Lekët e buxhetit/ 1.2 milion euro për të vrarë mushkonjat

105

Batërdi me fondet publike, të cilat janë taksa shqiptarësh që zhvaten edhe për të vrarë mushkonjat e plazheve dhe qyteteve. Moria e sagës së tenderave monopol, milionat me të cilat do të bëhej spërkatja kundër insektit bezdisës dhe transmetues të sëmundjeve, ishte destinuar të shkonte për një firmë

Sigal

 

Qeveria ka ngritur disa agjenci vetëm për të bërë tendera. Nga njëra anë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, tjetra Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara. Të dyja, tenderojnë miliona euro në muaj, teksa krijimi i tyre i ka hequr disa ministrive dhe drejtorive para’ “me thasë”. Tashmë dokumentet pregatiten nga drejtoritë dhe ministritë, dërgohen te këto agjenci dhe më pas shpallen në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Më pas, shpallet fituesi, verifikohen nëse ka apo jo ankesa, nëse ka mund të shkojnë në Komisionin e Prokurimeve Publike, dhe më pas lidhet, anulohet apo rihidhet sërish tenderi. Pra, një mori institucionesh, të cilat vetëm sa janë hallka, ndoshta për t’u bërë presion firmave që marrin pjesë se “jemi dhe ne në këtë tortë”. U raportua vitin e kaluar një procedurë tepër e dyshimtë tenderuese, që bën fjalë për procedurën e spërkatjes për mushkonja në zona bregdetare dhe urbane. Vjet, kishte dyshime të mëdha se gjithçka ishte paracaktuar. Ashtu siç edhe denoncuam, tenderi u anulua dhe nuk u bë spërkatja. Procedura kaloi në një mori institucionesh, teksa në momentin që u shpall edhe fituesi, s’kishte nevojë për spërkatje, pasi larvat e mushkonjave kanë një cikël dhe duhen goditur që në fazat e para.

Nëse vitin e kaluar u anulua procedura, po këtë vit?! E njëjta situatë, pasi ditët e fundit, Agjencia e Prokurimeve Publike ka shpallur tenderin e hapur mbi kufirin e lartë monetar. Objekti i kontratës është shërbim dezinsektimi i ndarë në 6 lote, përkatësisht në Qarkun Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. Fondi limit i kësaj procedure është 120.278.204 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 1.2 milionë euro. Por lexoni pak se kur do të bëhet tenderi! Në dokumente shkruhet mjaft qartë “afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është në datën 22 maj 2023, në orën 11:00”. Por kur duhet të bëhet spërkatja kur tenderi bëhet në fund të majit, verifikikohen ofertat, shikohet nëse ka apo jo ankesa dhe më pas bëhet shpallja e fituesit?!

Bold  News.al shfletoi dokumentet shoqëruese të tenderit, ku shkruhet se ka disa lloje të ndërhyrjeve të rekomanduara për kontrollin e larvave të mushkonjave dhe specifikimet teknike sipas habitateve.“Trajtime periodike me larvicide në Zona të Mbrojtura Natyrore (ZMN) vatra të përkohshme dhe të përhershme në laguna, parqe, kanale, pellgje etj, sipas zonave të përcaktuara nga autoriteti kontraktor. Trajtimet kryhen, në periudhën prill/maj deri në shtator/tetor të çdo viti kalendarik, pra për një periudhë kohe të pritshme mesatare prej 6 muajsh/vit, me kërkesë të AK” thuhet në këto dokumente. Pra, trajtimet kryhen në periudhën në prill dhe maj. Por, tenderi do të bëhet në fund të majit dhe fituesi shpallet ndoshta në qershor!

Në një tjetër faqe shkruhet se bëhen trajtime në puseta dhe bodrume me ujë. Sërish, trajtimet kryhen në periudhën nga prill/maj deri në shtator/tetor të çdo viti kalendarik, pra për një periudhë kohe të pritshme mesatare prej 6 muajsh.Në vitin 2022, bolneës publikoi “Tenderët e mushkonjave të paracaktuar, pushuesit në ‘luftë’ me insektet”. Në atë kohë, redaksia siguroi disa dokumente, që faktojnë se qindra mijëra euro, me të cilat do të bëhej spërkatja kundër insektit bezdisës dhe transmetues të sëmundjeve, ishte destinuar të shkonte për një firmë. Firmat që morën pjesë në këto procedura kanë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik kriteret e vendosura, ku është zbardhur edhe skema. Të gjitha tenderët ishin destinuar që të fitoheshin nga firma “NRG”. Nga informacionet e mbërritura në redaksinë tonë rezulton se drejtues të kësaj firme janë edhe punonjës të ISHP-së, të cilët i kanë bërë dokumentet sipas firmës në të cilën edhe punonin. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara ka bërë disa njoftime për anulimin e procedurave të këtyre tenderëve. Bëhet fjalë për 3 nga 4 lotet e tenderave të dezisektimit të zonave bregdetare dhe urbane, me një fond total prej 79,238,120 lekësh pa TVSH, ose me TVSH rreth 800 mijë euro.