.8% për vitin 2024

220
Sigal

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, ka prezantuar projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024” në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Gjatë fjalës së tij, Mete është shprehur se Ministria e Ekonomisë dhe Financave parashikon se vendi do të ketë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm.

Fjala e plotë e Ministrit Mete në komisionin për Ekonominë dhe Financat- Prezantimi i projektbuxhetit të vitit 2024 dhe Paketës Fiskale

I nderuar kryetar i komisionit,

Të nderuar deputetë,

Së pari shpreh falënderimin për dhënien e mundësisë të prezantimit të projektbuxhetit, edhe pse në kushte të pazakonta.

Projektbuxheti i vitit 2024, për të cilin nisëm prezantimin sot, synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqënies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Projektbuxheti 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e mëtejshme të borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale.

Ekonomia jonë shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit,siç e konfirmoi së fundmi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive.

Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që kanë rishikuar parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2023.

Sa i përket perspektivës ekonomike, për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje prej 3.8% dhe një rritje mesatare vjetore prej 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Edhe agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në positive, pas gati shtatë vitesh, çka është një tregues i trendit pozitiv të ekonomisë shqiptare.

Siç fundmi, siç jeni në dijeni, morëm edhe lajmin e mirë të daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF/MONEYVAL (Task Forcës për Veprim Financiar), i cili është reflektim i zbatimit të rekomandimeve dhe ka një sërë ndikimesh pozitive, qoftë sa i përket klimës së biznesit, investimeve, si edhe lehtësimit të kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.

Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur dhe nga rritja e kërkesës së brendshme.

Ekuilibri i jashtëm në terma të llogarisë korrente është përmirësuar, falë turizmit dhe nivelit të lartë të investimeve të huaja direkte. Për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja arritën në rreth 700 milionë euro ose 7.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Sa i përket turizmit, të dhënat e fundit për numrin e vizitorëve të huaj për janar-shtator 2023 janë shumë pozitive, me rreth 8.3 milionë vizitorë të huaj, 29% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë, sektori financiar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike.

Sa i takon inflacionit, ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar nga një vit më parë.

Të ardhurat buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për periudhën 2024-2026 parashikohen të jenë mesatarisht 27.8% e PBB.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Gjithashtu, financohet indeksimi i pensioneve për një shifër totale në dy vitet e fundit prej 25 miliardë lekësh, shifër që do të jetë e qëndrueshme në financimin e indeksimit dhe në vitet në vijim. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin.

Ambicja e qeverisë, e shprehur në projektbuxhet, është që këtë qëndrueshmëri dhe moment pozitiv të ekonomisë ta përkthejmë në mirëqënie për qytetarët, duke synuar të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon. Gjithashtu, turizmi është një sektor që mbështetet nga projektbuxheti, me synimin që Shqipëria të kthehet në një nga destinacionet kryesore të turizmit në rajon.

Krahasuar me vitin 2023, të ardhurat tatimore programohen të rriten me 47 miliardë lekë, rritje e cila krahasuar me vitin e kaluar rezulton në 8.25%.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin te mirëadministrimi.

Në këtë aspekt, do të punohet së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me synim që të kemi një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë.

Ju informoj se nuk është propozuar vendosja e TVSH-së në sektorin e arsimit, shëndetësisë apo shërbimet financiare, që ka qënë një ndër diskutimet vijuese me FMN-në.

Një ndër masat kufizuese ,e cila është gjykuar e nevojshme nga Mistria e Financave dhe Ekonomisë, ka qënë vendosja e kufirit të sipërm sa i përket indeksimit të akcizës. Më ligjin e miratuar në dhjetor të vitit 2021, kërkohej indeksimi i akcizës çdo dy vjet bazuar në normën kumulative të inflacionit. Por, duke pasur parasysh nivelin e pazakontë të inflacionit në dy vitet e kaluara, kemi vlerësuar që të vendoset një kufi maksimal prej 1.5 % për çdo dy vjet në rritjen e akcizës, pasi nëse nuk do të vendosej ky kufizim, akciza do të duhej të indeksohej me 11.4%, çka do të impaktonte në rritjen e çmimeve.

Një nismë tjetër që propozohet lidhet me dekarbonizimin, në linjë dhe me politikat e gjelbra në Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian parashikon taksimin e importeve drejt vendeve të BE nga shtete që nuk aplikojnë ose aplikojnë një taksë të ulët karboni në tregun e tyre të brendshëm, krahasuar me nivelet e taksimit në BE. Pra, nëse nuk taksohet në tregun e brendshëm, mallrat që do të eksportohen nga vendet e rajonit dhe do të importohen në BE, do të duhet të taksohen me diferencën e nivelit të taksimit. Kufiri miminal i taksës së karbonit mbi qymyrin duhet të jetë të paktën 15.3 lek/kg, nga 3 lekë që ne e kemi aktualisht. Në këto kushte, është e nevojshme të merren masa për përafrimin e legjislacionit, por ngarkesa fiskale të mos jetë e menjëhershme. Prandaj kemi propozuar një programim të rritjes të shtrirë në 5 vite, duke filluar me një rritje prej vetëm 0.5 lek në vitin e parë.

Paketa ka parashikuar gjithashtu një sërë masash sa i përket procedurave tatimore, ku janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri, si dhe sqarohen një sërë procedurash që lidhen me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, që të ketë mirëadministrim në këtë fushë.

Një nga elementët që mund të theksohet është stimulimi i sektorit bujqësor dhe blegtoral, ku janë parashikuar disa përjashtime nga TVSH-ja në importin e gjedhëve, bletëve dhe insekteve që përdoren në bujqësinë bio, me synim nxitjen e rritjes së numrit të krerëve, zgjerimin e sektorit të bletarisë dhe përdorimin e metodave të mbrojtjes së prodhimeve, duke shmangur përdorimin e pesticideve.

Në krahun e Shpenzimeve, në projektbuxhetin e vitit 2024 janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023.

Siç u përmend, shpenzimet buxhetore për vitin 2024 mbështesin politikën e rritjes së pagave në administratën publike qëndrore e vendore dhe shpenzimet e personelit, që akomodojnë këtë reformë, për vitin 2024 janë programuar në masën 119.7 miliardë lekë ose 4.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, mbi 1 miliardë euro do të shpenzojmë vitin tjetër për shpenzime personeli.

Njëkohësisht, ky projektbuxhet financon një vëllim të konsiderueshëm investimesh publike me 5.3% të PBB, ose 128.5 miliardë lekë, në linjë edhe me strategjitë sektoriale të zhvillimit, ku përfshihet dhe fondi i rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes parashikohen në masën 63.2 miliardë lekë, ku prioritae janë: skema e mbështetjes së fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, zhvillimi i turizmit dhe mbështetja për arsimin e sportin.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë, ku do të fokusohen te Skema e Garancisë Rinore, e cila në bashkëfinancim me Bashkimin Europian synon të sigurojë një ofertë cilësore punësimi për të rinjtë e moshës 16-29 vjeç, të regjistruar si punëkërkues të papunë.

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshijnë Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën 249 miliardë lekë ose 10.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.

Në Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, parashikohet një shpenzim prej 178 miliardë lekë ose 7.3% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe, krahas indeksimit të pensioneve, është parashikuar edhe bonusi i fundvitit, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 717,370 pensionistë.

Për sa i përket shpenzimeve të Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ato parashikohen në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e Produktit të Brendshëm Bruto.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve parashikohet në masën 5 miliardë lekë.

Në zërin e Shpenzimeve të tjera sociale vlejnë të përmenden:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë.
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekë.
  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë.

Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024 janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje të konsiderueshme prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024 zënë 3% të PBB-së, ku një pjesë e rëndësishme është granti i qeverisjes qëndrore në masën 36.5 miliardë lekë.

Gjithashtu, përtej këtyre niveleve, është parashikuar edhe një fond në Ministrinë e Mbrojtjes, por në portofolin e buxhetit vendor, si transfertë e kushtëzuar për emergjencat civile, ku një pjesë e tyre shkon edhe për sigurinë e digave të ujëmbledhësve.

Për të kaluar te sektorët prioritarë:

Në Arsim, shpenzimet buxhetore parashikohen të rriten në vlerë nominale në masën 78 miliardë lekë dhe në raport me Produktin e Brendshëm të qëndrojnë edhe në afatmesëm mbi 3% të PBB-së.

Përveç rritjes së pagave për mësuesit në vitin 2024, në këtë sektor do të financohen me përparësi:

  • Ofrimi i një shërbimi arsimor cilësor për nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar duke siguruar ndër të tjera: tekste shkollore falas, bursa apo kuota ushqimore për nxënës me nevoja të veçanta, si dhe transport për nxënës dhe mësues që mësojnë dhe punojnë larg vendbanimit të tyre;
  • Rritja e fondeve grant për Institucionet e Arsimit të Lartë Publik duke mbështetur ngritjen e infrastrukturës universitare si dhe mbështetjen e studentëve që ndjekin degët në programet prioritare dhe studentëve ekselentë.

 

Sektori i Shëndetësisë financohet rreth 72 miliardë lekë në vitin 2024 dhe gjithashtu do të qëndrojë mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2024-2026, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, do të financohen me prioritet edhe:

  • financimi i shërbimeve shëndetësore parësore e spitalore;
  • rritja e kosto-efektivitetit të listës së barnave dhe pajisjeve të rimbursueshme, ku për vitin 2024 parashikohet që trajtimin me recetë rimbursimi të barnave do të përfitojnë rreth 400 mijë pacientë me kosto në total prej 12 miliardë lekë;

Në fushën e turizmit synohet diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë nëpërmjet:

  • zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimit të imazhit të vendit;
  • sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare, nëpërmjet ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë gjithë sezonit turistik, duke e shtrirë në të gjithë vijën bregdetare;
  • mbështetjen e projekteve të rëndësishme në transport, në vijën bregdetare, por edhe në ndërlidhjen rajonale.

Në fushën e kulturës synohet :

  • Rritja e aksesit në kulturë, e cila parashikon një rritje të vazhdueshme të numrit dhe cilësisë së aktiviteteve;
  • Restaurimi dhe mirëmbajtja e trashëgimisë arkitektonike dhe të peisazhit;
  • Ndërtimi dhe rikonstruksioni i një sërë objektesh, ku veçohen restaurimi dhe rehabilitimi i hapësirave në Muzeun e Arteve të Bukura; Ndërtimi i Qendrës Kombëtare Kulturore, e kështu me radhë;

Sektori i bujqësisë financohet në masën 14.2 miliardë lekë, duke synuar:

  • Përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe industrisë agro-ushqimore si dhe nxitjen e shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në zonat rurale;
  • Rritjen e numrit të përfituesve nga Skema e Subvencionit të naftës për bujqësinë nga 31.000 përfitues në vitin 2023 në 32.500 përfitues në vitin 2024;
  • Shtimin e numrit të përfituesve nga masat mbështetëse në bujqësi nga 7.000 përfitues në vitin 2023 në 13.900 përfitues në vitin 2024, me një fond total për këtë të fundit prej 2.1 miliardë lekë;

fushën e mbrojtjes sociale, për shtresat në nevojë është planifikuar një fond prej 26.2 miliardë lekë dhe parashikohet të vijojë zbatimi i reformës së programit të përkujdesit social në tre shtyllat kryesore të tij: Ndihma Ekonomike, Aftësia e Kufizuar dhe Shërbimet Sociale. Më konkretisht synohet:

  • Numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 64,000 përfitues;
  • Nga pagesat e paaftësisë dhe kujdestarisë financohen nga projektbuxheti 2024 rreth 161,000 mijë përfitues, me një vlerë prej rreth 18 miliardë lekë.
  • Vijon mbështetja për përfitimin e shërbimeve sociale të financuara nga fondi social, me një vlerë prej 320 milionë lekë.

Në fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë është planifikuar një buxhet prej 52.7 miliardë lekë ose 2.2% e PPB-së. Prioritetet për periudhën afatmesme do të jenë:

  • Zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare kombëtare, rehabilitimit të sistemimit të rrugëve kombëtare dhe kalimit në praktikat e mirëmbajtjes së rrugëve bazuar në performancë.
  • Zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve përmes një portofoli të investimeve publike, si edhe përmirësimit të menaxhimit të shoqërive aksionere të ujësjellës kanalizimeve.
  • Rikonstruksioni i Linjës Hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re Tiranë-Rinas. Në vitin 2024 starton projekti i ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, me financim të huaj.

Për fushën e drejtësisë alokohen në projektbuxhetin e vitit 2024 fonde në masën 14.7 miliardë lekë duke pasur në funksion përparësi kryesore që lidhen me reformën në drejtësi.

Në fushën e rendit dhe sigurisë publike është planifikuar për vitin 2024 një buxhet prej 25.9 miliardë lekë.

Për sektorin e Mbrojtjes, për herë të parë arrihet objektivi lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Ky buxhet do të financojë modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje ushtarake dhe vijimin e rritjes së nivelit të pagave për personelin ushtarak.

Për të kaluar në elementët e tjerë të projektbuxhetit,

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2024 planifikohet në masën 2.5 miliardë lekë, për të përballuar emergjenca të mundshme apo ngjarje të paparashikuara.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 2.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë edhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekë kontigjence për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit.

Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB. Balanca primare, në raport edhe me rregullin e ri fiskal në Ligjin Organik të Buxhetit, parashikohet 0.2%, me një përmirësim nga niveli neutral që pritet në fund të vitit 2023.

Duke ndjekur këto rregulla fiskalë, pritet që të kemi një zbritje të borxhit në vitin e ardhshëm nën nivelin 60%, çka ndodh për herë të parë që prej vitit 2011. Kjo na pozicion ne në grupin e vendeve me financa publike më të forta.

Në përmbyllje, ritheksoj se projektbuxheti 2024 i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë, duke mbështetur më tej rritjen ekonomike dhe, në të njëjtën kohë vijon, konsolidimin fiskal dhe forcimin e financave publike, duke financuar ndjeshëm reformën e rritjes së pagave.

Shumë faliminderit!