Kur Durrësi u zgjua nën rrënoja, një muaj nga tërmeti tragjik

551
Sigal

Sot një muaj më parë ndodhi tragjedia e tërmetit shkatërrimar që mori 51 jetë njerëzish, plagosi me qindra dhe la në rrugë mijëra të tjerë.

Ishte ora 03:55 e mëngjesit të 26 nëntorit kur toka u lëkund fort nga një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter me epiqendër në detin Adriatik pranë brigjeve të Durrësit.

Lëkundja sizmike e cila zgjati 30 sekonda, u ndje në të gjithë vendin por zonat më të prekura ishin Durrësi dhe Thumana. Momentet pas zgjimit të frikshëm mes pluhurit dhe rrënojave ishin të rënda, të vështira dhe shumë të dhimbshme.

Fatkeqësia natyrore kishte gjunjëzuar Durrësin, i cili si asnjëherë më parë ishte i heshtur dhe zhurma e vetme nëpër qytet ishte sirena e ambulancës.

Ekipe kërkim-shpëtimi nga Kosova, Greqia, Italia, Turqia, Rumania etj., zbarkuan në vendin tonë duke gërmuar nën gërmadhat e betonit, nga ku mundën të nxirrnin të gjallë 45 persona.

Shumë ikën pa kthyer kokën mbrapa, ndoshta sepse gjithçka kishin ishte rrënuar, ndërsa disa qëndruan përballë grumbujve të rrënojave, ashtu në qiell të hapur.

Prej në fillim të ngjarjes dhe përgjatë këtij muaji, donatorë nga mbarë bota i shtrinë dorën vendit tonë që të ringrihet ndërsa banesa të shumta u shemben se paraqisnin rrezikshmëri.

E shkaktuar nga natyra por e ndikuar nga babëzia dhe korrupsioni i njeriut, tragjedia e tërmetit çoi në pranga disa persona, si përgjegjës për jetët dhe banesat e humbura.

Sot në prag të Vitit të Ri, të shumtë janë ata që enden tek të afërmit, nëpër çadra apo duke kërkuar shtëpi me qira pasi nga hotelet e strehuara prej shtetit iu duhet të dalin më 3 janar.

Qeveria ka premtuar se do të ndërtojë lagje të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët e prekur nga kjo fatkeqësi por derisa kjo të realizohet ata duhet të përballojnë të ftohtin dhe acarin, siç kanë bërë prej një muaji.

Ndonëse të lehta, pasgoditjet kanë vazhduar si për të na kujtuar ditët e errëta që kaluam…!