‘Krim me sfond politik’/ Paloka: Biznesmeni i vrarë në Shëngjin mbështeste kandidatin e PD-së

Biznesmeni Ardian Nikulaj është vrarë këtë të mërkurë në Shëngjin në lokalin nga persona ende të paidentifikuar. Deputeti i PD-së Edi Paloka, në një intervistë për mediat tha se ka qenë në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa nuk ka dhënë më shumë detaje duke theksuar se nuk ka shumë dijeni për ngjarjen e rëndë. Paloka: Kam përshtypjen se do të ketë background politik. Nuk mund të flas më tepër, sepse nuk ka informacion. Ardian Nikulaj mesa di unë ka qenë i angazhuar në mbështetje të kandidatit të PD, pra të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zonë. Por nuk dua të flas më shumë, pasi dua të kem informacion.

Çfarë ndodhi sot?

NOA

Persona ende të paidentifikuar ekzekutuan ditën e sotme me armë zjarri biznesmenin Ardian Nikulajn, 51 vjeç. Ai po qëndronte në një lokal në pronësi të tij në zonën e shëtitores, në hyrje të Shëngjinit, kur u ekzekutua nga persona ende të panjohur.

Autorët dyshohet se ishin dy dhe po lëviznin me motor, kur zbrazën breshëri plumbash ndaj 51-vjeçarit. Nikulaj ka disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun dhe se është një emër i njohur në zonë.

Nikulaj po ashtu rezulton se në 2021 ka qenë kandidat për deputet në radhët e PSD. Ai ka qenë kandidati numër 1 në listën e Partisë Social Demokrate ku ka marrë 97 vota. Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, Nikulaj ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003, ndërsa 3 vite më vonë, më 1 dhjetor 2006, me gjobë.