Meta dekoron “Mjeshtër i Madh” katër rekordmenë dhe kampionë të atletikës shqiptare: Shembuj frymëzimi për sportistët e rinj

286
Sigal

Me anë të një ceremonie solemne Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në bashkëpunim me Federatën e Atletikës, dekoroi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” disa figura të shquara në sportin e atletikës shqiptare, kampionët dhe rekordmenët.

Esat Kryeziu: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta të arritura në sportin e atletikës, kampion e rekordmen në garën e hedhjes së shtizës, me ekipin ‘Lokomotiva’ të Durrësit dhe me Ekipin Kombëtar, duke u dalluar në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Vaso Selenica: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të atletikës, si trajner i atletëve kampionë dhe rekordmenë në garat e hedhjes, duke shënuar rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Klement Lutfija: “Me mirënjohje ndaj veprimtarisë së suksesshme dhe rezultateve të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare si atlet kampion dhe rekordmen në 10 garësh, 110 metra me pengesa dhe triathlon, duke u dalluar për përkushtimin dhe përgatitjen e lartë fizike dhe teknike, si dhe kontributin e madh në përgatitjen e atletëve të rinj.”;

si dhe Kastriot Sulçen (pas vdekjes): “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të atletikës, si atlet kampion e rekordmen në garat e shpejtësisë, me ekipet ’17 Nëntori’, ‘Skënderbeu’ dhe Ekipin tonë Kombëtar, i shquar për rezultatet e larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar atletëve të vlerësuar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, Presidenti i Republikës u shpreh se ata janë shembuj frymëzimi për sportistët e rinj.

FJALA E PRESIDENTIT META
“Është privilegj për mua që në praninë tuaj, të vlerësojmë disa nga atletët më të shquar të atletikës, të mbretëreshës së sporteve. Kam kënaqësinë të vlerësoj sot një veteran të atletikës sonë, zotin Esat Kryeziu, ish-atletin e KS ‘Lokomotivës’ dhe të Ekipit Kombëtar.

Ai ka garuar në disiplinën e hedhjes së shtizës, duke qenë kampion absolut për 8 vite, nga viti 1964 deri 1972. Rezultatet e tij mbeten të jashtëzakonshme, e në mënyrë të veçantë, stafetat në thyerjen e rekordeve të një pas njëshme kombëtare. Po kështu kontributi i tij vazhdoi edhe si trajner i pasionuar pranë ekipit ‘Lokomotiva’ të Durrësit.

Një atlet dhe trajner i rezultateve më të larta cilësore është zoti Vaso Selenica, i Klubit të ‘Dinamos’ dhe Ekipit tonë Kombëtar. Ai ka qenë atlet dhe trajner në garat e flakjes së diskut, çekiçit dhe shtytjes së gjyles.

Si trajner ka thyer me atletët e tij 76 rekorde kombëtare, për të gjitha moshat, në disiplinat e flakjes së diskut dhe çekiçit, në aktivitetet ballkanike. Fitues i 5-së Medaljeve të Arit në takimet ndërkombëtare.

Ka arritur normën e pjesëmarrjes në olimpiadat Athinë 2004, Pekin 2008 me atletin Dorian Çollaku në hedhjen e çekiçit. Korrektësia dhe profesionalizmi që kanë udhëhequr Vaso Selenicën janë një shembull frymëzimi për sportistët më të rinj.

Zoti Klement Lutfija, ka qenë një sportist i jashtëzakonshëm dhe i gjithanshëm, i Klubit ‘Tirana’.
Ai ka garuar në disiplinat e 10 garëshit, 110 metra me pengesa. Në disiplinat e 10 garëshit është renditur 18 herë në vendin e I-rë.

Në garën 110 metra me pengesa ka fituar 2 Medalje Ari dhe 12 herë kampion.

Në vitet 1985 deri 1990 ka punuar në Klubin ‘Tirana’ si trajner atletike në disiplinat 10 garash dhe 110 metra me pengesa, ku ka përgatitur atletë, të cilët kanë arritur rezultate të shkëlqyera.

Në vitet 1994-2004 ka punuar si trajner atletike në Turqi, me shumë klube sportive. Në garat për veteranë, ai garon edhe sot, duke mbajtur çmimin ‘Iron Man’, njeriu i hekurt.

Kastriot Sulçen, atletin e jashtëzakonshëm, kampionin dhe rekordmenin, mbi të cilin rënduan edhe shumë mundime dhe pengesa, të pamëshirshme të regjimit komunist, që sot për fat të keq nuk e kemi midis nesh.

Ai kontribuoi me ekipet e ‘17 Nëntorit’, e sidomos me atë të ‘Skënderbeut’. U shpall Kampion Kombëtar me ekipin e ‘Skënderbeut’ në disiplinat 200 metra dhe 400 metra, si dhe fitues i Spartakiadës Kombëtare.

Po kështu ai mori pjesë aktive në Lëvizjen Studentore Demokratike për ndryshimin e regjimit komunist dhe pati kontributin e tij të veçantë në gjithë këto procese demokratizuese.

Pasionin e tij ai e vazhdoi edhe në Austri duke trajnuar atletë të rinj. Për fat të keq në vitin 2012 ndahet nga jeta në moshë të re, për t’u kujtuar gjithmonë si një ikonë e atletikës shqiptare.

Dua të theksoj, se këto titujt që akordojmë sot, janë të rëndësishëm për të rivlerësuar, historinë e sukseseve të atletikës sonë.
Këto suksese të arritura në periudha të ndryshme, duhet të nxisin atletët më të rinj, sidomos fëmijët për t’u marrë më shumë me këtë sport, mbretëreshën dhe bazën e të gjithë sporteve të tjera.

Ndaj shpreh dhe njëherë kënaqësinë që kemi kaq shumë personalitete, që na nderojnë në këtë ceremoni dhe besoj se të gjithë së bashku, do të shtojmë tek fëmijët dhe të rinjtë, dashurinë për atletikën, si sport, por jo vetëm kaq, por dhe si kulturë e përgjithshme!”