Maskat dhunojnë dhe grabisin çiftin e moshuar në Peshkopi, rrëfimi: Çanë derën, dhe u futën brenda

352
Sigal

Një grabitje me dhunë ka ndodhur në Çerenë të Peshkopisë, ku gjashtë autorë kanë hyrë në banesën e një çifti të moshuarish, të cilët i kanë pasur fëmijët në emigracion.

Çifti i të moshuarve, Rrahman dhe Hasije Dulja, është shprehur se kanë qenë gjashtë persona me kapuç, të moshave të reja që iu kanë hyrë në banesë dhe i kanë rrahur.

“Ishte ora 11, ishim duke parë televizor, trokiti dera e shtëpisë. Dolëm te dera, bërtisnin hapni derën dhe ne nuk e hapëm. Këmbëngulën dhe në fund çanë derën, dhe u futën brenda 6 persona”, kanë treguar çifti i bashkëshortëve.

Mësohet se burrit i kanë shkaktuar fraktura në sy dhe në veshë si pasojë e shtyrjes ndërkohë që bashkëshortes i kanë thyer gishtin e dorës dhe dy brinjë.

Sapo kanë hyrë brenda, grabitësit kanë kërkuar paratë, ndërkohë që bashkëshortja, ka tentuar që ti heqë maskën njërit prej autorëve.

Pas largimit të autorëve, çifti ka konstatuar se dhoma e gjumit ka qenë e shkatërruar, dhe ishin marrë prej aty bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Gjithashtu kanë grabitur edhe çantën e gruas në të cilën ka pasur karta identiteti, lekë dhe receta mjekësore.

Mësohet se e gjithë grabitja nuk ka zgjatur më shumë se pesë minuta, ndërsa çifti i bashkëshortëve kanë shkuar te komshinjtë, nga ku më pas kanë lajmëruar dhe policinë.

Është bërë i mundur dhe transferimi i tyre në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Policia ka konstatuar se autorët kishin shkuar me makinë drejt banesës, të cilën e kishin lënë larg rreth 200 metra.

Nuk ka ende asnjë të arrestuar nga policia për ngjarjen.