“Luftë klasash ” edhe me shpërblimin e vitit të ri!

849
Sigal

Qeveria nuk tregoi shpërblimet për 40 kategoritë e “agallarëve” të shtetit. “Emulacion socialist” dhe absurd, ata që marrin më shumë, përfitojnë më shumë

Qeveria “Rilindja”, deklaroi se do të akordojë shpërblime për Vitin e Ri. “Sihariqin e madh” e dha kryeministri Edi Rama. Por “sihariqi” është “gëzim” që do shijohet vetëm nga pak shqiptarë nëpunës, zyrtarë e punonjës të shtetit dhe nga disa kategori sociale ekstremisht inferiore, me jetesë nën minimum jetik të varfërisë ekonomike. Edhe ky “gëzim”, financiarisht nuk do të shijohet në mënyrë të barabartë nga të gjithë të shpërblyerit. Skema e shpërblimeve e bërë 25 vite pas ndarjes nga shteti komunist, të kujton propagandën e viteve të “Emulacionit socialist”. Kështu duket sikur e ka ndërtuar qeveria aktuale skemën e dhënies së shpërblimeve. Duket sikur  prezantohet një “risi”, por në fakt kjo skemë shpërblimesh është një “vjetërsi” dhe padrejtësi. Njohja me kategoritë e punonjësve, me shtresat shoqërore dhe me tarifat e vendosura për shpërblimet, madje edhe dallimet moshore të atyre që përfitojnë, na servir një model “lufte klasash”, pabarazi, privilegje, përjashtime e tallje…

Ata që fitojnë më shumë, do shpërblehen më shumë

Premtimi i qeverisë “Rilindja” në opozitë dhe në fillim të ushtrimit të pushtetit në shtator 2014, nën zhurmën e parullës: “Ata që fitojnë më shumë, do të paguajnë më shumë”, duket se nuk u bë realitet as në shpërblimet e Vitit të Ri. Sipas masës së shpërblimit të deklaruar nga kreu i qeverisë, vlera financiare që do t’u jepet të përzgjedhurve si shpërblim fundv iti, do të jetë e ndryshme. Pensionisti që ka pagesën mujore më të ulët, do të marrë më pak shpërblim, ose 2 mijë lekë të reja! Mësuesit, që paguhen më shumë, do të marrin 20 herë shpërblim më tepër se pensionistët. Një veteran lufte, ose secili prej 1095 veteranëve të mbetur ende gjallë, do të marrë nga 5 mijë lekë shpërblim për Vitin e ri, ose 8 herë më pak se shpërblimi i një mjeku. Polici, do të marrë një shpërblim 40 mijë lekë të reja, ndërsa fëmija i një polici të vrarë në krye të detyrës, do të marrë 10 mijë lekë të reja shpërblim, ose 4 herë më pak se fëmija i policit që është gjallë! Një i përndjekur politik mbi 65 vjeç, do të shpërblehet me 5 mijë lekë të reja, ose 8 herë më pak se sa do shpërblehet mjeku. Një shqiptar me ndihmë ekonomike ose invalid, do të shpërblehet me 3 mijë lekë të reja, ose 2 mijë lekë të reja më pak se nxënësi i shkëlqyer! Edhe një krahasim tjetër: nëse një polic, mësues, mjek me shpërblimin e Vitit të Ri mund të blejë 6 gjela deti, një veterani ose të përndjekuri politik i duhen edhe 1 mijë lekë të reja të blejë gjelin e detit, ndërsa një pensionisti i duhen edhe 4 mijë lekë të reja të blejë gjelin e detit. Mund të bëhet dallim e diferencim pagesash në punë, në kategorinë e përfitimit të pensionit sipas profesionit, në aftësi shkencore e heroizma në emër të interesave të shtetit, por që të bëhen diferencime edhe për shpërblimet e Vitit të Ri, kur ajo ditë është e njëjtë dhe e barabartë për të gjithë, kjo është kjo është absurde!

“Luftë klasash” edhe me shpërblimin e Vitit të Ri

Shoqëria përbëhet nga klasa sociale me të pasur, të varfër, zyrtarë, shtetarë të lartë e të mesëm, punonjës të thjeshtë, të papunë e invalidë. Qeveria i ndau shpërblimet e Vitit të Ri, jo për të gjithë njësoj, por “me klasa” shoqërore. U futën në listat e shpërblimeve mësuesit, mjekët, policët, nxënësit dhe studentët e dalluar, por u lanë jashtë liste të papunët, jetimët, ushtarakët e forcave të armatosura, studentët e shkëlqyer, të moshuarit e braktisur, të përndjekurit nën moshën 65 vjeç, të moshuarit azilantë, rojet, shoferët, punonjësit e administratës publike…etj. Po këta, nuk duan të gëzojnë Vitin e Ri? I jepet shpërblim mjekut e mësuesit, por nuk u jepet rojeve të shkollave e spitaleve, që e kanë pagën 65% më të vogël. Përfitojnë mësuesit, por jo punonjësit e çerdheve! Përfitojnë policët, por jo zjarrfikësit! Përfitojnë mjekët, por jo infermierët! Kjo ndarje “në klasa” edhe për shpërblimet, nuk ka asnjë shpjegim. Me këtë përjashtim “klasor” që bëri me shpërblimet e Vitit të Ri, qeveria “legalizoi” denigrimin social të disa prej kategorive shoqërore. Të tallësh pensionistin me 3 mijë lekë të reja shpërblim dhe të shpërblesh mjekun me 13 herë më tepër, kjo është skandaloze. Nëse ka kategori që nuk meriton shpërblim për Vitin e Ri, janë pikërisht mjekët me në krye ministrin e tyre “derdimenë” e shkatërrues të mjekësisë shqiptare, përkëdhelës të korrupsionit në shërbimin shëndetësore, ortakut dhe aleatit të mjekëve që kanë nga 2-3 klinika private e që punojnë në 10 klinika të tjera, deri edhe pedagogë në universitetin mjekësor shtetëror e në disa universitete private, brenda të njëjtit orar pune. Dhe qeveria na flet për shpërblime, kur ata meritojnë vetëm ndëshkime! Kryeministri na thotë, se ka mjekë të “dalluar”. Po, zoti kryeministër, ka ka mjekë të dalluar, por që “dallohen” për abuzime e ryshfete, për pazare medikamentesh e detyrim pacientësh për t’u vizituar në klinikat e tyre, deri edhe me vrasje pacientësh dhe pikërisht këta janë “çeta” që mbanë pranë e rrotull ministri Beqja, të cilët patjetër që do vihen në listat e shpërblimit të Vitit të Ri prej tij. Të shpërblesh një mësues me 40 mijë lekë të reja në muaj dhe një invalid me 3 mijë lekë të reja, kjo është tallje, dallim tipik “klasor”!

Emulacion socialist edhe me… shpërblimet

Edhe pse janë disa kategori punonjësish e shtresash sociale që sipas “sihariqit” të kryeministrit do të përfitojnë shpërblim për Vitin e Ri, ky shpërblim do të jepet me metodën e ish-praktikës së “emulacionit socialist”. Jo të gjithë mësuesit, nxënësit, studentët, mjekët dhe policët do të përfitojnë shpërblim. Do shpërblehen vetëm “të dalluarit”, ndërsa të “prapambeturit”, nuk do të shpërblehen. Kjo ndarje me “tabelë emulacioni” është menduar të bëhet nga qeveria për shpërblimet e fundit të vitit. Do të shpërblehen mësuesit e dalluar, mjekët e dalluar, nxënësit e dalluar, policët e dalluar. Ndërsa invalidët, veteranët dhe të përndjekurit, do të përfitojnë pa dallim “biografie”, qofshin “të dalluar”, ose “rrugaçë”! Do të përfitojnë edhe pensionistët, por jo të gjithë njësoj, mbasi sipas vendimit të qeverisë, pensionistët që janë kryefamiljarë do të përfitojnë 3 mijë lekë të reja, ndërsa pensionistët që nuk janë kryefamiljarë do të përfitojnë vetëm 2 mijë lekë të reja dhe pensionistë që nuk janë kryefamiljarë janë afro 220 mijë, nga 583 mijë e 432 pensionistë që janë gjithsej! Kjo kategori pensionistësh, kanë bërë “fajin” që ua kanë dorëzuar “çelësat e familjes” fëmijëve, ndaj nuk quhen kryefamiljarë dhe nuk përfitojnë shpërblim të njëjtë me të tjerët edhe sikur të jenë të “dalluar” në lagje e qytet, apo në fshatin ku banojnë!

Qeveria do shpërblejë shtetarët me marifetin e pagës së 13-të

Për punonjësit dhe nxënësit e “dalluar” dhe për disa nga shtresat e tjera shoqërore, qeveria publikoi masën dhe skemën e shpërblimeve financiare të Vitit të Ri. Nuk përfitojnë të gjithë, madje të varfrit përfitojnë sa 5-10% të shpërblimit që përfitojnë rrogëtarët “qehallarë” të shtetit. Por qeveria, nuk deklaroi, që shpërblim do të marrin edhe shtetarët, ministra, zv/ministra, deputetë, diplomatë, këshilltarë qeverie, sekretare personale, shoferë, sekretarë të përgjithshëm, shefa SHIKU, ERE, OSHE, OST, zëdhënës shtypi, aviacioni civil, dogane, tatime, garde, drejtorë drejtorie të çdo niveli lokalë e qendror, prefektë, zv/prefektë, drejtues qarqesh, drejtues komunash e bashkie, shoqërues të shtetarëve etj. Nëpërmjet një informacioni të dalë sot nga kryeministria, mësuam se qeveria ka vendosur që shtetarët dhe zyrtarët e saj, deri tek këshilltarë presidence, ti shpërblejë pa dallim sit ë dallaurit edhe të korruptuarit, hajdutët, abuzatorët, shkelësit e ligjit. Janë 20 kategori shtetarësh “agallarë” që përfitojnë shpërblim të plotë për Vitin e Ri, sa një pagë mujore e jo me diferencime dhe përjashtime si “qehallarët” dhe populli. Ky nuk do të quhet shpërblim, por “zbatimi i Kodit të Punës për përfitimin e pagës së 13-të”. Ky është marifeti që do përdoret, që “agallarët” të mos bien në sy sikur marrin shpërblim për Vitin e Ri. Në fakt do marrin dhe madje nga një pagë mujore, që dihet se sa është.

Ja shpërblimi i deklaruar, për 15

 kategoritë e “qehallarëve të dalluar”

 1. Personat me aftësi të kufizuar 3 mijë lekë

2. Familjet me ndihmë ekonomike 3 mijë lekë

3. Pensionistët kryefamiljarë 3 mijë lekë

4. Pensionistët jo kryefamiljarë 2 mijë lekë

5. Veteranët e luftës 5 mijë lekë

6. Të përndjekurit mbi 65 vjeç 5 mijë lekë

7. Të përndjekurit nën 65 vjeç zero lekë

8. Fëmijët e policëve të rënë në detyrë  10 mijë lekë

9. Fëmijët e ushtarakëve të rënë në detyrë  10 mijë lekë

10. Nxënësit e shkëlqyer 5 mijë lekë

11. Studentët e ekselencës  5 mijë lekë

12. Mësuesit e shkëlqyer 40 mijë lekë

13. Mjekët e dalluar 40 mijë lekë

14. Policët rrugorë Tiranë 40 mijë lekë

15. Njësia që shpëtoi parkun e Divjakës 40 mijë lekë

Shpërblimi “sekret” me 1 pagë mujore

për disa nga “agallarët” e shtetit

 1. Kryeministri

2. Zv/kryeministri

3. Sekretari Përgjithshëm

4. Sekretaret

5. Këshilltarët

6. Truprojat

7. Shoferët

9. Ministrat

10. Zv/ministrat

11. Sekretarët e Përgjithshëm

12. Sekretaret

13. Shoferët

14. Truprojat

15. Këshilltarët

16. Deputetët

17. Sekretarët e deputëtëve

18. Presidenti Republikës

19. Zv/Ambasadorët

20. Atashetë

21. Konsujt

22. Shoferët

23. Sekretaret

24. Drejtorët e doganave

25. Drejtorët e tatimeve

26. Shefat e tatimeve

27. Shefat e doganave

28. Drejtorët e policive

29. Shefat e komisariateve

30. Drejtori OST

31. Bordi dhe shefat e OST

32. Drejtori OSHE

33. Bordi dhe shefat e OSHE

34. Drejtori KESH

35. Shefat dhe bordi KESH

36. Banka e shtetit

37. Të 400 punonjësit e BSH

38. Rektorët e Universiteteve

39. Z/rektorët e universiteteve

40. Ambasadorët

Numri “mësuesve të dalluar”

që do marrin shpërblim

 

Tirana:             680 mësues

Durrësi:           420 mësues

Elbasani:          420 mësues

Fieri:                400 mësues

Berati:              340 mësues

Korça:             460 mësues

Kukësi:            250 mësues

Gjirokastra:     370 mësues

Lezha:              390 mësues

Dibra:             290 mësues

Vlora:              410 mësues

Shkodra:          400 mësues

Numri “mjekëve të dalluar”

 që do marrin shpërblim

Tirana:             190 mjekë

Durrësi:           130 mjekë

Elbasani:          140 mjekë

Fieri:                110 mjekë

Berati:              100 mjekë

Korça:             120 mjekë

Kukësi:            90 mjekë

Gjirokastra:      90 mjekë

Lezha:              90 mjekë

Dibra:              70 mjekë

Vlora:              110 mjekë

Shkodra:          100 mjekë

Përparim HALILI