Me doza lëndë narkotike me vete gati për t’i shituar, dështon plani i 35-vjeçarit në Tiranë

23
Sigal

Policia e Tiranës ka sekuestruar doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, ndërsa në pranga është vënë në pranga 35-vjeçari që i posedonte.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacione se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në doza, në Unazë të Re, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Unazë të Re, kapën shtetasin B. A., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në Unazë të Re.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.