Lufta në Ukrainë, Meta: Palët të gjejnë zgjidhje përmes dialogut, qëndrimi i Shqipërisë është dhe mbetet i qartë…

171
Sigal

Presidenti Ilir Meta foli për luftën në Ukrainë, pas takimit me ambasadorin e Ukrainës në vendin tonë, duke thënë se qëndrimi i Shqipërisë është e do të jetë i qartë, në linjë të plotë me atë të BE e NATO.

Presidenti Meta tha se Rusia dhe Ukraina duhet të ndalojnë luftën e të gjejnë zgjidhje të situatës përmes dialogut, ndërsa shtoi se shpreson që kjo situatë agresioni të tejkalohet sa më parë.

“Po mbrojnë lirinë dhe dinjitetin e tyre, si një popull evropian që ka dhënë aq shumë për lirinë, në të kaluarën, por që dhe sot po jep një shembull frymëzues për të mbrojtur jo vetëm shtetin e tyre, për mbrojtur jo vetëm dinjitetin e tyre kombëtar e njerëz, por edhe vlerat më të mira evropiane. Ndaj jemi në krah të Ukrainës e të Presidentit Zelensky, jemi për të shprehur dhe njëherë ngushëllime për viktimat e pafajshme dhe të gjithë të lënduarit, nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar.

 

Natyrisht që ne kemi bërë e do bëjmë të gjitha përpjekjet, së bashku me të gjitha vendet demokratike e të përgjegjshme, për të nxitur jo vetëm armëpushimin dhe rikthimin e dialogut, por njëkohësisht ne besojmë se vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhja për këtë situatë dhe në këtë drejtim përpjekjet tona edhe si vend anëtar i NATO, por edhe si një vend që synon anëtarësimin në BE, kanë qenë dhe mbeten të qarta, në një linjë të plotë me NATO e me BE. Dua të falënderoj të gjitha institucionet tona, Kryqin e Kuq, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarët, që kanë shprehur solidaritetin, që kanë nisur mbështetjen humanitare. Shpresojmë që sa më parë kjo situatë të tejkalohet, por sigurisht që ne do të vazhdojmë të jemi në krah të popullit të Ukrainës dhe brenda gjithë mundësive tona do të marrim përgjegjësitë tona dhe do të ndajmë peshën e solidaritetit me të gjithë vendet e tjera të BE”, tha Meta.