Ministri Gjiknuri krijon “SHIK” në ministri, për të zbuluar informatorët e gazetës “Telegraf”

558
Sigal

Çdo ditë, në formë “dezhurni”, një prej 3 agjentëve të “SHIK-GJIKNURI”, vëzhgon hyrje-daljet në zyrat e redaksisë

Mbase nuk është për t’u çuditur, por është për të venë “duart në kokë” e siç thotë populli, “për të ikur natën” nga ky vend, ku përditë përballesh me ato që ndodhin edhe në zyrat e shtetit, që ka krijuar e na ka lënë “në qafë” këtë tranzicion barbar e të qelbët, që ka nisur 24 vite më parë dhe që me këtë politikë mjerane e të ndyrë deri në krim e pashpirtësi, nuk dihet se kur do të bitiset. Mund të presësh gjithçka në një vend, ku shteti nuk mungon, por vepron si bandë, në një vend ku qeveria përpëlitet si një “zvarranik” i plagosur nën “thundrën” dhe shpërfilljen e anarkisë e abuzimeve, deri kriminale të institucioneve kushtetuese. Skandali dhe turpi, me të cilin u përballa dje, mund të quhet i “vogël”, por që tregon degjenerimin institucional e të figurës së qeveritarit shqiptar, konkretisht të njërit prej ministrave të “Rilindjes”. E kam fjalën për atë ministrin, që ka emëruar drejtorë e shefa “sekserët” dhe miqtë e tij në CEZ, në qendër e në rrethe, në Burimet Natyrore Minerare, në stacionet elektrike, në hidrocentrale, hidrokarbure, ERE, OST, KESH, borde e kudo. E kam fjalën, për atë ministrin “bukurosh” që flet si “filozof tangërlliks”, i cili është kthyer në “avokat” i koncesioneve të pista në energji, miniera e hidrokarbure, të cilat prej 1 viti, jo vetëm nuk po i anulon sipas ligjit siç ka deklaruar, por po lejon të vazhdojnë aktivitetin, duke bërë “orgji” darkash e drekash “mbretërore” me bosët e tyre mafiozë. E kam fjalën, për atë ministrin me kostume nga 10 mijë dollarësh, i cili po bën pazare të pista mafioze për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për t’ua shitur shqiptarëve 1 kilovatë energji elektrike 5 herë më shtrenjtë se në Kroaci, Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Maqedoni e madje në Serbi dhe Bosnjë. Çfarë ka ndodhur me këtë ministër? Dje, shkova në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, të interesohesha lidhur me skandalin e koncesioneve të nxjerrjes dhe tregut të kromit. Në hyrje të ministrisë, u përballa më një zyrtar të ministrisë, të cilin e njihja prej vitesh. E përshëndeta dhe iu afrova ta takoja. Ai kafshoi buzën, më bëri me shenjë të takoheshim larg ministrisë. U takuam.

– Ç’ne që më takon sikur je në “ilegalitet”?! – e pyeta me habi.

Më tha: – Ma bëj hallall, por nuk mund të takoja dot përpara ministrisë, mbasi ministri (Gjiknuri) ka caktuar 3 persona nga administrata, për të survejuar dhe zbuluar, se cilët takohen me gazetarët e “Telegraf” dhe se cilët nga ministria nxjerrin dhe i japin lajmet për gazetën tuaj. Vetëm për këtë punë paguhen ata.

E pyeta: – Po si paguhen këta “agjentë”?

Më tha: – Këta janë punonjës të drejtorive dhe paguhen si specialistë në ministri, por ka dalë fjala, që janë caktuar nga ministri për të zbuluar se cilët nga zyrtarët furnizon me lajme gazetën “Telegraf”.

Më tej, i njohuri im, më shpjegoi gjithë skemën e “SHIK-ut” që ka ngritur dhe ka hedhur në veprim ministri Damian Gjiknuri, për të zbuluar dhe kapur “spiunët” që informojnë gazetën “Telegraf” për shkeljet që bën ministri dhe “sekserët” e tij brenda ministrisë. Sipas informacionit, prej 5 muajsh, ministri Gjiknuri, i “shqetësuar” prej publikimit të skandaleve të tij në gjithçka ligjore e ekonomike që “lëviz” në këtë dikaster, ka ngritur një strukturë “SHIK-u” brenda ministrisë. Si “agjentë” ka ngarkuar 3 zyrtarë të besuar të tij, për të përgjuar dhe zbuluar se cilët prej nëpunësve të ministrisë kontaktojnë fizikisht, apo elektronikisht me gazetën “Telegraf”. Këta 3 “agjentë” kanë “piketuar” një grup zyrtarësh të “dyshimtë”, të cilët mendohen se janë “spiunë” dhe prej kohësh po i mbajnë nën kontroll të rreptë, duke i provokuar, survejuar gjatë punës në postën elektronike, gjatë bisedave telefonike, në kafe gjatë bisedave të lira etj.. Çdo ditë, në formë “dezhurni”, një prej 3 agjentëve të “SHIK-GJIKNURI”, sipas një grafiku të gjetur me mirëkuptim, ata vëzhgojnë edhe hyrje-daljet në zyrat e gazetës “Telegraf”, sidomos mbasditeve, të pozicionuar nëpër “frëngji”. Le të lodhen, se fundja për atë punë paguhen. Ajo që duhet të fiksoj në mendje ministri Gjiknuri, është se dalja e skandaleve nuk frenohet me përgjime e presione, për më tepër që në rastin konkret, skandalet “Gjiknuri”, që zbulon dhe publikon gazeta “Telegraf”, nuk e kanë burimin poshtë tek “moçali” ku ai gatuan skandalet, por nga diku tjetër…

 Përparim HALILI