Lame: Tarifa të ndryshme legalizimi, në zona të ndryshme

574
Sigal

Takimi me drejtorët rajonalë të ALUIZNI-t. Skemë e re vlerësimi në fillim të 2014-s

Drejtori i Përgjithshëm i Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, Artan Lame, deklaroi dje se skema e vlerësimit të legalizimit të banesave do të ndryshojë në fillim të vitit 2014. Sipas tij, do të ketë tarifa të ndryshme në zona të ndryshme të vendit. “Nuk do të paguajë të njëjtën tarifë si qytetarët në Kukës, si ata në Tiranë”, tha Lame. Po ashtu, sipas Lames, do të ketë tarifa më të ulëta për legalizimin e ndërtimit infomal në fshat. Drejtori i ALUIZNI-t, Lame zhvilloi të enjten një takim me krerët e drejtorive rajonale të legalizimit për të diskutuar mbi problematikat e hasura gjatë këtyre muajve të fundit. Në takim ishte e pranishme edhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Gjermeni tha se, praktika e deritanishme e dështuar e legalizimeve ka thyer besimin te qytetarët që mund të legalizojnë pronat apo pasuritë e tyre. “Mendoj se kemi një përgjegjësi shumë të madhe, që pas 23 viteve, kësaj gjëje t’i jepet fund dhe procesi i legalizimeve të jetë një proces jo kaq burokratik dhe i stërzgjatur, por një proces institucional, i mirëkoordinuar dhe që secili qytetar të marrë atë të drejtë që i takon”, deklaroi Gjermeni. Shifrat, vijoi Gjermeni, janë ndonjëherë të frikshme. “Kur z. Lame tha se në dyshemetë e ALUIZNI-t janë gjetur mbi 50 mijë praktika të qytetarëve për t’u legalizuar dhe që nuk janë kryer, besoj se ky është një nga treguesit që procesi i legalizimeve gjatë qeverisjes së mëparshme ka dështuar. Ka patur mosangazhim total, mungesë vullneti politik, përveç faktit se shpeshherë kjo çështje është keqpërdorur për qëllime elektorale. Ndërkohë që edhe përsa i përket fondit të kompensimit të pronarëve që duhej përdorur ekskluzivisht për kompensimin e tyre, rreth 4 miliardë lekë kanë shkuar në destinacion, ndërsa diferenca, 3 miliardë lekë, nga 7 miliardë në total, është përdorur në kundërshtim me ligjin nga qeveria e mëparshme dhe Ministria e Financave”, theksoi Gjermeni. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, informoi Gjermeni, do të fillojë në janar një proces të hollësishëm auditi tek ALUIZNI, për të nxjerrë në pah të gjitha shkeljet ligjore, të gjitha parregullsitë, për të qenë shumë transparent me publikun, për t’i treguar të gjitha këto shkelje dhe për t’i çuar para drejtësisë të gjithë ata që i kanë kryer. “Do të bëjmë një skanim real të gjithë situatës për shkeljet dhe parregullsitë e vëna re. Nuk do të mjaftohemi vetëm me evidentimin e problematikave, por njëkohësisht po marrim masat për t’i adresuar këto problematika. Takimi i sotëm është konkret edhe për të pasur një rrugë të qartë për procesin, edhe për të nxjerrë gjithë problematikat në njësitë vendore ku ju punoni për t’i adresuar sa më mirë të gjithë së bashku”, theksoi ajo. Përgjegjësia gati historike që kemi është përqasja e re, nënvizoi Gjermeni, sidomos lufta kundër korrupsionit. Më tej kreu i ALUIZNI-it, Lame, informoi se jemi në rrugë të mbarë për të mbajtur premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për legalizimin falas të ndërtimeve pa leje. Sipas tij, janë ngritur grupe pune për lehtësimin e procedurave për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Po ashtu, tha Lame, synojmë unifikimin e praktikave në të gjitha institucionet. Ai iu përgjigj edhe akuzave të opozitës. Opozita, tha Lame, ka ngritur herë pas here akuza për premtime të pa mbajtura, kur në tetë vite, vijoi Lame, nuk bëri asgjë për legalizimin e ndërtimeve informale. Sipas tij, nga qeveria e shkuar janë dhënë vetëm 10 mijë tituj pronësie. Sipas statistikave, janë përfshirë në procesin e legalizimit, në përputhje me përcaktimet ligjore 270.592 ndërtime pa leje për periudhën Qershor-Shtator 2006 dhe 22.570 ndërtime pa leje për periudhën Qershor-Korrik 2013. Referuar statistikave zyrtare, është miratuar kufiri për 127 zona informale, ku përfshihen rreth 120.000 ndërtime pa leje. Ndërsa me Vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar kalimi i të drejtës së pronësisë mbi truallin për 94.590 ndërtime, të ngritura në truall jo në pronësi të poseduesit të ndërtimit. Sipas Kreut të ALUIZNI-it, Lame, janë 300 mijë banorë që presin të legalizojnë pronat e tyre, ku më shumë se gjysma e tyre nuk kanë arritur të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin për t’u pajisur me titullin e pronësisë

Paketa e ndryshimeve në legjislacionin e legalizimeve

 Në ditët e para të janarit ne do të paraqesim një paketë të plotë të ndryshimeve të nevojshme në legjislacionin e legalizimeve:

– Do të ndryshojmë tërësisht skemën e operimit, me qëllim që të çojmë shërbimin tek qytetari. Do marrë fund epoka e karvanëve të qytetarëve që vinin tek dera e ALUIZNI-t për të zgjidhur hallin e tyre. Do jetë institucioni që do hedhë të gjithë resurset e veta, këta që ka dhe ata që do merrem me kontrata vitin tjetër, do shkojnë në terren , tek njerëzit dhe jo të rrinë në zyrë dhe të presim çfarë peshku do na sjellë deti për ta kapur ne.

– Do të ndryshojmë skemën e vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtën çmim si në Tiranë edhe në Kukës. Sot qytetari i Kukësit që do të bëjë një legalizim duhet të paguaj truallin njëlloj si legalizimi që do bëhet në Tiranë. Përfundimi, askush në Kukës nuk bën legalizim. Zgjidhja që ka gjetur drejtoria deri tani, le të rrinë atje siç kanë qëndruar 8 vjet. Do e mbyllim kategorisht këtë, duke ndryshuar skemën e vlerësimit të trojeve duke e kategorizuar sipas zonës, vendit, qarkut dhe vlerës që ka.

– Do ndryshojmë skemën e dokumenteve të nevojshme, për të mos e zhytur qytetarin në detin e letrave e vulave. I gjithë ky thjeshtim procedure do çojë në sa më pak dokumente të domosdoshme.

– Do lidhemi me një rrjet me ZRPP dhe me AKKP me qëllim që përmes një portali të përbashkët të shkurtojmë kohët e operimit. Jemi duke bërë një projekt me këto dy institucione me qëllim që të mos bëjmë për çdo akt të zgjasë procedura. Burimi më i saktë është hipoteka.

Ne do ta mbajmë premtimin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, jo thjesht si proces në vetvete, por si premtim për formalizimin e gjithë kësaj pasurie të madhe të shqiptarëve.

 Legalizim falas? Toka do të paguhet

 Premtimet elektorale për legalizimin pa pagesë të ndërtimeve informale duket se nuk kanë të bëjnë me faturën e majme të çmimit të truallit, por vetëm për dokumentacionin.

Kreu i ALUIZNI-t, në daljen e parë publike pas dy muajsh nga marrja e detyrës, edhe pse indirekt, la të kuptohet qartë se falja e tokës nuk do të jetë pjesë e ligjit të ri. I pyetur nga gazetarët se çfarë do të thotë legalizim falas, Artan Lame theksoi: “Logjika e legalizimit falas ka qenë dhe është një logjikë që praktikisht nuk e kupton dot. Nuk imagjinohet një gjë e tillë në Europë, që të jepet toka falas. Ajo që ne kemi këmbëngulur gjatë fushatës dhe është thënë nga Kryeministri do ta analizojmë më thellë kur t’ju paraqesim platformën sesi do të vazhdojë legalizimi”. Pra, duket se pavarësisht premtimeve paraelektorale, PS e ka pasur të qartë se të paktën në BE toka falas nuk mund të imagjinohet.