Meta dekoron sportistët e njohur shkodranë: Udhërrëfyes për të rinjtë drejt arritjeve të mëdha

79
Sigal

Presidenti Meta dekoroi ditën e sotme sportistët e spikatur shkodranë, duke iu akorduar atyre tituj të ndryshëm duke filluar nga nderi i kombit, e mjeshtër i madh. Meta ka vlerësuar një sërë personalitetesh të sporteve të ndryshme të cilët jetojnë ende por edhe ata që kanë ndërruar jetë, duke nisur që nga futbollistët dhe trajnerët e “Vllaznisë” dhe Ekipit Kombëtar, Ismet Hoxha, Ferid Borshi, Fatmir Axhani, Millan Vaso, Selami Dani dhe Artan Bushati si dhe personalitetet e atletikës Feti Dizdari, kampionen dhe basketbollisten, Artenca Tufi, volejbollistët legjendë Viktor Jubani e Millojka Vaso, si edhe peshëngritësin e talentuar Nikolin Qersaqi.

“Shkodra është djepi, ku bashkë me atdhedashurinë, artin dhe kulturën u përkund edhe sporti shqiptar. Aty lindi edhe shoqëria e parë sportive, “Vllaznia” e madhe, nderi dhe krenaria, jo vetëm e qytetit. Nuk është rastësi që fanella Kuq e Blu dhe ky klub shumësportësh, nderohet nga të gjithë, sepse ka qenë përherë shkollë e madhe e talenteve të jashtëzakonshëm, por edhe me tifozerinë më të zjarrtë dhe më të kulturuar, që gjithmonë ka duartrokitur kundërshtarin kur luan më mirë.

Ndaj sot kisha kënaqësinë, që pikërisht në qytetin ku edhe u shënua goli i parë shqiptar të vlerësoja disa nga futbollistët dhe trajnerët e rezultateve të larta të “Vllaznisë” dhe Ekipit Kombëtar, Ismet Hoxha, Ferid Borshi, Fatmir Axhani, Millan Vaso, Selami Dani dhe Artan Bushati. Gjithashtu pata nderin të çmoja kontributet dhe sukeset e disa prej personaliteteve të atletikës si të paharruarin, Feti Dizdari, kampionen dhe basketbollisten, Artenca Tufi, volejbollistët legjendë Viktor Jubani e Millojka Vaso, si edhe peshëngritësin e talentuar Nikolin Qersaqi. Shembujt frymëzues të suksesit të këtyre yjeve të sportit shkodran dhe atij kombëtar do të mbeten gjithmonë një udhërrëfyes për të rinjtë dhe fëmijët drejt majave më të larta dhe arritjeve të shkëlqyera”, tha Meta në fjalën e tij.

Meta dekoron sportistët e njohur shkodranë: Udhërrëfyes

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi sot kontributet dhe rezultatet e spikatura të disa sportistëve të shquar shkodranë.

Me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit nderoi atletin Feti Dizdari (pas vdekjes): “Me vlerësim të rezultateve të larta dhe kontributeve shumëvjeçare si trajner i atleteve kampione të ‘Vllaznisë’ dhe Ekipit Kombëtar në të gjitha disiplinat e atletikës. Me mirënjohje simbolit të atletikës shqiptare për dijet dhe sakrificat, pasionin dhe profesionalizmin e tij, që do të mbeten një shembull frymëzimi për të gjithë brezat.”.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës nderoi zotin Ismet Hoxha: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e spikatur në futbollin shqiptar si lojtar dhe trajner i rezultateve të larta me ekipin ‘Vllaznia’ dhe Ekipin Kombëtar. Me mirënjohje futbollistit të talentuar, të dalluar për lojën cilësore dhe korrektësinë e tij në fushën e blertë dhe në jetë.”;

Zotin Ferid Borshi: “Me vlerësim për kontributin e shquar si lojtar i spikatur i ekipit ‘Vllaznia’ me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. I dalluar për pasionin dhe punën e palodhur si trajner në ekipet e futbollit.”;

Zotin Fatmir Axhani: “Me mirënjohje për kontributin e dhënë në sportin e futbollit, si lojtar i ekipit ‘Vllaznia’ duke spikatur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vlerësim të veprimtarisë si trajner i përkushtuar, i cili ka arritur rezultate të larta në futbollin e femrave.”;

Millan Vaso (pas vdekjes): “Me mirënjohje për kontributet e shquara si futbollist në radhët e ekipeve ‘Vllaznia’, “Partizani”, “Luftëtari” dhe Ekipit tonë Kombëtar, me rezultate të shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Zonjën Millojka Vaso: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e shquara si volejbolliste dhe trajnere e ekipit ‘Vllaznia’, duke punuar me pasion dhe përkushtim, në arritjen e rezultateve të larta në veprimtaritë kombëtare të volejbollit.”;

Zonjën Artenca Tufi: “Në shenjë vlerësimi për talentin e shkëlqyer si atlete kampione dhe basketbolliste cilësore e ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, me një kontribut historik në rezultatet e sportit shqiptar. Me mirënjohje atletes shembullore, figurës së dashur e të nderuar sportive, që respektohet nga të gjithë sportdashësit.”;

Zotin  Selami Dani: “Me vlerësim për kontributin e spikatur në futbollin shqiptar si qendërsulmues i shkëlqyer i ekipit ‘Vllaznia’. Në shenjë mirënjohjeje futbollistit të talentuar, mjeshtrit të lojës në ajër dhe golashënuesit nga më të mirët në kampionatet tona  kombëtare.”;

Viktor Jubani (pas vdekjes): “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në sportin e volejbollit si lojtar i ekipeve ‘Vllaznia’, ‘Dinamo’ dhe Ekipit Kombëtar, duke shkëlqyer në sulm dhe mbrojtje. Me mirënjohje artistit në lojë dhe shpirt, gjithnjë argëtues dhe i respektuar nga mbarë opinioni sportiv.”

Zotin Nikolin Qersaqi: “Në shenjë vlerësimi për talentin e përkushtimin e tij si peshëngritës kampion dhe rekordmen i ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, duke arritur rezultate të shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

si dhe Artan Bushatin (pas vdekjes): “Me mirënjohje për kontributet e dhëna në futboll, si sportist dhe trajner i suksesshëm me ekipin ‘Vllaznia’, ‘Elbasani’ dhe Ekipin Kombëtar. Në vlerësim të figurës së njohur, dinjitoze e të dashur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.”

Në fjalën e Tij drejtuar të dekoruarve, familjarëve dhe veteranëve të sportit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Jam i lumtur që të jem sot në Shkodër për të vlerësuar disa personalitete të shquara të botës së sportit që Shkodra nxori, por ia dha të gjithë vendit tonë! Kam kënaqësinë t’i akordoj Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ Feti Dizdarit (pas ndarjes nga jeta), një prej personaliteteve më të mëdha të këtij qyteti dhe të mbarë atletikës shqiptare. Pasioni, puna dhe sukseset e tij do të jenë gjithmonë një burim frymëzimi, për të gjithë sportistët e ‘mbretëreshës së sporteve’. Po kështu është kënaqësi të vlerësojmë futbollistët dhe trajnerët e rezultateve të larta të ‘Vllaznisë’, por edhe të ekipive tona kombëtare, figura të nderuara dhe ikona të futbollit, si Ismet Hoxha, Ferid Borshi, Fatmir Axhani, Millan Vaso, Selami Dani, Artan Bushati, të cilët i nderojmë sot me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Sfidat e arritura nëpërmjet punës e sakrificave nga këta sportistë dhe trajnerë, kanë treguar shpirtin garues dhe pasionin e madh, që shkodranët e kanë në dejet e tyre. Shkodra me skuadrën e saj legjendare të futbollit ‘Vllaznia’ bëri që tifozët të ëndërronin e të ndiheshin krenarë për skuadrën e tyre. Çdo ngjarje sportive, çdo skuadër e çdo sportist, që mbante emrin ‘Vllaznia’ është ballafaquar me histori, kulturë, traditë, besim e vlera të ndryshme, të cilat i bashkonte pikërisht dëshira dhe besimi jo vetëm për fitoren, por edhe për t’iu dhënë spektaklin e jashtëzakonshëm sportdashësve shkodranë. Një figurë e dashur e sportit në Shkodër, së cilës kam kënaqësinë t’i akordoj Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ është Artenca Tufi, atletja kampione dhe basketbollistja e njohur e ‘Vllaznisë’ dhe Ekipit Kombëtar. Artenca ka një kontribut historik në rezultatet e sportit shqiptar. Sportiste shembullore dhe qytetare model. I paharruar është kujtimi dhe vlerat e mëdha të volejbollistit të njohur shkodran dhe Ekipit Kombëtar, Viktor Jubanit. Titulli i lartë ‘Mjeshtër i Madh’ që i jepet sot këtij sportisti të shkëlqyer, artist në lojë dhe shpirt, është një vlerësim për punën dhe rezultatet e arritura me aq përkushtim gjatë gjithë karrierës së tij si sportist, por dhe një mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij si intelektual i vlerave shkodrane. Një nga volejbollistet e spikatura të ‘Vllaznisë’ që po e nderojmë me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ është Millojka Vaso, organizatorja e palodhur dhe volejbollistja, e cila drejtonte me profesionalizëm skuadrën e femrave, duke e renditur ‘Vllazninë’ ndër më të mira të vendit. Peshëngritja, sport që unë e kisha pasionin tim të rinisë, nuk mund të mungojë në vlerësimin për sportistët e ‘Vllaznisë’, prandaj kam kënaqësinë të vlerësoj peshëngritësin e talentuar dhe të suksesshëm Nikolin Qersaqi me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Sukseset e këtyre yjeve të sportit, janë një udhërrëfyes për të rinjtë dhe të rejat e sotëm e për fëmijët, për të shpalosur talentin dhe arritur majat më të larta. Titujt që po iu jepen këtyre personaliteteve dhe legjendave të sportit shkodran janë një vlerësim jo vetëm i punës dhe sakrificave, por mbi të gjitha edhe i rezultateve si sportistë, trajnerë dhe si qytetarë të nderuar. Prandaj ju falënderoj edhe një herë të gjithëve për këtë pjesëmarrje në ceremoninë e vlerësimeve!”