Kriza e kapitalizmit, valorizimi i produkteve identitarë dhe rrethi virtuoz i cilësisë

1363
Sigal

Dr. Florjan Bombaj

Kërkues Shkencor i Associuar – UMR Innovation, Francë

Kriza e kapitalizmit. Kapitalizmi nuk është një empirizëm praktik i historisë njerëzore. Ai udhëheq mendimin e njeriut dhe konceptimin që ky i fundit ka për të ardhmen e botës. Filozofia bazë e kapitalizmit është ajo e një progresi të vazhdueshëm, ekstensif në të gjithë ekzistencën sociale, nëpërmjet prodhimit dhe shkëmbimeve tregtare dhe ku e drejta e pronës i siguron këto mjete prodhimi. Motori lëvizës i këtij progresi është avancimi teknologjik në të gjitha fushat dhe kërkimi utilitarist në interesin personal. Kjo ideologji është një konceptim materialist i jetës kolektive, ku arsyet për të jetuar lidhen me punën dhe prodhimin, me idenë që do jetë një perpjekje e tillë që do t’i lejojë njerëzimit të arrijë në mirëqënien dhe lumturinë e dëshiruar. Kapitalizmi si ideologji është produkt i perëndimit racionalist dhe kolonizator. Ai është rezultat i historisë ku perëndimi me mënyrën e tij të mendimit dhe shpirtit pushtues pozicionohet në qendër të botës. Prodhimi dhe konsumi në ditët e sotme janë bërë objektiva primordialë e të gjithë jetës sociale. Grupet ekonomike dhe shtetet tentojnë të posedojnë akoma më shumë të mira, qoftë për t’i përdorur direkt, qoftë për të blerë të mira të tjera. Por si rezultat i kostos së lartë të teknologjisë, kapaciteti për të krijuar dhe prodhuar të mira është shumë inegalisht i shpërndarë. Ky kapacitet varet nga sistemi industrial aktual, nga burimet dhe nga intelekti njerëzor disponibël. Shoqëritë industriale të vendeve të veriut kanë favorizuar një racionalitet operues dhe konvergues drejt efikasitetit të teknologjisë. Ato besuan se në këtë mënyrë mund të kontrollonin natyrën dhe ekzistencën e tyre të nesërme, dhe kjo ju është dukur si një kusht i mjaftueshëm për një jëtë të mirë sociale. Kriza e koronavirusit tregoi një dobësi strukturore të këtij sistemi pasi “laissez faire” në këtë krizë ekonomike duket se nuk mund të ngadhnjejë.

Valorizimi i produkteve identitarë. Globalizimi, dhe së fundmi kriza e koronavirusit, kanë krijuar kushte të favorshme për përforcimin e identitetit lokal, formimit të kapitalit territorial dhe social si dhe zhvillimit ekonomik bazuar në burimet lokale specifike. Ndërsa shumë ekonomistë i kanë parë efektet e globalizmit si një kërcënim për territoret e izoluara dhe të varfra, marrëdhëniet socio-ekonomike të proksimitetit midis aktorëve lokalë në të vërtetë mund të luajnë një rol përcaktues në konkurrencën e aktiviteteve ekonomike në kushtet e një krize ekonomike të pashmangshme. Si një prirje globale e identifikuar mirë në empirizmin shkencor, kërkesa për produkte cilësore “lokale” dhe produkte të tjerë “tipikë” është në rritje. Që nga rritja eksponenciale e shkëmbimeve globale dhe sidomos e turizmit, strategjitë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik shpesh bazohen në garantimin e sigurisë ushqimore si për konsumatorët vendas dhe ata turistikë të huaj. Ashtu si edhe vende të tjera mesdhetare, vendi ynë ka potencial të madh për sa i përket produkteve lokale dhe specifike por ata nuk janë konkurrues sa duhet në kontekstin aktual socio-ekonomik sepse përballen me vështirësi në zhbllokimin e këtij potenciali. Në një botë ku cilësia e produkteve është lehtësisht e matshme, tregu funksionon relativisht mirë dhe produktet tregtohen me çmimin e ekuilibrit të tyre. Sidoqoftë, kur cilësia e produkteve bëhet e ndryshueshme, kostot e matjes së saj rriten. Këto kosto prekin si shitësin ashtu edhe blerësin në shkëmbimin e produkteve. Shitësi duhet të bëjë shpenzime për matjen e cilësisë në mënyrë që të përcaktojë çmimet e tij dhe blerësi duhet të bëjë shpenzime për të matur vlerën utilitariste të produkteve. Vetëm strukturat organizative që minimizojnë kostot e matjes së cilësisë do t’i mbijetojnë konkurrencës. Evolucioni i fundit i sjelljes së konsumatorëve, me një rritje të “ankthit ushqimor” dhe keq-ushqyerjes, forcon kërkesat e cilësisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve. Kjo lëvizje mund të stimulojë një rilindje të konceptit të zinxhirit të vlerës. Është një fazë e shpërbërjes së globalizimit në një fazë të proksimitetit gjeografik (zinxhirët e proksimitetit) përcaktimi i të cilëve kërkon një analizë të thellë të bashkëveprimeve – të një natyre hapësinore dhe organizative – midis aktorëve, institucioneve dhe natyrës. Përqasja e një zhvillimi ekonomik endogjen (të brendshëm) lejon aktorët lokalë të përcaktojnë një politikë zhvillimi të bazuar në realitetet e territorit të tyre. Ajo bazohet në një përqasje globale dhe të bashkërenduar të territorit me kërkimin e integrimit të burimeve lokale (endogjene). Cilësia e produkteve është një ndërtim social, i cili bazohet në një logjikë evolucionare dhe historiko-hapësinore të komuniteteve. Një produkt tipik, identiteti i të cilit i atribuohet kryesisht origjinës së tij gjeografike, është rezultat i një kombinimi të kushteve unike klimatike, karakteristikave të terrenit, varieteteve dhe njohurive lokale, praktikave historike ose kulturore dhe njohurive tradicionale në lidhje me prodhimin dhe përpunimin e këtij produkti. Ndërveprimi midis këtyre elementeve përmban karakteristika specifike që i lejojnë këtij produkti të diferencohet nga produktet e tjerë në të njëjtën kategori. Strategjitë e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm duhet të konsiderohen në një kontekst më të gjerë të formave të integrimit në treg të këtyre produkteve.

Rrethi virtuoz i cilësisë. Cilësia e një produkti identitar i një territori specifik i jep atij një diferencim që vjen nga kushtet e prodhimit, reputacioni i territorit, tradita, kultura dhe historia. Kjo i jep një vlerë të shtuar reputacionit, i cili ekziston falë “lidhjes me territorin”, dhe i ndërtuar me kalimin e kohës nga menaxhimi i cilësisë së tij. Territori, si një hapësirë ​​e kufizuar gjeografike, është një sistem kulturor lokal i karakterizuar nga një bashkësi njerëzore e ndërtuar gjatë rrjedhës së historisë së saj, me një njohuri kolektive mbi prodhimin, bazuar në një sistem ndërveprimesh midis një mjedisi fizik, biologjik dhe një sërë faktorësh njerëzorë. Itineraret socio-teknike, duke qenë kështu të rëndësishme, zbulojnë origjinalitetin, japin tipologjinë dhe çojnë në një reputacion me origjinë nga kjo hapësirë ​​gjeografike. Për të krijuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me anë të produkteve identitarë rrethi virtuoz i cilësisë mund të jetë në tre faza. Në fazën e parë duhet të jetë identifikimi dhe aktivizimi i burimeve specifike territoriale. Në fazën e dytë duhet të jetë analiza e praktikave dhe kushteve specifike lokale të territorit për një proces të krijimit të këtij produkti identitar. Në fazën finale për vendosjen e rrethit virtuoz të cilësisë, produkti identitar duhet të njihet dhe mbrohet me ligj kundër imitimeve ose produkteve të tjerë që shpallin të njëjtën cilësi, për shkak të asimetrive të informacionit ndërmjet blerësit dhe shitësit të cilët mund të mos kenë informacion të besueshëm për karakteristikat siç është origjina në kohën e shitjes së produktit. Në këtë rast, shenjat zyrtare të cilësisë, siç janë GI (Geographical Indication), mund të sinjalizojnë konsumatorët për cilësinë e produktit në mënyrë që konsumatorët të paguajnë një çmim premium i cili më pas gjeneron një burim të qëndrueshëm të ardhurash për prodhuesit vendas. Një produkt identitar GI materializon kështu një burim, duke mbrojtur reputacionin e një produkti specifik lokal dhe emrin që lidhet me të. Ky emër mund të përdoret vetëm nga komuniteti i lokalizuar i prodhuesve dhe përpunuesve që zotërojnë njohuritë e prodhimit që lidhen me origjinën e reputacionit të tij. Në kushtet aktuale ku gjendemi, ashtu si edhe vendet e tjera të botës, nuk bëhet më fjalë të kuptojmë vetveten, por t’a transformojmë atë.