Nëse cilësia e arsimit matet edhe nga mjediset ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës, atëherë të dhënat e fundit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor tregojnë se shumë institucione arsimore në Shqipëri vijojnë të përballen me probleme elementare higjieno-sanitare.
Gjatë vitit 2024, trupat inspektuese të ISHSH kanë zhvilluar 12,365 inspektime dhe 765 riinspektime në të gjithë vendin, duke kontrolluar shkolla, institucione parashkollore, universitete, ambiente akomodimi dhe shërbimi, qendra shëndetësore, institucione të përkujdesjes sociale, subjekte farmaceutike, si dhe biznese që ofrojnë shërbime estetike e berberësh.






















