Kuçovë, kryekomunari dhunon 71-vjeçarin pse priti në shtëpi deputeten Felaj

688
Sigal

I dëmtuari Hajdar Mimani tregon sherrin me kryetarin e Komunës Perondi. Reagon Ermonela Felaj dhe Rexhep Hadëri

Pa filluar mirë fushata elektorale filluan edhe incidentet e para. Incidenti i fundit është regjistrua në Komunën e Perondisë në Kuçovë pas një takimi që ka kryer deputetja e zonës, Ermonela Felaj me banorët e fshatit Magjat. Në fund të takimit Felaj ka bërë edhe vizita në banesat e fshatit. Ku fare rastësisht ka shkuar dhe në familjen e banorit, Hajdar Mimani. Atje ka qëndruar vetëm pak minuta. Deri këtu çdo gjë është në rregull, por pas pesë ditësh ka ndodhur incidenti midis kryetarit të Komunës Perondi, z.Rexhep Hadëri dhe banorit të fshatit Magjat, Hajdar Mimani, 71 vjeç, ku pas një grindjeje janë kacafytur me njëri-tjetrin dhe si pasojë 71-vjeçari Mimani ka marr plagë në trup. Shtetasi Hajdar Mimani, tregon për “Telegraf” të gjithë ndodhinë. “Isha duke udhëtuar për në qytetin e Urës-Vajgurore. Në të dalë të fshatit takoj Kryetarin e Komunës, Rexhep Hadëri. Unë, fillimisht i jap dorën, por ai nuk ma dha. Më pas Kryekomunari më tha:-“Ti more maskara pranove deputeten në shtëpi”, duke u shprehur më pas me një fjalor të rëndomte për deputeten. E kundërshtova duke i thënë se, e kishte gabim në ato që po thoshte, sepse ajo është deputete dhe si e tillë unë nuk i mbyll portën. Ajo si tek shtëpitë e tjera erdhi dhe në shtëpinë time dhe unë e prita sipas traditës së një shqiptari. Duke debatuar ai më vuri thonjtë në fyt, duke më qëlluar. Ishin disa persona aty pranë që e larguan prej meje. Unë i dëmtuar menjëherë bëra denoncimin në polici dhe prokurori për atë që më ndodhi. Më pas shkova në spital, ku mora dhe raport 7 ditë. Nga e gjithë kjo jam i befasuar. Ai është kryetar i zgjedhur nga forca politike e Partisë Demokratike dhe pavarësisht kësaj unë kam votuar për atë, sepse e kam mik. Ai më ka kërcënuar duke më thënë “do të të vrasë more maskara, pse e pranove deputeten në shtëpi”. Unë kërkoj nga organet e drejtësisë të zbatohet ligji edhe pse ai është kryetar komune dhe unë një njëri i thjeshtë dhe një pensionist i pafuqishëm”, tha Mimani.

Hadëri: “Nuk e kam qëlluar”

Kryetari i Komunës Perondi, Rexhep Hadëri pas këtij incidenti u prononcua për gazetën “Telegraf”. Në fjalën e tij ai e mohon një gjë të tillë. “Nuk e kam qëlluar atë. Por ai fillimisht më ka ofenduar mua dhe më pas më ka pështyrë në fytyrë. Unë nuk e kam prekur me dorë atë njëri. Nuk mund të merrem me një pensionist. Unë shtetasin Hajdar Mimanin në të gjitha herët që ka ardhur në komunë e kam ndihmuar për disa halle që ai kishte patur, ku ish-kryetarët e komunës para meje nuk ja kishin zgjidhur problemin. Mimani, sa herë që vinte në komunë na ofendonte, por unë nuk i kam marrë parasysh këto”, tha Hadëri.

Felaj: “Veprim rrugaçërie”

Deputetja Ermonela Felaj pas incidentit u shpreh kështu për “Telegraf”: “Veprimi i Kryetarit të Komunës Perondi, Rexhep Hadëri, i cili ka përdorur dhunë fizike ndaj shtetasit Hajdar Mimani banor në fshatin Magjat është i turpshëm. Është një veprim i mirëfilltë prej një rrugaçi. Është shprehje e qartë e frikës që lë të tillë pinjollët e dhunës dhe të agresivitetit të ndjenjave në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Unë dua vetëm t’i kujtoj këtij personi që të mos guxojë të vërë dorë mbi askënd pasi shumë shpejtë, e siguroj, që dora e ligjit do të bjerë mbi të, po aq fort sa veproi mbi atë 71-vjeçar. Mos të kujtojë se do të ketë vrimë se ku të futet ky burracak i pafytyrë dhe çdo kush tjetër që do të tentojë të bëjë të njëjtën gjë kundër gjithë atyre që ne kontaktojmë, në cilësinë tonë si deputet”, ka përfunduar deputetja Emonela Felaj.