MBI 106 MIJË BIZNESE NË PRITJE TË SHITJES OSE FALIMENTIT

564
Bankat, spitalet, industria, kompanitë e sigurimit, të gjitha në shitje
Monitor/ Mbi 106 mijë biznese të shitjes me pakicë në pritje të shitjes ose falimentit. Bankat dhe hotelet po largohen nga Shqipëria
Tregjet shqiptare janë përfshirë së fundmi nga një ofertë jo e zakontë për shitje, teksa interesi për të blerë mungon. Rënia e normave të fitimit, maturimi në disa sektorë, mungesa e financimeve bankare nga njëra anë, bashkë me rritjen e taksave, efektet e formalizimit dhe rritjen e tarifave dytësore nga ana tjetër, e kanë vështirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe për rrjedhojë ka rritur numrin e kompanive në shitje si asnjëherë më parë në këto dy dekadat e fundit. Planet e shitjes kanë përshirë sektorët e mëdhenj të ekonomisë si bankat, telekomunikacionet, kompanitë e sigurimit, koncesionarët e naftës dhe disa linja të industrisë së përpunimit. Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) është në fazë finalizimi të marrëveshjes për të blerë Bankën Kombëtare të Greqisë. Të tjera banka do të jenë në shitje këtë vit. Në fillim të këtij viti u largua Sheraton Albania, hoteli me pesë yje. Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Towers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Në fund të vitit të kaluar, frekuencat e kompanisë së shërbimeve celulare Plus Communication iu shitën dy operatorëve më të mëdhenj të fushës, Vodafone dhe Telecom Albania. Spitali i dytë privat më i madh në vend Hygeia është në tratativa shitjeje te operatorët e tjerë vendas. Një vit më parë, një nga kompanitë më të mëdha në vend Bankers Petroleum u shit tek një grup kinez “Geo Gade”. Ndërsa më shumë se 106 mijë biznese të shitjes me pakicë kanë kaluar në regjistrin pasiv, ku në rastin më të mirë, presin të shiten, por shumica e tyre kanë falimentuar për shkak të rënies së konsumit dhe efekteve që dha formalizimi. Mbi-investimet në disa sektorë dhe shfrytëzimi i ulët i tyre pas krizës së vitit 2008 kanë nxitur edhe më tej shitjet e bizneseve.

Bankat
Ekspertët në tregje lajmërojnë se konsolidimi do të vazhdojë edhe më tej, sidomos në tregun financiar, po në rrugë për shitje janë edhe kompanitë nga sektorë me fitime të sigurta. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se procesi i shitjes nuk është më fobi as për kompanitë e mëdha. Pjesa më e madhe bankave, duke përfshirë edhe të mëdhatë, kanë aplikuar politika tërheqjeje nga tregu dhe shumë prej tyre kanë në plan të shiten. Norma e kthimit të investimit është përgjysmuar në raport me vitin 2000. Ekspertë brenda sistemit pohojnë se tregu në Shqipëri nuk po prodhon fitime, teksa barra rregullatore dhe investimet në teknologji kanë rritur kostot dhe fitimet janë me pikatore. Aktualisht, në treg janë 16 banka (që pas shitjes së NBG Bank dhe përthithjes se Veneto nga Intesa Sanpaolo do të bëhen 14), por ekspertë të tregut mendojnë se tregut shqiptar i mjaftojnë vetëm 7 të tilla nëse konkurrenca është e shëndoshë. Një studim kërkimor i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për tregun bankar në rajon ka gjetur se shumica e bankave vendase në Shqipëri kanë qenë më pak fitimprurëse sesa grupet e bankave mëmë gjatë periudhës tetor 2016-mars 2017. Niveli i lartë i kredisë me probleme ka peshuar negativisht në rentabilitetin e bankave. Në përgjithësi, 57% e bankave mëmë e shohin potencialin e tregut në Shqipëri si të ulët, tregoi studimi. Për faktorë të brendshëm, por kryesisht edhe politikave të grupeve bankare që kanë degë në Shqipëri, oferta për të shitur në sektorin bankar është rritur. Në korrik të vitit të kaluar u miratua transferimi i aseteve, Veneto Banca tek Intesa Sanpaolo S.p.A. Transaksioni që u krye nga bankat mëmë në Itali përfshiu edhe shkrirjen e tyre në vendin tonë. Planet e ristrukturimit të paraqitura nga bankat greke si pjesë e paketës së shpëtimit të udhëhequr nga BE parashikojnë një tërheqje graduale nga aktivitetet e tyre jashtë vendit. Piraeus, banka më e madhe e Greqisë në aspektin e aseteve, planifikon të shesë filialet e saj në Shqipëri (në Shqipëri, Pireaus zotëron Tirana Bank) dhe Serbi (përveç atyre në Bullgari, Rumani dhe Ukrainë). Ekspertë të tregut pohojnë se të gjitha bankat që janë në tkurrje kanë plane për shitje, por mungojnë blerësit potencialë. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha nëse do të kishte oferta serioze, edhe operatorë të mëdhenj të sektorit do ta transferonin pronësinë.

Bankat në shitje
Të gjitha bankat që janë në tkurrje kanë plane për shitje, por mungojnë blerësit potencialë. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha nëse do të kishte oferta serioze, edhe operatorë të mëdhenj të sektorit do ta transferonin pronësinë.

Sigurimet
Disa operatorë të tregut të sigurimeve janë gjithashtu në shitje. Qëndrimi në vendnumëro i tregut për vite me radhë, prej mungesës së kulturës së sigurimit dhe problematikës në rregullimin e tregut, e ka vështirësuar ekzistencën për operatorët e vegjël. Aktualisht në treg janë 11 operatorë, por Avni Ponari, drejtori i përgjithshëm i “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA”, pohoi se, tregu i sigurimeve aktualisht ka mbingopje me operatorë. Ponari thotë se për vite me radhë nuk kemi asnjë investitor të huaj që të jetë angazhuar konkretisht në vendin tonë. Shqipëria mbetet vendi me tregun më të pazhvilluar të sigurimeve në rajon. 

Industria e rëndë, në kërkim të blerësve
Çmimet e naftës ende nuk po rikuperohen në nivelet mesatare të tre dekadave të fundit. Çmimi i naftës në 2017-n u luhat në kuotat e 45-47 dollarëve për fuçi, ende larg mesatares së viteve 2000, kur luhatej mbi 90 dollarë për fuçi. Rënia e çmimeve në rekorde historike në janar të vitit 2016 me vetëm 29 dollarë për fuçi, niveli më i ulët se kostot e prodhimit në disa vende, vunë në vështirësi kompanitë prodhuese edhe në Shqipëri. Operatori më i madh i fushës, Bankers Petroleum u shit në 2016-n tek kompania kineze “Geo Gade”. Ministria e Energjisë ka publikuar për negocim rreth 13 blloqe të lira kërkimi për naftë në tokë e në det që gjatë vitit 2015, por interesi në këtë drejtim ka qenë i vakët, duke u realizuar vetëm marrëveshja me Shell për bllokun katër. Ekspertë të sektorit pohojnë se perspektiva e zbehtë për ringritjen e çmimeve të naftës po i mban larg investitorët përkundër interesit të qeverisë për të zgjeruar koncesionet në sektorin e prodhimit të naftës. Çmimet e naftës janë futur në një normalitet të ri, ku një fuçi nuk pritet të kalojë të 60 dollarët deri në vitin 2020. Banka Botërore ka bërë një analizë të thellë për ecurinë e çmimeve të naftës, në të cilën arrin në përfundimin se çmimet do të vijojnë të jenë poshtë 60 dollarëve edhe për katër vitet në vijim, për faktorë që rrjedhin si nga krahu i ofertës dhe ai i kërkesës. Për pasojë, tregu shqiptar por edhe ai botëror po vuajnë pasojat e mbiofertës për shitje në këmbim të një interesi të ulët për blerje. Për shkak të çmimeve të ulëta në tregun ndërkombëtar, në shitje janë edhe bizneset e sektorit minerar. Në shtator të vitit 2015, kompania më e madhe e sektorit, Beralb mbylli aktivitetin, ndërsa bizneset e tjera janë në konservim dhe pjesa më e madhe e tyre janë në shitje për shkak të borxheve, bënë me dije burimet nga Ministria e Energjetikës. 

Industria e përpunimit, fabrikat e blojës në shitje
Fabrikat e blojës po dalin në shitje nga zotëruesit e tyre si pasojë e konkurrencës së miellit nga importi dhe përkeqësimit të mjedisit të biznesit nga taksat e larta dhe mbi investimet. Fabrika “Bloja” ka përgjysmim të xhiros më 2016 dhe situata, sipas zotit Haxhiymeri, i cili e drejton atë, është përkeqësuar gjatë këtij viti. Nga 3.7 miliardë që ishin shitjet e fabrikës “Bloja” në vitin 2015, ato ranë në 1.4 miliardë lekë më 2016 dhe 2017 pritet të mbyllet edhe më keq. Edhe operatori tjetër i madh i tregut, “Miell Tirana”, në 2016-n e mbylli bilancin me rënie të shitjeve 12%, teksa aktiviteti është përfshirë në një trend rënës së paku katër vitet e fundit. Administratori i “Miell Tirana”, Roland Hysi, tha se industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Në vështirësi nga konkurrenca e importit janë vënë edhe fabrikat e prodhimit të birrës, të cilat për të tretin vit me radhë po ngushtojnë praninë në treg, për shkak të rritjes së importeve të këtij produkti. Edhe fabrikat e qumështit dhe të mishit po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të konkurruar në tregun vendas, pasi e kanë të ndaluar eksportin. Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve që zotëron linja të përpunimit të mishit dhe peshkut për eksport, pohon se informaliteti në sektor, nëse vijon i tillë edhe për dy vite të tjera, do të nxjerrë në shitje fabrikat e përpunimit të produkteve ushqimore. 
Sigal