Kur grekët e njihnin çështjen çame dhe shqiptarët e Çamërisë në 1936

558
Sigal

Gazeta Telegraf/


 Materiale ekskluzive që
hedhin dritë për çështjen e Çamërisë


Alba Haruni


Për shoveno-ortodoksët
e Athinës dhe sahanlëpirësve të tyre shqiptarë, arkivat ruajnë e dëshmojnë
fakte të pakundërshtueshme. Janë pikërisht arkivat e shtetit grek që dëshmojnë
për ekzistencën e çështjes çame.

Këto arkivat dëshmojnë
se ndër më aktivët në këtë drejtim ishin deputetët e Parlamentit grek, Jorgios
Sp. Sakas dhe Kristo Vasili.

Ja fragmente nga
pohimet e tyre, shkëputur nga arkivat shtetërore greke:

“I lutemi kryetarit të
qeverisë t’i mbrojë këta bashkatdhetarë, vëllezërit tanë, me të cilët na ndan
vetëm feja, po na bashkojnë po ato zakone të njëjta, e kaluara dhe e njëjta
histori. Nuk duhet të harrojmë, se edhe ato kanë të drejta në shtetin grek”.

(Arkiva Greke, deputeti
Jorgios Sp.Sakas. Në gazetën e pavarur politiko-letrare “Kravji”, dt. 8 korrik
1936).

“Çamët janë njerëz të
ndershëm, shtetas besnikë të mbretit Kostandin dhe miq të shtetit grek”.

(Arkiva Greke, Kristo
Vasili, deputeti i Janinës. Në gazetën “Elefteria”, nr. 102, Janinë,
30 prill 1936).

Po kështu dhe çamët
ortodoksë kanë jetuar në vëllazëri të plotë me çamët myslimanë, madje në ditë
të këqija ju kanë dalë në mbrojtje. Ata të frymëzuar nga dëshira për të
bashkëjetuar në harmoni dhe në një fqinjësi të mirë me minoritetin çam jo vetëm
morën në mbrojtje çamët myslimanë nga elementët keqbërës, por shkuan edhe më
tej.

Kështu p.sh., Kristo
Pituli, përfaqësues i njërës prej familjeve krishterë më në zë të Çamërisë dhe
në të gjithë Greqinë, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së
Metaksait kundër minoritetit shqiptar çam, shkoi në fshatin Grikohor, pranë
miqve të tij myslimanë dhe me sa do të mundte, do të dilte në mbrojtje të tyre.
Ai aty gjeti komandantin e Korofillaqisë së rajonit, Vardhallaqin, një grek nga
thellësitë e Greqisë, i sapoemëruar në postin e Komandantit të Rajonit. Kristo
Pituli, kur mësoi se misioni i komandantit të Korofillaqisë në fshatin Grikohor
ishte për të arrestuar parinë e fshatit e për t’i nisur menjëherë në internim,
iu drejtua ndër të tjera…

“Vendimi që keni marrë
për të internuar myslimanët e këtij fshati, nuk është i drejtë. Ju jeni të
huaj. Sot jeni këtu, nesër shkoni, ndërsa ne kemi rrojtur e do të rrojmë së
bashku me ta. Ne nuk duam që gjynahet tuaja t’i paguajmë ne”.

Këto fakte hedhin
poshtë me forcë teoritë e Venizellosit,sipas të cilit shqiptaret e
myslimanizuar nisën një luftë civile me shqiptarët ortodokse dhe për t’i
shpëtuar kësaj lufte, shqiptarët ortodoksë erdhën në Greqi. Pra,praninë e kësaj
popullsie ne këto territore ai e lidhi pikërisht me një luftë civile për shkaqe
fetare, e cila nuk dokumentohet të ketë ndodhur asgjëkund. Edhe ato konflikte
që mund të kenë ndodhur kanë qenë përgjigje të provokimeve të andartëve grekë
në territoret shqiptare. Aq me tepër që shqiptaret kurrë s’kanë pas konflikte
të tilla për çështje fetare, përkundrazi janë dukuri jo tipike për ambientet
shqiptare. Po kështu teza e njohur kundër çështjes shqiptare, ku shqiptarët
duke qenë të paafte për të vetëqeverisur, duhet t’i besohet një qeverie tjetër
dhe kjo duhet të ishte Greqia.

Platforma greke e
Venizellosit ka dështuar para faktit të gjuhës së folur në këto territore, shtrirja
e së cilës është një provë e rëndësishme që dëshmon për një gjuhë kombëtare të
folur aty, prandaj gjithmonë i kanë mëshuar elementit fetar ,sipas të cilëve
duhet të jetë kriteri kryesor për përcaktimin e një etniciteti.