Krybashkiaku Veliaj nga Lituania: Një ditë fantastike për Tiranën: Sapo morëm zyrtarisht stafetën e Kryeqytetit Evropian i Rinisë për 2022

233
Sigal

 

Në arenën e elektrizuar nga muzika dhe të rinjtë, kryetari i bashkisë së Klaipedas në Lituani, Vytautas Grubliauskas, i dorëzoi në mënyrë simbolike kryebashkiakut Erion Veliaj çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.

“Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës. Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja”, u shpreh Grubliauskas.

Si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë moment një mundësi fantastike për Tiranën. “Kemi marrë zyrtarisht stafetën nga Klaipeda e Lituanisë që ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2021. Ndaj ne do të përdorim gjithë ditët e fundit të dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri tani ka shkuar në 1000 aktivitete për gjithë vitin që vjen. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njeri-tjetrin në shumë fusha, nga sporti, arti, kultura, sipërmarrja rinore, aktivistët e mjedisit. Është një ditë fantastike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për Tiranën edhe si një kartolinë se çfarë është Shqipëria moderne sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër”, tha ai.