Grabisin 820 milionë, shteti ka frikë t’u përmendi emrin

583
Sigal

 Emra abuzuesish, apo germa alfabeti: N.S, Z.B, F. J, N.P, D.D, K.S, A.Q, K.D, L.V, F.D, F.R, D.O…?!

Çudi njoftimesh zyrtare

Përditë dëgjojmë e shohim çudira të çdo lloji. Ato më skandalozet, ndeshen në zyrat e institucioneve të shtetit, dalin prej tyre. Tre ditë më parë, po lexoja një informacion zyrtar të KLSH, lidhur me një kontroll të realizuar në Doganën e Kakavijës. Ishte njoftim zyrtar, që bënte fjalë për skandalin e vjedhjes, realizuar prej 8 punonjësve të doganës, në vlerën 72 milionë lekë të reja, nëpërmjet abuzimit me detyrën në kontrollin fizik të mallrave dhe në parkingun e doganës. Informacioni vazhdonte kështu: Doganierët dhe punonjësit e tjerë të doganës, që kanë abuzuar me detyrën janë personat e mëposhtëm: N.S, Z.B, F. J, N.P, D.D, K.S, A.Q, K.D. Nuk kishte emra, nuk kishte identitete funksionesh, por vetëm iniciale nga këto që shkruhen nëpër tavolinat e shkollave, ashensorëve, mureve e parmakëve të shkallëve të pallateve. Më saktë, lista emërore e abuzatorëve që kishin përlarë 820 milionë lekë  nga financat e shtetit, ishte thjeshtë një rresht me shkronja alfabeti, të ndara dy e nga dy me pika e presje. Abuzuesit cilët janë, si quhen, çfarë funksionesh kanë, se në njoftim ka vetëm shkronja alfabeti?! Kaq frikë paska shteti nga hajdutët dhe shkelësit e ligjit, sa nuk guxon t’u publikoj as emrat?! Apo si përherë, kur emrat e atyre që vjedhin shtetin dhe taksat e shqiptarëve, nuk publikohen mbasi paguajnë nën dorë, ose janë familjarë e të afërm të politikanëve dhe qeveritarëve e lihen anonimë, publikohen me iniciale?! Nuk publikohen, sepse bëhet gjoja sikur çohen përpara drejtësisë, por në fakt vazhdojnë e qëndrojnë dhe vjedhin në ato detyra ku janë kapur duke vjedhur e abuzuar, madje edhe gradohen në poste më të larta… Përse nuk publikohen emrat në disa raste e në disa raste të tjera abuzimesh, ato publikohen me emër babai, nëne, moshë, datëlindje, vendlindje e vendbanim, shoqëruar edhe me “biografi” të fisit e personale, që prej ditës së lindjes?! Një rast tjetër abuzimesh dokumentare me humbje të madhe financiare ndaj arkës së shtetit, u zbulua po nga KLSH disa ditë më parë dhe në Portin Detar të Sarandës. Por përsëri emrat e abuzuesve u publikuan kështu: T.K, M.M., TH.TH, TH.M. Cilët janë këta? Apo nuk duhen publikuar për “sekret hetimi”, siç thuhet shpesh kur gjatë kontrollove dhe aksioneve policore abuzatorët “dalin miq”?! Çudia është, se hajduti nuk ka frikë që vjedh shtetin, ndërsa shteti dridhet (ose e dredh) përpara tij, duke mos i publikuar as emrin! Ky qëndrim mbahet shpesh prej institucioneve kontrolluese e ligj-zbatuese. Ndalohen p.sh., makina me drogë, me armë, me mallra kontrabandë, me klandestinë, zbulohen baza prodhimi produktesh ushqimore ilegale, apo baza prostitucioni, falsifikimi mjetesh e dokumentesh zyrtare… dhe për çudi, në  informacionet zyrtare, vetë institucionet zyrtare deklarojnë anonimat autorësh, me këtë tekst njoftimi: – U ndaluan automjetet me targa A…..  dhe personat me emrat V.X, G.J, L.K, O.D, ZH.S, U.F, K.T, H.G…. dhe vazhdon një varg pa fund germash alfabeti, që zëvendësojnë emrat e abuzuesve, hajdutëve, kriminelëve, trafikantëve, por që nuk publikohen të plotë. Përse? Mos vallë kjo fshehje emrash, fsheh veprat e krimit dhe bllokon mosndëshkimin e tyre e për rrjedhojë, kompensohen me pagesat e fshehjes?!

Ja dhe një rast që ka të bëjë me  komunikatën e djeshme  të Policisë së Tiranës:

 Procedohen penalisht 4 shtetas për veprën penale të “vjedhjes së energjisë elektrike”

 Më datë 29.09.2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Lulzim.V, 44 vjeç, banues në Kodër Kamëz Tiranë, sepse  rreth orës 10:30, është kapur nga grupi i punës O.SH.E.E Tiranë, duke marrë energji elektrike në mënyrë të  paligjshme. Neni 137/1 i K.P….

 – Më date 29.09.2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Blerim.Sh, 36 vjec, ….

 – Më date 29.09.2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Agim.Sh, 60 vjeç….

 – Më datë 29.09.2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Alfred.Sh, 40 vjeç, …..

 Po ku e gjen të drejtën morale, qytetare dhe mbi të gjitha ligjore ky institucion dhe të tjerë që na tregojnë germa e shkarravina ? Po pse kështu do luftohet korrupsion dhe krimi ? Po ku ndodh në botë që një njeri i implikuar në vrasje,në krime, në vjedhje, në përdhunime mbrohet. Po mua si shtetas përse nuk më bënë transparente dhe me dije se me kë kamë të bëjë dhe përse duhet të ruhem nga mashtruesit, hajdutët dhe kriminelët? Arsyet ne i përmendëm edhe më lartë dhe këto arsye janë thjesht abuzime nën petkun e etikës dhe mos diskriminimit. Nëpërmjet inicialeve drejtuesit e këtyre institucioneve bëjnë pazare të pastra,duke gllabëruar miliona apo ta  kenë më të lehtë të bëjnë veprime të kundraligjshme në mënyrë që personat e ndaluar  dhe arrestuar të lirohen dhe mediat dhe shtypi të mos kenë dijeni. Qeveria urgjentisht duhet të nxjerrë me emër dhe mbiemër, fytyrë dhe fotografi këdo që abuzon apo shkel ligjet e republikës së Shqipërisë. Gjithkush që me veprimet apo mos veprimet e tij abuzon pasurin kombëtare dhe private ,apo kryen një vepër të caktuar,penale,administrative apo kundravajtje duhet të bëhet prezente për publikun. Ligji dhe morali e kërkon që fëmijët, personat me çrregullime të personalitetit apo të papërgjegjshëm (me raport) duhet të mbrohen padiskutim, të tjerët duhet të japin llogari dhe pjesë e kësaj llogari-dhënie është subjekti konkret dhe jo subjekt imagjinar me iniciale.

Përparim HALILI