Ligji për pronat, qeveria ofron çmime disa herë më të ulëta se tregu

327
Projektligji Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave i përgatitur nga qeveria dhe që aktualisht është hedhur për diskutim me grupet e interesit, synon të plotësojë kërkesën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për t’i dhënë zgjidhje sistemike problemit të kompensimeve të premtuara gjatë dy dekadave të fundit për pronat e sekuestruara gjatë kohës së komunizmit përmes krijimit të një fondi kompensimi i cili do të financohet nga buxheti i shtetit në masën prej minimalisht 5 miliardë lekë në vit (40 milionë euro) si dhe përmes vënies në dispozicion të kompensimit të një sasie pronash publike, lista dhe përmasat e të cilave nuk janë bërë të qarta. Projektligji synon që qeveria efektivisht të blejë pronat, për të cilat ka një vendim njohjeje nga Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilat funksionuan në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Sipas kryeministrit Edi Rama, janë 26 mijë vendime të tilla që presin ekzekutim dhe 9 mijë të tjera që presin shqyrtimin.
Pjesa më e debatueshme e projekt-ligjit është pika 3 e nenit 6, e cila sanksionon që toka do të vlerësohet sipas statusit që ka pasur në kohën e shpronësimit dhe jo sipas statusit që ajo ka sot. Kjo do të thotë se tokat që sot mund të kenë statusin e truallit, veçanërisht ato përreth qyteteve të mëdha, do të duhet të kompensohen me çmimin e tokës bujqësore. Një pjesë e madhe e tokave përreth Tiranës, qyteti që ka pësuar dyfishim në sipërfaqe përgjatë dekadave të fundit, do të kompensohen me çmimin e tokës bujqësore, çmim që varion nga 200 në 450 lekë për metër katror.
Projektligji sanksionon që Agjencia e Pronave të vlerësojë sipas hartës së çmimeve, çdo vendim të mëparshëm kompensimi. 
Pas kësaj, çmimi i nxjerrë i pronës do të indeksohet me normën e inflacionit të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë nga çasti i vlerësimit deri në çastin e ekzekutimit të kompensimit. Qeveria ka përcaktuar në ligj se do të akordojë çdo vit së paku 5 miliardë lekë fond për kompensim financiar. Projektligji sanksionon që Agjencia do të nxjerrë në ankand pronat shtetërore për dy herë, ku e drejta e pjesëmarrjes i takon ekskluzivisht poseduesve të të drejtës për kompensim dhe në rast se ankandet dështojnë, e nxjerr këtë pronë në ankand të hapur me kushtin që të ardhurat e krijuara nga shitja të kalojnë te kompensimi financiar. Shqipëria miratoi ligjin e parë për kthimin dhe kompensimin e pronave në vitin 1992 me atë të së cilit premtoi se do të kthente pronat e lira të “shtetëzuara” gjatë kohës së komunizmit dhe do të kompensonte në natyrë pronat që pasi qenë shtetëzuar, qenë zënë dhe rrjedhimisht nuk ishin më të disponueshme për kthim fizik.
Në vitin 2004, pas një presioni të gjatë nga pronarët si dhe nga faktori ndërkombëtar, qeveria socialiste e asaj kohe miratoi një ligj të ri, i cili synonte të kryente procesin e mbetur pezull të kompensimit të pronave. Por ligji i vitit 2004 nuk rezultoi i mbuluar me fonde dhe efektivisht qe i pazbatueshëm. Psh, kompensimi njihej për çdo tokë bujqësore të zënë, pavarësisht nëse pronari i saj kishte marrë tokë bujqësore me ligjin 7501 apo jo.
Në vitin 2012, Gjykata argumentoi se vendimet e saj të mëparshme mbi këtë çështje nuk qenë pasuar nga qeveria e Shqipërisë për të zgjidhur në mënyrë sistemike problemin dhe e vendosi atë në një regjim pilot dhe duke e kërcënuar me sanksione. Në kundërpërgjigje të kërkesës së gjykatës, qeveria përgatiti projektligjin aktual, i cili premton të vendosë në dispozicion të kompensimit minimalisht 5 miliardë lekë në vit dhe mbylljen e procesit për dhjetë vjet. 
Sigal