Lelo LELI/ Rrugët e Kuçit dhe të Vranishtit shtojnë hallet dhe largojnë detin

740
Duke dalë nga Vlora, në qafën e Koçiut fillon rruga me kanale e gropa. Sa më lart të ecësh, në drejtim të Kuçit, aq më të gjera e më të thella janë kanalet, gropat e bregoret. Kërcejnë makinat. Ulërijnë kockat. Veshkat, si kur të këputen. Koka e trubullt. Pasthirrmat pa pushim! Dhjetëra e dhjetëra herë është folur e shkruar në masmedia. Ashtu, siç kanë qenë pa fund premtimet nga qeveritë!? Dihet se lumi Shushicë fillimin e ka në Kuç të Labërisë. Më poshtë, duke mbledhur dhe ujërat e tjera, merr emrin lumi i Vlorës. Shumë fshatra ngrihen në të dy anët e lumit. Nisin nga Kuçi, Bolena, Kallarati, më në lindje dhe deri në derdhje. Në afërsi të Selenicës bashkohet me lumin Vjosa. Përshkon thuajse 100 fshatra. Ajo ultësirë, në fillimet e saj njihet si lugina e Shushicës. Njerëzit kanë të vetmen rrugë automobilistike, që i lidh me Vlorën e qytete të tjera të vendit. Hallet i detyrojnë të lëvizin sa më shpesh! Problemet shëndetësore zënë vendin kryesor. Zbresin në Vlorë e kthehen në atë rrugë, që u kërcasin kockat e shtohen rënkimet. Flasin me njëri-tjetrin. Ankohen e ankohen, por sa dëgjohen!. Pse janë lënë kaq mbas dore!? Eh, të moshuarit dhe fëmijët ç`heqin!
Sipër male, gërxhe e brigje,
Qaj moj Shushica me ligje
Për rrugët e asaj krahine
Dhe premtimet e Qeverive!!!
Anës lumit poshtë e përpjetë,
Krahinë e lënë mbas dore,
S`duan ta dinë, populli, ç`heq!?
Rrugët me gropat, si hone.
Siç shprehen banorët, u bënë mbi dhjet vjet, që kjo rrugë ka filluar të degradojë. Vit mbas viti gropat shtohen e thellohen, aq sa në disa vende bëhet e pakalueshme. Nuk janë më punëtorët e mirëmbajtjes të rrugëve. Ato gropa të futin tmerrin! Rreziku është i pranishëm. Shoferi, duke dashur të zgjedhë rrugën, mund të dalë nga rruga e të përfundoi në greminë. Eh, sa të zotët janë ata shoferë! Vjetërohen shpejt makinat. Hiqen e vihen gomat. Shkojnë bashkë: shëndeti e pas paraja, që i qajnë me lot hallexhiu e fukaraja! Në mesin e prillit të vitit 2015, disa nga njerëzit tanë shkuan në Kuç. Morën pjesë në një ditë përkujtimore të njeriut të afërt. Rruga dukej e tjetërsuar. Gur, zall, kanale, gropa e gropa pa mbarim. U përshkua për një kohë më të gjatë dhe me tronditje trupi. Rënkimet përziheshin me shushurimën e lumit, që përhapeshin deri poshtë, në derdhjen e tij. Në atë rrugë rrallë gjenden shenja asfalti. Të kujton vitet e para mbas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist. Rrugë, si në zhavorrin e lumit, apo në anë përroi. Ata njerëz janë kalitur në vështirësi, por të mos mashtrohen me fjalë e premtime që nuk mbahen! Muaj e vite ikin shpejt, si lumi. Ashtu shtohen dhe vështirësitë e hallet pambarim. Atje në Qafë Dushk, më thoshte një i afërt, ndahen dy kohët. Rruga: Kotë-Qafë Dushk- Sevaster është asfaltuar kohë me pare. Shumë punë e mirë. Banoret e asaj ane e kanë pasur të nevojshme asfaltimin e rrugës. Mirë është, që asfalti të shkoi dhe më tutje, në fshatrat e Tepelenës. Në atë rrugën që përshkon shpatet e atyre maleve, që zbardhin nga dëbora. Qeveria me biznesmenë dhe pushtetin vendor mund ti kalojnë më shpejt disa vështirësi. Sidomos këto të rrugëve, që janë shqetësuese në çdo zonë e qytet. Mendimet e shumë të tjerëve i hodha në vargjet.
Ajo Qeveria që shkoi,
Tetë vjet na premtoi,
Për votat nuk na besoi!
Me rrugët na ndëshkoi!
Kuçi dhe disa fshatra të ish komunës të Vranishtit, me ndarjen e re administrative bëjnë pjesë në Bashkinë e Himarës. Rruga kryesore, më e afërt është: Kuç- Pilur – Himarë. E gjatë 15 deri në 20 km. Me iniciativën e deputetit Fatmir Toçi dhe të disa biznesmenëve, por më shumë me punë vullnetare, ajo është përfunduar si trase. E përdorshme në verë. Me atë ndarje administrative është bërë e domosdoshme asfaltimi i saj. Ashtu, si dhe rrugët Kuç – Fterrë e Çoraj, që lidhen me Borshin e Himarën. Lidhja me Himarën bëhet për gjithë punët e drejtimin, por dhe me detin, për turizëm. Si dhe me Borshin për turizmin e punë të tjera. Ajo krahinë e gjerë, me histori dhe mundësi prodhimi e zhvillimi. Me njerëz të mençur e punëtorë vuan për rrugët. Që në këto kohët moderne është e pa imagjinueshme, të jenë lënë aq mbas dore! Më përpara, siç tregonin prindërit tanë, shkonin në Pilur e Himarë me mushka. Ashtu dhe ata i bënin ato rrugë, sidomos për prodhime blegtorale e bluarje të misrit, apo të grurit me mushka e gomar. –“Por të mos i ngasim më tej, më thoshte një burrë i mençur. Problemi është që kjo qeveria e majtë të mbajë fjalët. Na kanë thënë se është bërë një projekt, me të gjitha të dhënat për atë rrugë. Mbase fillon së shpejti. Qeveria Rama ka bërë punë të mira dhe do të bëjë, por ku të lënë ca opozitarë që e kthejnë parlamentin në shfaqje javore”.
Për pozicionin gjeografik, Kuçi është qendra nga ku vijnë dhe shkojnë rrugët për në Vlorë, në Himarë, në Fterrë dhe në Çoraj. Po dhe 62 km larg nga Vlora. Në verë është dhe rruga: Kuç – Gusmar, 15 km e gjatë. Rropaten ata njërëz të thjeshts. Punojnë dhe si të tjerët shpresojnë! Premtimet boshe ua varfërojnë shpirtin, i bëjnë nervozë, i lodhin, por kurrë nuk e ulin kokën. Qëndrojnë të fortë dhe me kokën lartë, si malet e tyre, që duket se takohen me qiellin. Fshati është i vendosur në shpatin e malit të Shkagës. I rrethuar nga të gjitha anët me male të larta, që nga Papadhia në lindje, Bogonica në veri, Zgjatimet e malit të Çikës në perëndim dhe në anën jugore mali i Shëndëllisë. Lartësitë arrijnë deri 1700 m. Atje kanë ngelur pak njërëz, për shkak të lëvizjeve demografike dhe emigracionit. Megjithatë, ata njërës të mirë, kthehen me punët dhe hallet e tyre, duke qëndruar si gjithnjë krenar e të bashkuar. Unë përsërit vargjet:
O Kuçi me male shumë
Sa të shkon kjo krenaria
Emër i njohur në furtunë
Gjaku rrënjë tek Liria.
Duke biseduar me njërëz të asaj krahine ndjen keqardhje për vështirësitë. Në të njëjtën kohë bindesh për besimin e shpresën e tyre se punët do të ecin në rrugën e zgjidhjes. Ata njerëz të ndershëm, atdhetarë e të sakrificës dinë të ndajnë shkaqet e vërteta, nga ato të qëllimshmet, zvarritjet nga mungesa e fondeve, korrupsioni e shfaqje të tjera. Ata janë besnikë, fisnikë e mirënjohës, por nuk pranojnë të mashtrohen! Edhe unë i mbyll këto radhë me shpresën se para ca kohe, në Kuç deputeti Fatmir Toçi e disa qeveritarë përsëritën premtimin, dhanë fjalën se sa më shpejt do të nisnin projektet për rrugët, nga lumi i Vlorës, apo dhe në drejtimet Kuç- Himarë, e Kuç-Fterë e Çoraj. Ndoshta, sa më shpejt nisin ato rrugë! Të nisin dhe ç`na duhen fjalët. Fjalët, thotë populli, janë fukarallëk. Të presim e të shohim! Kështu, me fukarallëk e shpresa shkon jeta për shumicën! Me zgjedhjet e 21 qershorit do të fillojnë dhe do të bëhen punë të mira. Do të përfundojnë projekte të mëdha, për punësim e përparim. Të shpresojmë!
Sigal