Liri Kasani: “Më hoqën përkrahjen sociale se jam socialiste”

952
Sigal

Liri Kasani 55 vjeç nga fshati Mbrakull, Komuna Vërtop, prej kohësh vuan pasojat e varfërisë së madhe që i kanë krijuar pushtetarët, të cilët e kanë lënë pa përkrahje dhe pa tokë. 55-vjeçarja është në një gjendje shëndetësore të rënduar dhe ato pak ilaçe i merr duke shitur lule që i mbledh, me shpirt nëpër dhëmbë, në malin e Tomorrit. Liri Kasani thotë për gazetën “Telegraf”, se prej disa vjetësh vuan nga uria dhe sëmundjet që e kanë mbërthyer. Ajo shprehet: “ Unë kam marrë përkrahje sociale nga Komuna e Bogovës pasi më parë kam qenë me banim në fshatin Barbullas, por duke qenë se shtëpi nuk kisha, tokë po ashtu, u detyrova që të strehohesha pranë vëllait në fshatin Mbrakull. Jam shumë e sëmurë. Po luftoj prej kohësh me vdekjen dhe kështu si jam po ngjis malin për të mbledhur lule dhe më pas i shesë ato për të blerë ilaçet që më jep mjeku. Për bukë nuk bëhet fjalë fare. Më jep vëllai për sevap se i vjen keq, por edhe ai nuk është mirë nga gjendja ekonomike. Kam shkuar në të gjitha zyrat e pushtetarëve, në komuna, prefekturë  dhe në qark, por asnjëri nuk më ka zgjidhur hallin, të gjithë më premtojnë, por asnjë nuk e mban fjalën. Ata po më sorollatin sa në një zyrë në tjetrën. Disa herë me ka rënë të fikët rrugëve, kalimtarët më kanë dërguar për sevap në spital për të marrë ndihmën mjekësore”. Ajo shprehet se pas ndryshimeve në komunë të kryetarit ndryshoi dhe përkrahja sociale kundrejt saj. “Kryetari i ri që ka një vit që u zgjodh në krye të komunës ma hoqi përkrahjen. Nuk e kuptoj pse e kreu këtë veprim. Unë i kam kërkuar sqarime, por ai më tha se nuk të takon, kur unë e kam marrë prej kohësh brenda të gjitha rregullave ligjore. I gjithë problemi qëndron se unë jam socialiste dhe nuk më takon përkrahja e komunës, pasi kjo e fundit është fituar nga demokratët, kështu më kanë thënë punonjësit e komunës”, tha ajo.

Gjuante peshk me dinamit, plagoset 17-vjeçari

Berat- Një 17 -vjeçar ka përfunduar i plagosur në Spitalin e Beratit, por gjendja e tij është përkeqësuar çka ka sjell dhe transportimin e tij në Spitalin Ushtarak. I riu kishte shkuar në lumin Osum për të gjuajtur peshk me lëndë plasëse. Sipas policisë shtetasi me inicialet H. P., 17 vjeç nga lagja “Dëshmorët e Kombit”  ka shkuar tek vendi i quajtur “Diga” për të gjuajtur peshk me lëndë plasëse artizanale me shishe të mbushura me ure. Në çastin që 17-vjeçari kishte tentuar ta hidhte atë në ujërat e lumit është plagosur edhe vetë. Plagët e marra kanë qenë në pjesën e barkut. Disa shokë që kishin qenë aty pranë kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila kishte shkuar në vendngjarje. Pas këqyrjes së rrethanave dhe identifikimin e autorit kanë bërë transportimin e tij në urgjencë.