Meta vlerëson Arqipeshkvin George Frendo me dekoratën “Nënë Tereza”

218
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Arqipeshkvin Imzot George Frendo me dekoratën “Nënë Tereza” në prag të Krishtlindjeve.

Kreu i Shtetit e dekoroi Arqipeshkvin me motivacionin “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së vyer për ringjalljen e besimit shpirtëror e të shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin Ndër-fetar e në shumë çështje sociale me rëndësi jetike. Me mirënjohje për konsolidimin e institucioneve të kultit e të besimit fetar, si dhe për forcimin, pasurimin e mëtejshëm dhe promovimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare të popullit shqiptar.”

Në fjalën e tij drejtuar klerikëve dhe krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri si dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar dhe të dashur udhëheqës të Bashkësive Fetare të vendit tonë. I nderuar Shkëlqesia Juaj Nunci Apostolik dhe të gjithë ju personalitete që na nderoni sot, të dashur miq, zonja dhe zotërinj. Jam shumë i lumtur që jemi sot, në këtë ceremoni të veçantë të organizuar në nderim të një prej personaliteteve më të shquara të shërbimit baritor në Shqipëri, Imzot George Frendo, të cilit kam privilegjin t’i akordoj Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’”.