Minatorët e Kalimashit: Të ndërhyrje shteti, ose të hënën në grevë urie me fëmijët

551
Punonjësit e minierës së Kalimashit në Kukës, kanë paralajmëruar futjen në grevë urie bashkë më fëmijët e tyre nëse institucionet shtetërore nuk ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit të tyre, që konsiston në pagat e pamarra për punën e bërë prej disa muajsh.
Pas një takimi që minatorët kanë patur me prefektin e qarkut të Kukësit, Liman Morina, ata kanë theksuar se e hëna, si dita e parë e shkollës për nxënësit, nuk do të jetë e njëjtë për fëmijët e tyre, pasi ata do i marrin me vete në grevën e urisë që do të hyjnë.
Minatori: “Ne jemi përfaqësues të minatorëve të minierës së Kalimashit, patëm një takim me Prefektin në lidhje me grevën e ditës së hënë. E vumë në dijeni atë si përfaqësues i qeverisë që ditën e hënë minatorët e minierës së kromit të Kalimashit bashkë me fëmijët do të futemi në grevë urie. Fëmijët e Shqipërisë do të shkojnë në shkollë, fëmijët tanë do të futen në minierë. Prefekti tha jam në kontakt me qeverinë, institucionet, firmat, nënkontraktorët, është në dorë të Prefektit”.
Këtë të hënë, më shumë se 60 minatorë të Kalimashit u hodhën në protestë ku kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për dhënien e pagave të tyre nga kompania, e cila ka fituar të drejtën e shfrytrëzimit të minierës së zonës.
Deri tani, asnjë nga institucionet nuk ka ndërhyrë duke lënë në mëshirë të fatit më shumë se 60 familje.
Sigal