“Kryeqyteti është kthyer në një kantier të madh ndërtimi”

573
“Tirana 1 vit në punë” ishte motoja e Bashkisë së Tiranës për vitin e parë të punës në menaxhimin e qytetit. Në aktivitetin e organizuar për prezantimin e punës konkrete që Bashkia e Tiranës ka kryer përgjatë një viti për qytetarët, kryebashkiaku Erion Veliaj solli në vëmendje se pavarësisht përpjekjeve politike për të penguar punët e qytetit, administrata e re arriti që, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës në verën e 2015-ës, ta nxjerrë qytetin nga gjendja e emergjencës, duke e çuar në drejtimin e duhur, me një fytyrë të re sociale. “Sfida dukej e pamundur, megjithatë unë besoj se së pari, treguam që jemi të fokusuar, që mendjen e kemi te puna, që realizuam detyrat që i kishim vënë vetes, pa u marrë me llafet e ditës. E dimë kulturën e llafeve pa fund, me akuza e kundër-akuza, por unë besoj se kemi bërë diferencën duke zgjedhur një kulturë krejt tjetër, atë të punës. I morëm të gjitha problematikat që hasëm gjatë fushatës vjet dhe vendosëm t’i zgjidhnim, pa debatuar kush e ka fajin. Ku ka vullnet, ka një rrugëzgjidhje! Bashkia e Tiranës ka vullnet dhe i ka dhënë rrugëzgjidhje shumicës së këtyre problemeve”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Sfidat e vitit të parë

Duke u ndalur te sfidat kryesore me të cilat Bashkia e Tiranës u përball gjatë këtij viti të parë, kryebashkiaku theksoi se falë punës së pakursyer të ndërmarrjeve, por edhe duke u ndenjur në kokë kompanive të kontraktuara, sot qyteti është më i pastër. “Një nga gjërat për të cilat më vjen mirë dhe që njerëzit ma vënë në dukje, sidomos shqiptarët që kthehen në verë apo të huajt që vijnë në Shqipëri, është që Tirana është më e pastër. Ndaj, për të gjithë ata që kanë punuar në sektorin tonë të pastrimit, për të gjithë ata që ndoshta bëjnë punën më të pavlerësuar, që i shkojnë mbrapa njerëzve të papërgjegjshëm për çdo facoletë, për çdo qese, për çdo bisht cigare, për çdo ambalazh të hedhur, unë u jam pafundësisht mirënjohës: Qyteti është më i pastër, falë përkushtimit tuaj”, tha ai. Veliaj shtoi se puna për pastrimin e qytetit nuk do të mbarojë këtu, pasi bashkia ka vendosur që, falë edhe një marrëveshje me Bashkinë e Veronës, të mundësojë krijimin e një kompanie publike që do të administrojë pastrimin, duke futur edhe përdorimin e teknologjisë. “Nga muaji gusht “Eco Tirana”, kompania jonë publike, ndërmarrje e Bashkisë së Tiranës, do të nisë të mirëmbajë zonën brenda unazës, për t’ju treguar edhe operatorëve privatë se ky vend ka zot dhe gjithë propaganda e 25 viteve të fundit që shteti s’vlen për asgjë, e vetëm privati e bën, besoj se do të kthehet mbrapsht”, shtoi Veliaj. Ai bëri të ditur se përveç ndërhyrjeve emergjente që kërkonin zgjidhje si ajo me pastrimin, në fillim iu kushtua rëndësi edhe punës me hyrjet kryesore të Tiranës. “Në ditët tona të para, në pamundësi për të qenë kudo prezent, u desh të zgjidhnim disa nga projektet kryesore. Filluam me rrugën “Dritan Hoxha”, rruga hyrëse në qytet, duke qenë se është prezantimi i parë i njerëzve me Tiranën”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se në filozofinë e punës së kësaj bashkie ka qenë jo vetëm ndërhyrja në zonat më problematike, por edhe që çdo punë që bëhet të ketë standardet më të mira të mundshme. “U munduam që nga tani e tutje, për çdo investim të ri të vendosim një standard të ri, të siguroheshim që çdo rrugë ka korsinë e biçikletave, ka një trotuar, ndriçimin e nevojshëm, ka sinjalistikën për të kaluar rrugën, për t’i dhënë prioritet këmbësorëve. Pasi mbaruam projektet e para, rruga te Pallati i Kongreseve, puna me Unazën e Vogël, të gjitha investimet e tjera që janë duke ndodhur në pikat nevralgjike të qytetit, kanë vetëm një emërues të përbashkët dhe një refren, të cilin qytetarët e përsërisin: Në Tiranë po punohet, qyteti është kthyer në punë dhe bashkia është në krye të detyrave që ka marrë përsipër”, deklaroi Veliaj. Ai theksoi se falë punës së bërë çdo ditë të vitit, u rrit jo vetëm standardi i jetesës së qytetarëve, por edhe pritshmëria e tyre.

50 kantiere të tjera në të gjitha cepat e Tiranës 

“Kemi hapur 50 kantiere të tjera në të gjitha cepat e Tiranës sepse besojmë se jeta reale nuk ndodh vetëm në Bulevard dhe në sheshet kryesore, ku edhe përqendrimi i aktiviteteve është më i madh. Por, jeta ndodh edhe në ato vende ku njerëzit kanë banesën, në çerdhe, në shkolla, në kopshte ku çojnë fëmijët, tek oborri ku luajnë, rrugicat ku ecin çdo ditë. Ndaj, më vjen mirë që e kemi transformuar qytetin në një kantier, jo vetëm me projektet tona të mëdha në rrugët kryesore, por edhe në çdo lagje”, tha kryetari Veliaj. Sa i takon punëve publike, ai tha se vetëm me angazhimin e ndërmarrjeve të bashkisë është bërë e mundur që të shtrohen shumë rrugë e trotuare, si dhe të rehabilitohen shumë lagje të tjera. “Kemi pasur 31 mijë metra katrorë asfalt në tre blloqe urbane që janë bërë me zero kosto shtesë për bashkinë, por vetëm nga vullneti dhe kthimi në punë i njerëzve. Më vjen mirë që kemi punuar në 8.358 metra katrorë trotuare, 10.304 metra linearë sistemime kanalizimesh, problematika që në dukje janë banale, por që shkaktonin stres tek qytetarët, me pusetat që vidheshin”, u shpreh ai. Veliaj e cilësuar një premtim të mbajtur edhe atë për shtimin e gjelbërimit me 1 mijë pemë dekorative çdo muaj. “Kemi mbjellë mbi 12 mijë pemë. Ka disa nga ato hapësira që ishin zona të zaptuara, ku shpërndaheshin materiale, digjej plastikë, kishte incidente dhe konflikt social, sot janë kthyer në pyje të vogla rreth Tiranës. E gjithë ajo histeri se aty do të bëhej qameti është përkthyer në produkte konkrete, duke filluar nga këndi i lodrave deri në jug të Liqenit, ku kemi mbjellë pemë kudo. Kjo nuk është asgjë krahasuar me ambicien tonë. Ambicia jonë nuk është më 1 mijë pemë në muaj, ambicia jonë me planin e ri urbanistik është që të kemi 2 milionë pemë, me një pyll orbital rreth Tiranës, si një mënyrë për të treguar se ku i kemi prioritetet dhe çfarë kemi si vizion për Tiranën e të ardhmes”, shtoi Veliaj.

Rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve

Kryebashkiaku i Tiranës e konsideroi një histori suksesi punën e kryer gjatë këtij viti për rikonstruksionin e çerdheve dhe kopshteve. “Për herë të parë në historinë e këtij vendi nuk u shqetësuam për zgjedhjet e ardhshme, por u shqetësuam për gjeneratën e ardhshme. Se politika që bën hesape vetëm sot për nesër na ka sjellë në derexhenë qe jemi sot, ndaj morëm vendimin e duhur. Sot 31 çerdhe janë të rehabilituara totalisht, ndoshta më të mirat në rajonin tonë. Jemi thuajse aty edhe me kopshtet; më vjen mirë që në fakt janë shkollat ato që do të kenë pjesën më të madhe të investimeve gjatë vitit që vjen, që është viti i dytë i mandatit tonë”, tha Veliaj. Ai u ndal edhe në dimensionin social që ka fituar qyteti në këtë vit. Veliaj vlerësoi punën e kryer me projektet e rehabilitimit të familjeve të komunitetit romë dhe egjiptian, duke theksuar se ata kanë qenë kategoria kryesore që ka përfituar nga ndarja e banesave sociale. “Besoj se kemi treguar që pavarësisht se jemi 1 milionë, nuk kemi humbur dinjitetin tonë njerëzor. Ndaj dua të falënderoj të gjithë punonjësit e çështjeve sociale sepse hapja e 3 mensave janë vetëm fillimi, për të treguar se në qytetin e 1 milionë shqiptarëve, askush nuk duhet të shkojë për të fjetur pa pasur një vakt të ngrohtë në ditë”, theksoi Veliaj. Por, përveç punëve të vogla dhe të përditshme që ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës përmendi edhe punën e kryer në realizimin e projekteve madhore të qytetit të Tiranës, përfshi këtu Unazën e Vogël dhe Unazën e Madhe, Pazarin e Ri, parkingun e parë nëntokësor, Bulevardin e Ri, rehabilitimin e Lumit Tirana, projektin e sheshit “Skënderbej”, si dhe hartimi i draftit të Planit të Përgjithshëm Vendor. “Nuk ka qenë aspak e lehtë t’i thuash dikujt që ka ndërtuar një shtëpi pa leje në mes të bulevardit ose dikush që duhet ta ndajë dëmshpërblimin jo vetëm për vete, por me të 9 apo 19 trashëgimtarët, ka qenë një problem shumë i vështirë, social dhe njerëzor. Por besoj se morëm vendimin e duhur dhe sot 1/3 e kësaj pune ka mbaruar dhe jemi 1.1 km në Bulevard dhe besoj për 500 metra, teksa lirohet territori nga ndërtimet pa leje, do të kapim Lumin e Tiranës për t’i dhënë qytetit dyfishimin e shtyllës kurrizore”, tha Veliaj. 

Punët publike dhe projektet madhore

Nënkryetari Arbjan Mazniku u fokusua te punët publike dhe projektet madhore që kanë nisur të zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se pas muajve të parë të emergjencës për ta nxjerrë Tiranën nga gjendja ku ishte, sot Bashkia ka nisur zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme që do sjellin jo vetëm zhvillim të infrastrukturës, por edhe të ekonomisë dhe punësimit në kryeqytet. “Emergjencat e para për qytetin ishin si një pacient që duhet të kalojë një fazë rehabilitimi, ngritje, zhvillimi, shëndoshje dhe projektet e mëdha të qytetit janë pikërisht ato që synojnë kalimin nga mirëmbajtja, qëndrueshmëria e përditshme në zhvillimin, krijimin e një qyteti, i cili është më shumë i jetueshëm, më i kalueshëm dhe që zhvillohet, që krijon mundësi për punësim, për zhvillim dhe që bën që jetën e çdo qytetari të jetë më e pasur dhe më e mirë çdo ditë”, tha Mazniku. 
Sigal