Llalla: Synojmë që prokurorët të jenë persona me aftësi të larta profesionale

520
Rreth 30 kandidatë për 4 vende vakante për prokurorë në disa rrethe gjyqësore ishin pjesë e testimit që po zhvillohet sot me procedurën e re me dy faza; Faza e parë është testimi teorik para Komisionit përkatës të Testimit, i përbërë nga prokurorë me përvojë dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Ndërsa faza e dytë është seancë dëgjimore para Këshillit të Prokurorisë për kandidatët që marrin pikët e mjaftueshme në testin teorik. 
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në fjalën e tij përshëndetëse para fillimit të testimit të sotëm për vendet vakante u shpreh se kjo procedurë, synon që prokurorët e ardhshëm të jenë persona me aftësi të larta profesionale dhe personale, për të qenë në lartësinë e nevojshme për të zhvilluar hetime të plota, si edhe për të prezantuar denjësisht Prokurorinë para gjykatës dhe në raport me të tretët
“Kjo formë testimi për prokurorë, e cila po aplikohet për herë të parë, është më e vështirë se sa ka qenë deri më tani. Por, po aq të bindur jemi edhe për faktin se prokurorët që do të dalin nga procedura e sotme dhe në procedurat në vijim, do të kenë kapacitetet jo vetëm për të përfaqësuar akuzën në gjyq, por në një të ardhme jo shumë të largët mund të kenë edhe pozicione drejtuese brenda sistemit. 
Prokuroria Shqiptare ka marrë tashmë rolin lider, më konkretisht atë që i takon, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë besojnë se institucioni i prokurorisë ka rol kyç në forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipërisë. Për këto arsye, institucioni i prokurorisë synon të forcojë radhët e saj me persona që kanë kapacitete të larta profesionale dhe morale”, u shpreh Llalla.
Sigal