Mbi 32 mijë raste të reja të COVID-19 në vetëm 24 orë

456
Sigal

Afro 32 mijë raste të reja me koronavirusin e ri u shënuan në të gjithë botën përgjatë njëzet e katër orëve të fundit sipas të dhënave të grumbulluara nga agjencia e lajmeve Reuters, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 305 mijë.

Italia shënoi rreth 6,500 raste të reja, pasuar nga 4,600 në Shtetet e Bashkuara dhe afro 4 mijë në Spanjë. Gjermania duket se është vendi i ri i përhapjes së pandemisë me 3,200 raste të regjistruara në vetëm 24 orë.

Italia shënoi një rrekord tjetër të trishtë gjatë së Shtunës kur 793 vetë humbën jetën. Në Itali deri tani ka 53 mijë raste me COVID-19 nga të cilët, aktualisht rreth 43 mijë janë duke u trajtuar nga mjekët, rreth 6 mijë janë shëruar dhe 4,825 vetë kanë humbur jetën.

Në Kinë, vendi ku sëmundja filloi të përhapej fillimisht dhjetorin e kaluar, numri i të infektuarve vijon të rritet ngadalë, ndërsa shumica e të 81 mijë personave të prekur tashmë janë shëruar. Por Kina po përballet aktualisht më një numër në rritje rastesh të infektuarisht me origjinë jashtë vendit, gjë që sugjeron se rreziku për një rishfaqje masive të COVID-19 vijon të jetë shumë i lartë.

Deri më sot, norma e vdekshmërisë nga sëmundja në të gjithë botën është 4.27% ku Italia ka normën e frikshme prej 9% dhe Irani me 7.5%. Në SHBA vdekshmëria është deri më sot 1.3% ose 317 të vdekur nga mbi 24 mijë raste.

Luftë për maska dhe pajisje respirimi

Maskat mjekësore të njohura në SHBA si N95, të cilat përdoren gjithashtu edhe në sektorin e ndërtimit dhe ndalojnë pluhurin dhe pjesëzat ajrore janë bërë aktualisht malli më i rëndësishëm në planet. Në SHBA nevojiten rreth 300 milionë maska të tilla për shërbimin mjekësor ndërsa qeveria ka urdhëruar kompanitë e ndërtimit të dërgojnë te spitalet maskat që kanë blerë më parë dhe të mos blejnë maska të reja.

Një treg që zakonisht është periferik në industrinë e pajisjeve mjekësore, ai që prodhon pajisje për asistencën e pacientëve në gjendje të rëndë për të marrë frymë, është bërë sektori më i rëndësishëm i shëndetësisë ndërsa kërkesa është shtuar shumëfish dhe shtetet duket se kanë vendosur kufizime në eksportimin e pajisjeve mjekësore, gjë që ka shkaktuar pengesa në zinxhirin e furnizimit me komponentë të atyre pak kompanive që prodhojnë pajisje të tilla.

Sipas Reuters, tregu i këtyre pajisjeve është zakonisht 1 miliardë dollarë në vit dhe ndahet mes Hamilton Medical AG me bazë në Zvicër, ResMed Inc në SHBA, Getinge AB në Suedi, Draegerëerk AG në Gjermani dhe Aeonmed Co, Ltd në Kinë.

Shtimi i kapacitetit prodhues të këtyre pajisjeve po rezulton shumë i vështirë, pjesërisht për shkak edhe të rritjes marramendëse të kërkesës. Kompanive po u kërkohet të prodhojnë në pak javë atë që zakonisht e prodhojnë në një vit ndërsa shtetet po ndërhyjnë, në disa raste me kërcënime, për të zënë rradhën kush do të blejë e para pajisjet që janë të domosdoshme për të trajtuar pacientët që kanë sëmundje shoqëruese krahas COVID-19 dhe që pa pajisje të tilla mund të vdesin brenda pak orësh pasi i zë kriza.

birn