Mazhoranca tenton të shpërblejë “ushtarët” në Kushtetuese, me rritje pagash të gjyqtarëve, 6.5 mln në muaj

52
Sigal

Një ditë pas gjyqit të bujshëm dhe shumë të pritshëm për logon e PD-së, të mërkurën Parlamenti do të votojë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku parashikohet rritja “galopante” e pagës së gjyqtarëve në vlerën e 6.5 milionë lekë dhe për kryetaren e gjykatës në 7.7 milionë lekë. Ky ligj kërkon 84 vota për t’u miratuar dhe mazhoranca me 78 deputetët e saj nuk e miraton dot pasi për këtë “shpërblim” që ka menduar Rama për gjyqtarët e Kushtetueses duhen edhe disa vota nga deputetët e Bashës.

Ligji ka një vit në sirtarët e Kuvendit, sepse kërkon 84 vota. Ende nuk dihet se pse u fut në rend dite ky ligj, por sërish nuk u miratua. Bledar Çuçi kërkoi të hiqet nga votimi pasi nuk plotësohet numri prej 84 votash.

Ndërkohë lidhur me këtë ligj pati ndarje dhe brenda PS. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Fatmir Xhafaj e cilëson si absurditet shtesën mbi pagë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të parashikuar në projekt-ligj.

Ndërkohë demokratët e drejtuar nga Sali Berisha janë kundër dhe janë shprehur se nuk do ta votojnë këtë ligj në Kuvend. Në rast se votohet, anëtarët e Kushtetueses do kenë një pagë afërsisht sa ajo e Presidentit, ndërkohë që do të përfitojnë një shtesë mbi pagën deri në 58 për qind. Në korrik të vitit që kaloi, PS propozoi një ndryshim në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku parashikohet që anëtarët e Kushtetueses të marrin deri në 6.5 mln lekë në muaj. Ky ligj kërkon 84 vota dhe dështoi të miratohej. Drafti mbeti në sirtarët e Kuvendit, por Nikolla e ka rikthyer. Javët e fundit Kushtetuesja ka dhënë një sërë vendimesh në favor të qeverisë dhe duket se Edi Rama është rivënë në lëvizje të shpërblejë 9 anëtarët e kësaj gjykate.