Taksa mbi lejet e qëndrimit. “Nuk duhet paguar, ministria të lajmërojë Kuesturat”

520
Dy javë pas sentencës së TAR të Lazios, ministria e Brendshme bën sikur nuk ka ndodhur asgjë, në kurriz të imigrantëve. Piçinini (Inca Cgil): “Heshtje e turpshme, është e paligjshme t’u kërkosh akoma para imigrantëve. Avokatët tanë, të gatshëm të ndërhyjnë”
– Taksa mbi lejet e qëndrimit u hoq, por kush kërkonte padrejtësisht ato para nga imigrantët bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. 
Dy javë pas sentencës së TAR Lazio, që e zhduku kontributin për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit (80, 100 dhe 200 euro), nuk ka akoma asnjë reagim politik nga qeveria e ndoshta më mirë kështu, asnjë nuk e ndien mungesën. Në të kundërt, është shumë e rëndë që ministria e Brendshme akoma nuk u ka thënë kuesturave të mos kërkojnë më paratë. Heshtje edhe nga ministria e Ekonomisë. Të vjen natyrshëm të ngresh pyetjen: a do të kish ndodhur kështu po të ishte hequr qafe një taksë që godet të gjithë italianët si për shembull ajo mbi plehrat apo taksa e RAI-t? Natyrisht nuk ka nevojë për asgjë tjetër për të zbatuar sentencën e TAR-it. 

Sot, kush kërkon lëshimin e lejes së qëndrimit duhet të derdhë me buletinin postar vetëm koston për shtypjen e lejes së qëndrimit elektronike: 30, 46 euro, kësaj t’i shtojë një pullë-taksë 16, 00 euro dhe të paguajë edh 30 euro për shërbimin e ofruar nga shoqëria Poste Italiane. Kaq. Nuk ka vend për interpretime të tjera. Po Kuesturat e dinë këtë gjë? Ndoshta e kanë dëgjuar, por nuk kanë udhëzime nga lart: “Presim dispozita” është përgjigjja që marrin ata që kërkojnë informacion në këtë aspekt. E uruara qarkore, me të cilën t’u sqarohet njëherë e mirë Zyrave për të Huajt ç’thotë sentenca e si duhet të sillen, akoma nuk duket në horizont. Më 26 maj, Stranieriinitalia. it i kërkoi informacione Drejtorisë qendrore të Imigracionit, por deri më sot nuk ka marrë një përgjigje. “Heshtja e ministrisë është e turpshme dhe e padenjë për një vend të civilizuar, pasiguria e Kuesturave rrezikon të bjerë në kurriz të imigrantëve” thotë për Stranieriinitalia. it Claudio Piçinini, koordinator i zyrave të imigracionit t INCA-s që bashkë me Cgil çuan përpara çështjen gjyqësore që hoqi taksën. Patronati ka shpërndarë sot një komunikatë me të cilën i krkon Administratës publike t’i “përshtatet sa më shpejt risisë së sjellë nga sentenca, për të shmangur manifestimin e qëndrimeve jo korrekte në territor, veçanërisht tani, që me afrimin e periudhës s pushimeve të verës, shumë imigrantë kanë nevojë për dokumentin e qëndrimit për të lëvizur lirisht drejt vendeve të tyre”. 

Shumë patronate (Inca Cgil, Inas Cisl, Ital Uil e Acli) ndihmojnë imigrantët të përpilojnë kërkesat e përtëritjes e i janë përshtatur sentencës. Po ata që e paraqesin kërkesën personalisht? Qëndron rreziku që imigrantët të paguajnë shuma që, falë sentencës, nuk duhet të paguajnë e pastaj të përpiqen të marrin mbrapsht paratë. Komplikon akoma më shumë situatën qëndrimi i disa Kuesturave, që në mënyrë jo zyrtare bëjnë me dije që në pritje të udhëzimeve të ministrisë së Brendshme do të pezullojnë shqyrtimin e kërkesave për të cilat nuk është derdhur kontributi, duke lënë të nënkuptohet edhe hipotezën e hedhjes poshtë të kërkesave. “Të pezullosh apo të kthesh mbrapsht ato kërkesa – sqaron për të njëqindtën herë Piçinini – është absolutisht e paligjshme, siç është e paligjshme të kërkosh para që nuk duhet të marrësh. Nuk ka nevojë për masa të tjera, as për qarkore, për të zbatuar sentencën e TAR-it. Normativa që parashikonte kontributet për lejet e qëndrimit u anulua. Avokatët tanë do të mbikëqyrin sjelljen e Kuesturave e janë të gatshëm të ndërhyjnë”. Ideja e kthimit në gjykatë për të zbatuar vendimin e një gjykate tjetër duket absurde, veçanërisht pasi do të mjaftonin pak rreshta të dërguara nga Roma të gjitha kuesturave (“Kontributi nuk ekziston më, mos e kërkoni… “) për të shmangur më shumë ankesa të reja kundër Ministrisë së Brendshme. Po, kur as ligji nuk mjafton që ministria të vihet në lëvizje, a ia vlen t’i bësh thirrje logjikës së shëndoshë?
SH. I
Sigal