Lindita Nikollës i shtohen pasuritë, “trashëgimi” apo pasuri e fshehur kur ishte me poste?

Ish-kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolla rezulton ka shtuar pasurinë e saj pas daljes nga politika. Ka dyshime se këto pasuri janë përfituar gjatë periudhës që ishte e angazhuar në politikë dhe janë mbajtur të fshehura

Ish-kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, është vënë në qendër të debatit publik pas deklarimit të pasurisë për vitin 2024, ku figurojnë disa pasuri të paluajtshme të reja, përfshirë dy apartamente me sipërfaqe 104.36 m² dhe 77.70 m², dy njësi me sipërfaqe 34.14 m² dhe 133.26 m², si edhe dy garazhe me sipërfaqe 16.88 m² dhe 16.80 m². Të gjitha këto pasuri janë deklaruar me pjesë takuese 50% dhe me burim krijimi “trashëgimi”, sipas dokumenteve zyrtare të deklarimit pasuror.Në të njëjtin deklarim figuron edhe një shtim i llogarisë bankare në vlerën 1,285,417.20 lekë, me burim të ardhura nga paga, duke shtuar edhe më shumë pyetje mbi raportin mes të ardhurave zyrtare dhe pasurive të deklaruara, shkruan joq. Ndërkohë që ligjërisht trashëgimia është një burim i njohur pasurie, mungesa e transparencës së detajuar mbi origjinën, vlerësimin dhe kohën e përfitimit të këtyre pasurive ka ndezur debat publik për standardin e verifikimit të zyrtarëve të lartë.Rasti ka rikthyer në vëmendje rolin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK, për të verifikuar burimin e pasurive të funksionarëve të lartë, sidomos kur ndryshimet në deklarime shfaqen pas largimit nga detyra. Në mungesë të transparencës së plotë institucionale, debati publik po lëviz mes kërkesës për hetim të detajuar dhe ironisë së zakonshme shqiptare, ku pyetja mbetet e njëjtë: si kthehet një karrierë politike në një listë pronash me shënimin “trashëgimi”, pa shpjegime të tjera për publikun.

Sigal