Kristo Frashëri, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, vlerësime dhe mllefe

2439
Sigal

Petrit Brahollari

Shkrimet që trajtojnë historinë e kombit i lexoj me vëmendje. Ato të japin kënaqësi kur punimet janë serioze, të dokumentuara, me analiza dhe konkluzione. Punimi i Kristo Frashërit mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut, është një monografi shkencore, e mbështetur mbi një dokumentacion të pasur bashkëkohor të heroit, duke mos lënë asgjë jashtë nga aktet dokumentare shqiptare dhe të huaja, lindore dhe perëndimorë nga ato që duhen. Më tej, është një monografi e plotë, e cila trajton periudhën e Skënderbeut si asnjëherë më parë nga disa fusha, nga ana politike, diplomatike, ekonomike, historike, shoqërore, kulturore, fetare, madje edhe nga ana e vetive morale, trupore, portreti dhe objektet personale.

Veprën e historianit të madh, z. Frashëri, e kanë vlerësuar shumë historianë, e bashkë me ta, shumë organe shtypi, si një arritje të historiografisë sonë, madje ndokush, edhe si vepër madhore të saj

Çdokush mund të krijojë bindjen e vet mbi veprën që lexon, veç duhet të jetë i kujdesshëm kur merr lapsin e kritikës, e cila duhet të jetë e argumentuar dhe t’i qëndrojë larg sulmeve, mllefit dhe dashakeqësisë, siç ka ndodhur në ndonjë rast, ku kritikuesi nuk është mbajtur si historianë në fushën e botimeve historiografike. Gjuha e përdorur është tejkaluar aq sa e quan autorin veprës së Skënderbeut “falsifikator” e “mashtrues”, bile dhe më keq, gjuhë, kjo, që s’e ofron edukata e një qytetari të kulturuar. S’ka vepër të përkryer, pa ndonjë pasaktësi, por sot nuk duhet të përdoret metodika e kritikës së lëvruar gjatë regjimit komunist, ku autorët që nuk i pëlqenin partisë, sulmoheshin mbarë e prapë, fund e krye, duke u kapur nga një gjethe, e cila dukej e krimbur dhe duke mos parë frutat e shumta që kishte ajo punë.

Me sa di unë, është i pari historian që vë në dukje si vepër historike themelore të Skënderbeu,t jo vetëm luftën çlirimtare që ai udhëhoqi për një çerek shekulli, por edhe krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, të cilin ai e krijoi në kuadrin e luftës çlirimtare. Kur lexojmë këtë vepër, shohim se autori ka edhe merita të tjera në përshtypjet e tjera që nuk po zgjatem. Veçse dua të them, kur dikush i futet kritikës për një vepër, duhet të shohë njëherë vlerat e saj të përgjithshme, të mirat apo të këqiat, vlerat dhe antivlerat e saj, dhe pastaj të ndalet aty ku mendon se autori ka gabim. Një historian, në kritikën e tij, e akuzon autorin se e ka lënë Skënderbeun pa varr. Duke iu kthyer punimit të K. Frashërit dhe pikërisht kreut XXIX, me titull “Varri i Skënderbeut”, aty ai nuk mohon se Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit, në Lezhë, por diskuton se ku ndodhej katedralja, brenda apo jashtë kalasë.

Në shkencë janë të zakonshme diskutime të tilla, kurse për dogmatikët, të palejueshme. E gjithë fryma e kritikës se K. Frashëri mohon varrin e Skënderbeut, është e pabazë. Madje në kritikë shikoj shtrembërime të fjalëve, të cilat i artikulohen padrejtësisht profesorit Frashëri. Vetë, i nderuari K. Frashëri, thotë: “Ngritja e një memoriali jo në vendin e saktë nuk e dëmton imazhin ndaj Heroit të vet, veçse është mirë të dihet se varri i heroit është diku pranë.”

Mora si shembull një nga kritikat që i bëhet autorit të veprës së Skënderbeut, dhe në këtë vepër dinjitoze nuk lexoj tek autori as të mohojë lavdinë e heroit dhe as e njollosë historinë e kombit. Kritika serioze është e pëlqyeshme dhe shërben për të korrigjuar pasaktësitë, por krah saj kemi edhe kritika dashakeqe, të cilat, edhe pse janë të tilla nuk e zhvlerësojnë veprën në fjalë para syve të një lexuesi të kulturuar. Në çdo rast do zinte vend gjykimi i argumentuar. Pasaktësitë i korrigjon kritika shkencore, dhe kurrë mllefi.

Edhe sot ka skeptikë mbi epopenë e Skënderbeut. Madhështinë e këtij burri shteti e gjejmë tek burimet dokumentare të shumë historianëve, qysh nga humanisti shkodran Marin Barleti.

Në veprën “Skënderbeu, jeta dhe vepra” të historianit të madh Kristo Frashëri, botuar në vitin 2002, personaliteti historik shqiptar, Skënderbeu, është dokumentuar dhe trajtuar me mjaft elegancë. Kritika korrigjon, mllefi nuk është kritikë.