Kruja pjesë e zonave të kuqe, sa raste të reja me koronavirus u zbuluan në 24 orët e fundit

284
Sigal

Tre raste të reja janë zbuluar me Covid 19 në 24 orëshin e fundit në Krujë, që dyshohet se janë raste kontaktesh me persona që janë prekur më herët nga koronavirusi.

Burime bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme janë kryer 43 testime, nga të cilat vetëm tre kanë dalë pozitive.

Prej të hënës Kruja do të jetë një nga gjashtë zonat e kuqe në vendin tonë, ku në hyrje dhe dalje do të ketë blinda policie që nuk do të lejojnë qarkullimin e mjeteve pa autorizim.

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ishin zbuluar në të gjithë vendin tetë raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin total të personave të prekur në 850. Rastet e sotme të Krujës pritet që të bëhen publike në deklaratën e përditshme që bën Ministria rreth mesditës.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme qeveria Rama njoftoi se nga e hëna do të mbeten vetëm Zonat e Kuqe, bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ku do të vazhdojë i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash të qarkullimit si deri tani. Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara.

E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21:00.

Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.