Kurti: “Nuk do t’i dorëzojmë shtëpitë e ish-pronarëve më datë 1 nëntor”

336

Kreu i shoqatës së Qiramarrësve, Myftar Kurti: “Gjykata Kushtetuese s’mori asnjë vendim ndaj apelimit të aktit normativ”

Familjet, që banojnë në shtëpi ish-pronarësh nuk do të dalin në një Nëntor nga banesat e tyre. Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim mbi apelimin që i bëri aktit normativ të Qeverisë, Shoqata e banorëve në shtëpi ish-pronarësh, gjatë shqyrtimit në seancën e së hënës. Myftar Kurti kreu i Shoqatës së Qiramarrësve në shtëpi ish-pronarësh në Durrës, i pyetur nga “Telegraf”, deklaroi se Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim në ditët e ardhshme, njoftim, i cili do të bëhet nga administrata e kësaj gjykate publik. “Ne shpresuam dhe ende shpresojmë që ky akt, i cili bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe krijon probleme të rënda sociale për rreth 100 mijë familje në Durrës dhe 3200 familje në të gjithë vendin do të pezullohet nga Gjykata më e lartë e vendit, në të kundërt do të shkojë çështja deri në Strasburg”, tha Kurti.

Deklarata

“Në 1 nëntor askush nuk do të dalë nga shtëpitë, vendimi kërkon 2 deri në 4 javë që të zbardhet nga gjykata dhe në këtë mënyrë shtyhet dalja e tyre. Në 1993 ishte qeveria Meksi, e cila nuk i dha zgjidhje këtij problemi që të strehoheshim në godinat shtetërore. Neni 9 i ligjit 92 35, u miratua sërish nga qeveria Nano dhe pas apelimit të shoqatës u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. E njëjta gjë ndodhi edhe në 2005, nga qeveria Berisha. Tani është miratuar akt normativ, por ky akt bie ndesh me vendimet  e mëparshme të kësaj gjykate, e cila në dy periudha të ndryshme është shprehur dy herë në favor të banorëve”, tha kreu i Shoqatës së Durrësit, Kurti.

Thirrje

Me qindra banorë në Durrës anë pritur gjithë ankth vendimin e kësaj gjykate vendim, i cili u kërkon të lënë banesat, ku janë strehuar prej dekadash nga ish-pushteti popullor i asaj kohe. Që prej muajit shtator krerët e shoqatës i kanë bërë thirrje banorëve të mos aplikojnë pranë Entit Kombëtar të Banesave për të përfituar kredi me interesa zero, duke e konsideruar një shkelje të hapur nga qeveria si dhe diskriminim që u bëhet këtyre familjeve. Akti normativ i qeverisë i datës 26 mars të këtij viti është apeluar në Gjykatën Kushtetuese, gjykatë, e cila në 10 vjitet e fundit është shprehur dy herë në favor të familjeve.

Kredia

Kurti nënvizon se nga të dhënat që disponon shoqata vetëm 17 familje kanë aplikuar për kredi me interes zero në bankë, nga qyteti i Durrësit. “Këtë proces, ku na kërkohet që t’i blejmë shtëpitë me nga 50 mijë euro e kanë braktisur në masë të gjitha familjet, sepse edhe nga ato 17 që kanë aplikuar, në fund nuk do të mund të marrë asnjë prej tyre, për shkak të kritereve të ashpra që janë vendosur. Megjithatë çdo alternativë për të nxjerrë banorët jashtë, apo kredi me interes zero është diksriminuese për këtë komunitet. Jo që me kriteret e vendosura nuk përfitojnë familjet e strehuara në banesat e ish-pronarëve. Bankat nuk japin kredi, e aq më pak atyre të pastrehëve si puna jonë.