Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari dha lajmin se për mbi 13 mijë familje përfitojnë kompensim financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Ndërkohë kryeministri Rama ka ndarë në Facebook deklaratën zyrtare të ministrit, ndërsa thotë se se shteti shqiptar shlyen ndaj tyre pjesën e mbetur prej 30% të kompensimit, si pronarë.
“Ne jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve, duke përmbushur kështu detyrimin që kemi karshi tyre dhe, sigurisht, si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe liritë themelore janë të shenjta”. shkruan Rama.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.
Ministri shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekë do të shkojë në llogaritë bankare të pronarëve sot dhe në ditët e ardhshme.
“Një tjetër lajm i mirë për të ndarë me ju sot, veçanërisht për shumë e shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti për pronat e tyre. Ndonëse shpesh u referohemi si ish-pronarë, në fakt nga sot shteti shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që u takon. Sapo miratuam listën me plot 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pjesën e mbetur prej 30%.
Me nje fond prej rreth 1.4 miliard lekë, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Por është diçka me tepër, është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin.
Me këtë pagesë që do të marrin nga sot e në ditët në vijim, kompensimi për këto familje sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ATP-së quhet i kryer plotësisht dhe ne mbyllim kështu një kapitull të vjetër.
Njëkohësisht jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve. Kam kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe të liritë themelore janë të shenjta. Teksa ne përparojmë cdo ditë në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Evropian, kompensimi financiar ndaj pronarëve është përmbushja e zotimit të qeverisë shqiptare ndaj të drejtës së tyre të njohur me ligj. Faleminderit dhe gëzuar!”, tha ministri.
Njoftimi i plote:
NJ O F T I M
PËR SHPËRNDARJEN E FONDIT TË KOMPENSIMIT NË VLERË PËR PRONARËT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 30 . 12 . 2025, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 3527 (tre mijë e pesëqind e njëzet e shtatë) kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e fundit të kompensimit në të holla në një total prej 30% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Për 3527 (tre mijë e pesëqind e njëzet e shtatë) kërkesat, e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar.
Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 3527 (tre mijë e pesëqind e njëzet e shtatë) kërkesa, është në vlerën: 1 396 651 400,49 (një miliard e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e katërqind presje dyzet e nëntë) lekë.
Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.
NË MUNGESË DHE ME URDHËR
ZV.DREJTOR I PËRGJITHSHËM
Benard PALAJ






















