Megaskandali qeveritar me vaksinimin e bagëtive

772
Qeveria shqiptare nuk i është përgjigjur nevojës reale emergjente që paraqiti Ministria e Bujqësisë, për të përballuar parandalimin e sëmundjes së Gjedhit të quajtur “Dermatoza Nudelare”, sëmundje e “importuar” nga vendet kufitare me Shqipërinë. Jo vetëm që qeveria shqiptare nuk i dha Ministrisë së Bujqësisë asnjë qindarkë financim shtesë, për të bërë mbrojtjen paraprake të Gjedhit nga kjo sëmundje shkatërruese për ekzistencën e blegtorisë, por me një vendim të posaçëm e absurd sa për të krijuar imazhin fiktiv sikur “e financoi këtë emergjencë veterinare”, bëri ndryshimin e destinacionit të disa fondeve buxhet shtetëror, që i kishte akorduar bujqësisë shqiptare dhe ushqimit për sektorë të tjerë!
“Rilindja” bëri “akrobaci” antikushtetuese me buxhetin, nuk dha asnjë qindarkë fond emergjence
Ministria e Bujqësisë, paçka se dha alarmin e bëri kërkesa këmbëngulëse, nuk u mbështet nga qeveria me asnjë qindarkë fonde emergjence, për përballimin dhe menaxhimin e situatës së krijuar prej sëmundjes së pritshme të Gjedhit, të skeduar si “Dermatoza Nudelare”. E jo vetëm kaq, por i hoqi kësaj ministrie edhe një fond të madh me vlerë 620 mijë euro, nga një sektor tjetër i rëndësishëm dhe ia kaloi për menaxhimin e kësaj sëmundjeje. Në mungesë të mbështetjes prej qeverisë shqiptare, BE dërgoi 25 mijë doza vaksine për sëmundjen “Dermatoza Nudelare”. Në fakt, buxheti i shtetit ka të parashikuar fonde emergjence “gati” për sektorin e blegtorisë, i cili siç dihet përballet në çdo stinë të vitit me sëmundje e problematika të tjera, deri ekzistenciale për këtë sektor por edhe me sëmundje që transmetohen tek njerëzit nëpërmjet kontaktit me bagëtitë e imëta e Gjedhët edhe nëpërmjet konsumit të mishit e qumështit të tyre, duke u përcjell rreziku edhe në gjatë përpunimit në stabilimente industriale e linja produktesh ushqimore në njësinë më të vogël në familje! Çfarë ka ndodhur? Konkretisht, me VKM Nr. 508, datë 6.7.2016 “Për rishpërndarje fondesh ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për marrjen e masave urgjente për parandalimin e sëmundjeve “Dermatoza Nudelare të Gjedhit”, qeveria ka bërë një “akrobaci” anti-kushtetuese me fondet e buxhetit të shtetit të akorduara për Ministrinë e Bujqësisë. I hoqi fondet një sektori, duke ia kaluar një sektori tjetër. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, kjo ndërhyrje me përmbajtje skandal shtetëror në buxhet është bërë, për faktin se qeveria nuk ka asnjë “kacidhe” në arkën e saj për të përballuar situatat që kanë lidhje me sigurinë jetike të blegtorisë për sëmundjet e pritshme të pa parashikuara që mund të prekin këtë sektor ushqimor jetik edhe për njerëzit. Duke qenë se për vendimet abuzive e koncesionet në ekonomi kryeministri Rama tregohet “i zgjuar” dhe nuk firmos vetë, por ngarkon “bedelin” Niko Peleshi, ky i fundit ka firmosur në rastin konkret të këtij abuzimi me ligjin për buxhetin e shtetit, ndoshta për të pasur emrin në “Fletore Zyrtare” e për të kujtuar opinionin që është “nr. 2 i qeverisë”. Zv/Kryeministri Peleshi ka firmosur VKM Nr. 508, datë 6. 7. 2016, që qarkullon fondet e buxhetit të shtetit. Nëpërmjet këtij vendimi, Ministria e Bujqësisë detyrohet të heq 840 milionë lekë fonde nga sektori “Zhvillimi rural duke mbështetur bujqësinë, blegtorinë, agro-industrinë dhe marketingun” me planifikim “shpenzime korrente nga skema mbështetëse për bujqësinë” dhe t’ia kaloj si “fond i rishpërndarë” me objekt “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, në llogarinë “shpenzime korrente”. Kujtojmë, që me këtë vendim, qeveria ka lënë pa fonde financimin e 5 projekteve emergjente në sektorin e agro-industrisë, të cilat kanë lidhje me standardet e reja të përpunim-prodhimit, të diktuara nga BE! 
Nga 400 mijë krerë gjedhë, vaksinohen vetëm 25 mijë (6%) me vlerë 840 milionë lekë
Fondi 840 milionë lekë që iu hoq sektorit të agro-industrisë dhe iu akordua procesit të evitimit të sëmundjes “Dermatoza Nodulare e gjedhit”, nuk është i mjaftueshëm për të përballuar plotësisht këtë emergjencë. Ministria e Bujqësisë ka hartuar një strategji konkrete e efiçente për këtë proces, por për të kryer aq volum vaksinimi sa fonde ka. Sipas informacionit zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë, pas ndërhyrjes së ministrit Panariti në strukturat përkatëse të BE, u siguruan 25 mijë doza vaksine. Janë doza vaksine, që blegtorisë shqiptare i janë ofruar nga fondi i emergjencës së BE-së. Çudia është se ndërsa BE ka fond emergjence për sëmundjet blegtorale, qeveria shqiptare nuk ka planifikuar asnjë qindarkë në buxhetin e shtetit, ndërkohë që planifikon fonde deri edhe 300, 500, 700 milionë lekë e deri 1 milionë euro për “netë të bardha” e “festa dritash”, për koncerte elektorale, për bileta avionësh për ministrat, për marrje makinash të blinduara me qira për shtetarët, për mobilime zyrash, për pagesa hotelesh e restorantesh për konferenca shtypi. ndërsa për sëmundjet e bagëtive që prodhojnë ushqime për popullatën, nuk planifikon asnjë qindarkë, duke pritur lëmoshë nga BE dhe bota. Në rastin konkret, institucionet ndërkombëtare, konkretisht BE dha një ndihmë me 25 mijë doza vaksine, por realisht në Shqipëri janë 400 mijë krerë Gjedhë të regjistruar në drejtoritë rajonale të bujqësisë. Kjo sasi vaksinash nuk është e mjaftueshme, mbasi nuk mjafton për të trajtuar me mjekim as 10% të krerëve Gjedhë që ka Shqipëria e që duhen vaksinuar të gjithë e jo me “tufa” të përzgjedhura, mbasi edhe sëmundja “Dermatoza Nodulare e gjedhit” nuk bën përzgjedhje, por infekton kudo ku gjen terren veprimi! 
Vaksinim, vetëm në fermat e shtetarëve, 219 mini-ferma dhe 285 mijë krerë familjarë mbeten pa mjekim
Kur mendon, që në total janë 400 mijë krerë Gjedhë të regjistruar me “letra” zyrtare e matrikuj në vesh, por në dispozicion për luftën kundër sëmundjes “Dermatozës Nodulare të gjedhit” ka vetëm 25 mijë vaksina, bëhen këto pyetje: Po me 375 mijë krerët e Gjedhëve që nuk do të vaksinohen, çfarë do të behet, apo ato nuk janë prekur e nuk mund të preken nga sëmundja“Dermatoza Nodulare e gjedhit”? Thuhet se janë planifikuar të vaksinohen fermat me mbi 20 krerë? Po ato ferma, komplekse e njësi blegtorale me 20, 19 e më pak krerë, përse nuk vaksinohen? Në fermat me 20 krerë, a përfshihen të gjithë fermat, apo vetëm disa që janë përzgjedhur me klientelizëm e preferenca interesash deri familjare, nga drejtuesit e bujqësisë të qarqeve ose me ‘referenca” nga ”lartë”? A janë futur të parat në listat e vaksinimit fermat e disa politikanëve, ish-politikanëve, shtetarëve e ish-shtetarëve dhe të familjarëve të tyre? Po fermat që nuk kanë “mik” e lidhje me shtetarë e politikanë, kur do të vaksinohen? Po Gjedhët që mbahen nga 1, 2, 3 e 5 krerë nga familjarët nëpër kasolle, a do të vaksinohen dhe a përbëjnë rrezik për përhapjen e sëmundjes, gjersa lihen jashtë kontrollit e trajtimit? Këto përgjigje mund të jepen nga ata që kanë bërë këtë skemë vaksinimi që përballon vetëm 6% të numrit të Gjedhëve që ka Shqipëria. Për korrektesë, po citojmë lajmin zyrtar, në lidhje me këtë aksion vaksinimi, që sipas informacioneve që na kanë ardhur është kryer vetëm në fermat, komplekset, njësit blegtorale e madje edhe për të afërm të shtetarëve e zyrtarëve të bujqësisë dhe veterinarisë në qarqe e rrethe. Konkretisht, në sipas deklarimit të Drejtorit të Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, zotit Edi Ferro, pranohet se janë në vëmendje si fillim, vetëm fermat me mbi 20 krerë dhe më pas do të nisë vaksinimi edhe për fermerët e vegjël. Sipas llogarive të bëra, mbeten pa mjekim 208 mini-ferma zonale dhe 295 mijë krerë Gjedhë familjarë, të cilët nuk dihet se kur do të trajtohen, por dihet që janë të ekspozuar përballë sëmundjes“Dermatoza Nodulare e Gjedhit”, sidomos në ato zona që gjenden në kufi me Maqedoninë, Kosovën, malin e ZI e Greqinë, prej nga është futur kjo sëmundje!
Ja VKM Nr. 508, datë 6.7.2016, që i heq 840 milionë lekë fond agro-industrisë 
VKM Nr. 508, datë 6.7.2016 “Për rishpërndarje fondesh ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për marrjen e masave urgjente për parandalimin e sëmundjeve “Dermatoza Nudelare të Gjedhit” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, dhe të pikës 1, të nenit 46, të ligjit nr. 10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 
1. Rishpërndarje fondesh ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për marrjen e masave urgjente për parandalimin e sëmundjes së “Dermatozës Nodulare të gjedhit”, si më poshtë vijon: 
a) Në programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit” shtohen 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekë, shpenzime korrente; 
b) Në programin buxhetor “Zhvillimi rural duke mbështetur bujqësinë, blegtorinë, agro-industrinë dhe marketingun”, pakësohen 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekë, shpenzime korrente nga skema mbështetëse për bujqësinë. 
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
Niko Peleshi 
Sigal