Më 2 mars kujtojmë përvjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit

293
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gurakuqi u vra në Bari të Italisë nga një agjent i shtyrë dhe i paguar nga klika zogiste

Më 2 mars kujtojmë 96-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit, një nga figurat e shquara të historisë politike e kulturore shqiptare. Luigj Gurakuqi u vra në Bari të Italisë nga një agjent i shtyrë dhe i paguar nga klika zogiste, më 2 mars 1925. Luigj Gurakuqi është një nga figurat e shquara të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare, poet e publicist, Hero i Popullit.

Luigj Gurakuqi (lindi më 19 shkurt 1879 në Shkodër; vdiq më 2 mars 1925 në Bari), nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, deputet, “Hero i Popullit Shqipta”. Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë. Një figurë poliedrike e madhore: Luigj Gurakuqi ishte politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, poet e prozator, estet e kritik letrar, pedagog e tekstolog, ekonomist e financier, orator, njeri i kulturës dhe i shkencës, i fjalës dhe i veprimit, i pendës dhe i pushkës; në shkrimet e tij përdorte emnat e pendës Jakin Shkodra e Lekë Gruda. Mbi të gjitha ai ishte patriot i madh, atdhetar i flaktë, bashkëthemelues i shtetit shqiptar të epokës moderne. Nga ana tjetër, L. Gurakuqi, si rrallë kush, përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë. Në shumicën prej tyre qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, madje ndër organizatorët e drejtuesit kryesor të tyre. Rrethi familjar: Lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879, dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u muer në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjërë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve, që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanik dhe për burrat që i udhëhoqën ato.

 

Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:”Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shumë kish pa”.Edukimi: Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Luigji qe ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare i shfaqen prirjet për letërsi e krijime letrare. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi për tërë jetën; ai ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Për 2-3 vjet studion për mjekësi. U diplomua për shkenca natyrore. Vazhdoi studimet universitare në Napoli (Itali) në vitet 1901-1906 dhe debutoi me sukses si poet lirik ku si udhërrëfyes kishte poetin e mallit Filip Shiroka, lëvrues i prozës së shkurtër e publicist. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Tek personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat kultura e gjërë dhe enciklopedike. Ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqisht e gjermanisht, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme.

Aktiviteti patriotik e politik

Kthimi në Shkodër të Gurakuqit, pas shpalljes së kushtetutës nga xhonturqit, më 2 korrik 1908. Pas 1906, Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar. Në verën e v.1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në Veri. Më 1908, në korrik, mbërrin në Shkodër, i adhuruar nga populli, e përcjellin deri në shtëpi. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës At Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Më 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale, që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit, dhe shkruesi i Deklaratës së Mëvetësisë.