Lavdosh Ferruni/ Thjesht një bashki më pak

560
Sigal

Maxhoranca me “menaxherët” e reformës territoriale, Fino dhe Çuçi, duken të vendosur që vija e shënuar në kufirin jugor të bashkisë së madhe të Vlorës, të përfshij edhe territorin e Bashkisë më unikale në vend, atë  të Orikumit (mjafton të përmendim se në të bën pjesë i vetmi gadishull i vendit e se laget nga 2 dete) e cila vet ka një sipërfaqe territori sa 1/89 e gjithë territorit të vendit. Z. Çuçi do ta shënoj e arshivoj, se bëri një takim me intelektual të interesuar për mëvetësinë e Bashkisë Orikum (Prof. Birce Hasko, Prof. Ago Nezha,  z. Hasan Halili, ish Ministër i Bujqësise e ish Prefekt i Vlorës dhe Lavdosh Ferruni), por vetëm kaq. Pas ketij takimi, por dhe pas takimeve të Kryetarit të Bashkisë së Orikumit, z. Gëzim Capo me “menaxherët” dhe pas letrës tepër të argumentuar në detaje dërguar atyre nga Këshilli Bashkiak i Orikumit dhe pas prononcimit publik të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, që nuk e sheh funksionale bashkimin me bashkinë e Orikumit, ndjesia e krijuar është “ ju flisni, ne kemi një plan tonin”. “Menaxherët” dhe herë të tjera dhe sot, kanë dështuar në mënyrë të plotë t’ i përgjigjen pyetjes së komunitetit të gjërë të krahinës së Dukatit (Orikum, Dukat fshat, Dukat fushë, Tragjas,Radhimë), sot Bashkia Orikum, “cilat janë të mirat që përfiton krahina nga bashkimi i bashkisë së vogël të Orikumit (me pasuri të mëdha e të ardhura të mëdha) me Bashkinë e madhe të Vlorës (me pasuri të vogla e të ardhura të vogla)?” Gojë e mbyllur. Nga ana tjetër janë rreshtuar e argumentuar zyrtarisht dhe publikisht shumë anë negative të marrjes në sqetull të bashkisë së Orikumit nga ajo e Vlorës, argumeta që kurrkush nuk ka mundur t’ i kontesotj. Filozofia e reformës territoriale është, që zonat periferike t’ i bashkangjiten një qëndre më të madhe e cila do mund t’ i jap vitalitet atyre. Rasti i Orikumit dhe Vlorës është krejt e kundërta. Bashkimi bëhet, që Vlora të marr nga vitaliteti i Orikumit. Vetëm kjo është, që Vlora edhe Tirana përmes bashkisë së Vlorës të marrë nga Orikumi. Në 2014, i pritshmi i të ardhurave të Orikumit, është 4 herë më i lartë se 2011. Në ç’ njësi tjetër vendore është parë ky trend? Në rastin që propozuesve të reformës territoriale i duhet një bashki më pak, për të ruajtur variantet e propozuara dhe është zgjedhur (kuptohet thellësisht gabimisht) ajo e Orikumit të hiqet nga lista e Bashkive, Komuniteti i Bashkisë Orikum, është me vullnet të plotë i gatshëm të bashkohet me Bashkinë e Himarës, duke pasur besim se me të, jo vetëm ruajnë e zhvillojnë funksionalitetin e tanishëm me tipare të përbashkëta,  por edhe se ruhet identiteti i fortë historiko-natyror i zonës, në të mirë të vendit. Eksperimenti i bashkimit të bashkisë së Orikumit me Bashkinë e Vlorës, nisur në rastin më të mirë nga naiviteti i hartërbërsve dhe në rastin më të keq nga lobe agresive ndërtuesish dhe gllabëruesish tokash, është me pasoja negative të  pakthyeshme.