Ergys Alushi/ Me bukën e gojës, nuk bëhet shaka!

598
Sigal

Të shkretët shqiptarë. E kanë marrë pagën që në datën 2, 3, 4 apo dhe 5 të fillimdhjetorit. Mendoni për një çast se sa u kanë mbetur nga paga për të shpenzuar për festat e funddhjetorit. Shumë pak, për disa. Asgjë, për të tjerë. U është dashur të paguajnë dhe energjinë elektrike, të papaguar prej vitesh, vetëm e vetëm që të mos mbeten pa energji, për të mos shkuar, në fund të fundit, në burg. U është dashur të paguajnë edhe për ujin e pijshëm edhe pse në shtëpitë e tyre, nuk kanë ujë të rrjedhshëm, por vazhdojnë të furnizohen me bolierë. Ndaj dhe u duhet të marrin borxhe. Të shënojnë emrin tek dyqani i lagjes. Sepse këtë vit nuk marrin dot as shpërblimin e fundvitit, i cili sado pak që të ishte ju dukej shumë për të blerë të paktën ndonjë pulë deti apo shpenzime të tjera të vogla. Që nga fillim dhjetori kur tërhoqën pagën, u kanë mbetur shumë pak lekë, për të mos thënë fare për disa që i kanë pagat deri në 30 mijë lekë. Po borxhet e mbartura! Po kësti i kredisë, pagesat për shkolla e kopshte, pagesat e energjisë elektrike e ujit, ilaçet, ushqimet e muajit, etj. Dhe mbas gjithë këtyre pagesave, ju duhet të përballen dhe me rritjen e çmimeve. Me shqiptarët matrapazë që këtej kënaqen e fërkojnë duart për politikanë që kërcënohen me burg e nga ana tjetër, bëjnë veprime që janë për tu varur në sheshet e qyteteve. Shqiptarë që jetojnë e shtojnë fitimet me paligjshmërinë e përditshme të tyre. Janë ditët e fundit. Dhe shqiptarët duket se janë dorëzuar tek borxhet, tek listat ku shënojnë emrin. Dhe qëndrojnë para televizorit e ndjekin se si tallen deputetët në parlament. Opozitarët e deridjeshëm, që sa ishin në opozitë, i bënin llogaritë si më lart. Pushtetarët e deridjeshëm, që i bëjnë llogaritë si opozitarët e deridjeshëm. Do të vij janari, shkurti, marsi e kështu me radhë. Janë muajt e larjeve të borxheve. Për ata që do të munden ti lajnë, për ata që do të tentojnë, por ndoshta nuk do tia dalin dot, për ata që do të vazhdojnë të marrin borxh pas borxhi, për ata që do të ndiejnë deri dhe mungesën e bukës së përditshme, për ata që nuk kanë njerëz në këtë botë, për ata që do të rëndohen financiarisht nga reformat drastike. Ndaj dhe situata nuk është aspak normale, është absurd, e errët, e hidhur, gati e pashpresë, pritshmëria po ia lë vendin padurimit. Shqiptarët nuk duan programe, letra, llogari, krahasime, dhurata, pastrime territori vullnetare, akuza e kundërakuza. Shqiptarët sot kërkojnë bukën e gojës. Jepuani, se, me bukën nuk bëhet shaka.