Llafazani shëtit gojë më gojë tërë jetën sa të rrojë

2446
Sigal

Nga Sevo Tarifa

-Ese-

“Llafazan”, një fjalë është kjo, por me një domethënie të gjerë, me sinonime “fjalaman”, llafetor”, “llafemadh”, “Llafolog”,  por ajo që ka rëndësi është të hyjmë në përmbajtje të kësaj  fjale si koncept, në kompleksitet dhe në praktikë.

“Kush flet pak, është  më i mençur”

Njerëz të mëdhenj kanë dhënë përcaktime të mençura e të drejta se kush quhet llafazan. Nuk mjafton të thuash se “llafazan është ai që flet gjatë”, se në fakt  “Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër. Fjalët e gjata nuk e shtyjnë përpara punën, ashtu si fustani i gjatë nuk të ndihmon për të ecur” (Sami Frashëri). “Gojtaria e zgjatur bëhet e mërzitshme”, (Paskal), se “ai që flet mbjell, kush e dëgjon korr”.Nuk është e vërtetë që kush flet shumë, është më i mençur nga të tjerët. Përkundrazi, “Kur njeriu flet pak, duket më i mençur”, (Gorki). Këtej del se jo çdo njeri që flet shumë është llafazan.

Po të përcaktohej llafazani vetëm nga sasia e fjalëve që derdh, atëherë llafazanë do të ishin shumë e shumë njerëz.  Mund të quhet “llafazan” edhe ai që flet pak. Varet nga cilësia e fjalëve që thotë: ka të drejtë në ato që shpreh, apo “flet veresie, ndaj s’i ka hije”! “Kur goja flet pa mat, koka e kurrizi hanë dajak”. Njeriu që flet, do parë nga rëndësia dhe cilësia e fjalëve që thotë: janë të menduara fjalët e tij, apo peshojnë lehtë si pendë pule; vlen ta dëgjosh, apo “kot ai që flet dhe kot kush e dëgjon”. Para se t’i thuash tjetrit “Llafazan:”, si ai që flet pak, ashtu dhe ai që flet shumë,  do gjykuar nga domethënia e fjalëve që shprehin: janë mësimdhënëse dhe mbresëlënëse ato që u thotë të tjerëve, apo flet formalisht, “sa për të shkuar radhën”; mëson gjëra të reja prej tij, apo është kohë e humbur për të dy palët; shërben fjalori i bisedës së tij për të zgjeruar horizontin, apo ai flet dhe mendjet e të tjerëve që dëgjojnë “fluturojnë”, ose u afrohet gjumi në sy! Pra e mira dhe e keqja duhen parë bashkë, në raport me njëra tjetrën. Një njeri, pavarësisht se flet gjatë apo shkurt, dhe prej tij pasuron mendjen dhe ndjen kënaqësi shpirtërore apo estetike, s’ka pse të quhet llafazan.

“Fjala e mirë dëgjohet larg”, përvetësohet, përhapet. Në këto raste, “mirë është të flasësh ose mirë është të heshtësh, por njësoj janë të këqija, kur i tepron që të dyja”. (La Fonten). Zakonisht njerëzit janë mësuar t’i thonë “llafazan” atij që flet shumë ose gjatë, atij që flet gjithnjë dhe thotë pak a shumë të njëjtat gjëra. Në fakt, fjalët duhen parë në thelbin e tyre dhe në efektin që bëjnë: kanë “bereqet” apo janë fraza boshe. I mërzitin pjesëmarrësit apo u sjellin gëzim e kënaqësi. Edhe “kur fjala është e shkurtër, qoftë dhe me “po” ose “jo”, duhet ta mendosh seriozisht për ta thënë”. (Pitagora). Në raste të tilla është më mirë të heshtësh. Ka njerëz, madje dhe drejtues, të cilët mendojnë se “i dinë të gjitha” dhe flasin me “dy pare në xhep”, të papërgatitur. Këtyre u kujtojmë këshilla të arta: “Fol vetëm atë që e ke të qartë, ndryshe hesht.(Tolstoi). “Heshtja është pushim i shpirtit”. (Bekon). “Me të tjerët fol më pak, me vetveten më shumë”.Kështu rriten kërkesat ndaj vetes. Llafazanë ka deri dhe në Kuvendin e Shqipërisë. E dinë vetë ata ose ato që janë të tillë. E shohin me sy tek vetja “sëmundjen” që i ka kapur e nuk i lëshon, por bëjnë sikur s’e kuptojnë, ose nuk pranojnë t’ua vësh në dukje me dashamirësi. Ka prej tyre që jo vetëm flasin gjatë, por nuk rrinë pa e marrë fjalën disa herë; ndërhyjnë e debatojnë pas çdo diskutanti, flasin rëndomë. Ngrenë zërin, shprehen ashpër, kjo për mungesë argumentesh dhe arrogance. Llafazani “livadhis pa frè”, çfarë i vjen në majë të gjuhës, pa e menduar, pa e vrarë mendjen. Fjala e tij është keqdashëse, nxin si qymyri. Në raste të tilla llafazani është më mirë të mos thotë gjë fare. “Fjala e pathënë është e artë”. (Tolstoi). Këtyre u duhet thënë: ”Mos i lësho fjalët në erë, pa e ditur se nga fryn ajo”.

Nuk duhet harruar se “fjala i përket përgjysmë atij që e thotë dhe për gjysmë atij që e dëgjon”. Fjalët janë me vlerë dhe bëjnë efekt pozitiv, kur shprehen me modesti, jo për t’u mburrur, jo për të shitur mend. Kur fjala tërheq, nuk e bëjnë dëgjuesin të mendojë “pse erdha fare në këtë mbledhje”.

“Me mendjen e botës,  humbet mend e kokës”!

Llafazan është edhe ai që merr fjalën nga pak e shumë herë. Sa ngrihet, ulet dhe ngrihet prapë. Megjithatë do gjykuar jo vetëm sa herë flet, por çfarë ka brendia e fjalëve Të Tij. Po ka të drejtë, dëgjoje, po ka gjë të mirë, fitoje, po thotë ndonjë gjë jo të saktë, merr atë që është racionale, merr thelbin, lëri mënjanë lëvozhgat. Në një mbledhje të fshatin “Asim Zeneli” Gjirokastër, bëhej thirrje që “të dorëzohen vullnetarisht fletët e obligacioneve të huas shtetërore”. Këtë çështje e ngrinte gjithnjë i njëjti person, me të njëjtat fjalë. Ky “bombardonte” me fjalët “falja e tyre shtetit, është çështje patriotike”! Kur u pyet, “po ti, je gati t’i dorëzosh bonot”?, ai u përgjigj: “unë s’kam, po të kisha do t’i dorëzoja”! Kolektivi iu kthye duke i thënë jo vetëm llafazan, por edhe ngatërrestar, që na hiqet si revolucionar, “hedh një gur në lumë dhe hajde ta nxjerrësh”! Po kështu, në një konferencë të rinisë durrsake, një delegat që ishte në presidium, kritikoi një kandidat, i cili propozohej për t’u zgjedhur në forum të rrethit duke thënë se “është mendjemadh”. Pas tij u ngrit një tjetër, edhe ky u shpreh gjithashtu se “është mendjemadh”. Dhe kur ky u pyet “nga e njeh ti”?, u përgjigj: “jo, unë nuk e njoh nga afër, por meqë dëgjova këtu se “është mendjemadh”, kështu them edhe unë”! U ngrit një tjetër dhe iu drejtua me fjalët: ti je llafazan, merresh me thashetheme, ç’dëgjon, transmeton, je merr e shpjer”. Dhe i kujtoi fjalën “Kush shkon me mendjen e botës, humbet mend e kokës”!  Këtej del një anë tjetër e figurës së llafazanit: a merret me thashetheme llafazani? Në vargun e gjatë të fjalëve që ai rrokullis, gjenden edhe thashetheme, fjalë të të tjerëve ose deformim e shtrembërim të tyre. Por sido që të jenë, këto mund të përbëjnë një pjesë të fjalorit të tij si llafazan. Midis llafazanit dhe atij që merret me thashetheme nuk duhet vënë shenja e barazimit. Edhe këtu problemi duhet parë jo aq nga forma, sa nga përmbajtja dhe nga vërtetësia e fjalëve që thotë. Në rast se llafazani mban në gojë njerëz që s’janë të pranishëm, ose transmeton nga fjala e tyre duke  shtuar dhe “nga xhepi”, apo e bën “qimen tra”, aq më keq kur shpif e shan, ky është edhe llafazan tipik, edhe thashetheme bërës.  Të jesh llafazan, ke një ves të keq. Ti mban në gojë të tjerë, këta të mbajnë në gojë ty. Ta thonë dhe s’ta thonë. Vlerësimin e llafazanit e ka bërë aq mirë populli, me fjalë të urta të tij, të cilat tregojnë fytyrën e vërtetë të llafazanit. Të jesh llafazan dhe të merresh me thashetheme, do të thotë se ty të gërryejnë nga brenda vese. Po veset janë më keq se një sëmundje ngjitëse. “Më mirë të kesh dy sëmundje, se dy vese”. Ai që ka një ves dhe nuk heq dorë prej tij, i thotë vetvetes: “ves o ves, me ty do vdes”. “Vesi vdes shtatë ditë pas shpirtit”. “Fytyra lahet, por vesi s’lahet”. Ja pse virtytet janë shumë më të mira e më të bukura për njeriun. “Vesi me virtytin janë të afërm si qymyri me diamantin”. (Çhanfort)  Veset janë si “dekorata” në figurën e llafazanit. E njollosin dhe e shëmtojnë atë. Ka vese që veprojnë më vete në sjelljen e llafazanit, ka dhe vese që e njollosin të lidhura bashkë,  duke i “shtrënguar lakun në fyt”. Llafazani më shumë flet kur sheh se i shkelen interesa të tij sesa dhe rrallë ndërhyn kur shkelen interesa të të tjerëve. Kjo është shenjë egoiste. Ose, flet shumë se i duket sikur “di më tepër nga ata që e dëgjojnë, madje ka që i thotë shokut: “më dëgjo mua, se unë di më shumë nga ty”! Kjo është dukuri e mendjemadhësisë, e mbivlerësimit të vetes. Flet kundër tjetrit që dikur i ka bërë një kritikë, të cilën e ka mbajtur “vath në vesh” dhe përgjon e gjen rastin të marrë hakë, pra është hakmarrës. Llafazani sheh se një personi i bëhet një e mirë e merituar dhe flet poshtë e lartë se “ky është hatër”, në këtë rast llafazani është smiranjoz. Flet jo një herë dhe gjatë për një djalë e një vajzë që bien në sy se shoqërohen shumë dhe rrëshqet kështu në pozitat e xhelozit. Ose, kur llafazani flet me zë të lartë, arsyet mund të jenë dy, njëra objektive, se i është dobësuar dëgjimi dhe nuk dëgjon mirë, tjetra subjektive, ka inat, është nervoz, gjaknxehtë, pra i është prekur sistemi qendror nervor.

Llafazani kalon nga fjala te hala

Shfaqjet e sipërme janë të karakterit moral. Por ndodhin edhe raste që delet nga ky kuadër dhe llafazani shket politikisht, edhe pa dashje. Se dihet që moralin një hap e ndan nga politika. Pikërisht këtë rrezik të shthurjes së njeriut përgjon dhe shfrytëzon armiku, të cilit, pa dashur i jep një informacion. Këtu e ka fjalën Sami Frashëri kur thotë se “llafazani është xhevahir për armikun”. Dhe shembujt nuk mungojnë. Një ditë, në një lulishte të Tiranës së Re po bisedonin tetë pensionistë. Shtatë flisnin pak dhe me maturi. Njëri ishte llafazan tipik. Diskutohej për pensionet. Erdhi fjala se pensioni në monizëm ishte i ulët në krahasim me pensionin në këtë periudhë të tranzicionit. Por lihej mënjanë ana tjetër: shtrenjtësia e mallrave sot. U ndezën diskutimet. Llafazani kuptohej se ishte “vithisur” politikisht.  Ky jo vetëm fliste shumë, por ç’nuk thoshte kundër viteve socialiste. Villte vrer. “Gjeti” rastin të shfrynte. Por e pa keq, se raporti ishte një me shtatë. Të gjithë e vunë “me shpatulla në mur”, ndërsa njëri i tha: “po ç’të keqe ke parë ti, mor i paudhë, ai regjim të bëri oficer të sigurimit dhe tani del e flet sikur je i persekutuar politik?!”. Vetë llafazani po e fuste veten në “kallëp politik”… Para një dyqani ushqimor në lagjen 56 qëndronin në radhë për t’u furnizuar një grup njerëzish, burra e gra.  Dy prej tyre, bënin fjalë dhe po grindeshin. Njëri thoshte “sot kemi bollëk, blejmë ç’të duam e sa të duam”. Tjetri theksonte që “sot ka më shumë të varfër, që s’kanë as bukë të hanë, pa le të blejnë dhe çokollata për fëmijët”. Debati u nxeh. Ndërhyri një i tretë: “Më falni, por këtu jemi për të blerë sipas takatit që ka secili, politika s’mbeti ta bëjmë ne këtu në radhë”. Njëri nga ata të dy që grindeshin, i cili me sa duket ishte i djathtë, iu përgjigj: “Ti mos fol, e dimë ku ke punuar. iu vërsulën të gjithë se kaloi nga fala te hala. Kjo ese jep pak a shumë një portret tip të llafazanit. Gjatë leximit e kupton secili se ku mund të jetë emri i tij, i shokut, apo i mikut. Duke reflektuar e luftuar kundër këtij vesi, fiton virtyti. cili “është shëndeti, bukuria, rinia”, kurse vesi është “sëmundja, shëmtira dhe dobësia”. (Platoni)